Sociale 29 Tetor 2025, 17:36 Nga VNA

Rasti i volejbollistes së Dinamos ekspozon ‘paragjykimet dhe diskriminimin’ në sport

Ndaje në Whatsapp

Rasti i volejbollistes së Dinamos ekspozon ‘paragjykimet dhe

Pezullimi i volejbollistes braziliane të “Dinamos”, Nayara Ferreira, për dyshime mbi identitetin e saj gjinor ngritur mbi ankime nga ekipe rivale, ka ngritur shqetësime serioze për diskriminim, ndërsa e ka vënë Federatën Shqiptare të Volejbollit, FSHV, në shënjestër të kritikave.

Ferreira u pezullua nga FSHV disa javë më parë dhe iu kërkua t’i nënshtrohej testit të gjinisë. Procedura nisi pas ankimit nga klubi rival i Pogradecit, të cilit iu bashkua më pas edhe Tirana. Sportistja ka munguar tashmë në dy ndeshje.

Kur rasti u bë mediatik më 25 tetor, FSHV reagoi duke pranuar pezullimin, por këmbënguli se po vepronte me diskrecion dhe në respekt të dinjitetit njerëzor. “FSHV po vepron me kujdes dhe diskrecion, duke respektuar parimet e fair play-it, barazisë në lojë dhe dinjitetit njerëzor”, thuhet në reagim.

Por Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda thotë se i gjithë rasti ishte ngritur mbi paragjykime dhe se vendimi për pezullim ishte me gjasë paragjykues.

“Ka disa probleme në pamje të parë. Situata ka nisur krejtësisht mbi bazë paragjykimesh dhe është marrë një masë mbi pezullimin krejtësisht mbi baza paragjykuese,” tha Gajda.

Gajda i tha BIRN se po shihnin mundësinë për një hetim kryesisht të rastit, por kjo merrte kohë.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi e sheh rastin e volejbollistes së Dinamos të frymëzuar nga një fushatë keqinformuese dhe narrativat homofobike që kanë shoqëruar diskutimet e javëve të fundit mbi projektligjin për “Barazinë Gjinore” në Shqipëri.

“Mos harro dhe faktin që lojtarja është e federuar ndërkombëtarisht, dhe ka eksperiencë të gjatë e në shumë klube nëpër botë dhe me dokumente ligjore është femër,” tha ai, duke theksuar se ky fakt e bën procedurën e nisur nga federata “krejtësisht paragjykuese dhe homofobike”.

Edhe trajneri i ekipit të Dinamos, Orlando Koja e cilëson vendimmarrjen të pabazë dhe të paarsyeshme.

“Nuk e di me çfarë logjike e pranoi Federata kërkesën. Nuk ka asnjë arsye dhe asnjë dyshim. Ajo ka 15 vjet që luan si volejbolliste profesioniste. Ka luajtur në disa liga në Europë mjaft më të mira se kampionati ynë, nuk ka asnjë arsye për ta dyshuar,” tha Koja.

Trajneri i Dinamos e konsideron këtë një precedent të rrezikshëm që do të sjellë si pasojë largimin e volejbollisteve të huaja nga Shqipëria.

“E ka tronditur shumë. Ajo po pret rezultatet e testit dhe pas tij thotë se do largohet nga Shqipëria”, tha trajneri, ndërsa shton se “ekipi i tij është dëmtuar nga rasti”.

Edhe aktivistët për të drejtat e njeriut dhe kundër diskriminimit gjinor ngritën zërin duke e cilësuar rastin të turpshëm.

“Prej dy javësh, Nayara është vënë nën sulm nga disa skuadra kundërshtare, mes tyre Pogradeci dhe Tirana, që kanë hedhur akuza të ulëta për identitetin e saj gjinor, akuza që burojnë nga xhelozia për aftësitë dhe performancën e saj,” shkroi Xheni Karaj në Facebook, ndërsa kërkoi marrje të masave administrative ndaj abuzuesve.

“Ky vendim është i turpshëm, diskriminues dhe çnjerëzor. Ai nuk bazohet në rregullore, por në thashetheme dhe paragjykim”, tha ajo.

Ndërsa Neli Demi, mjek psikiatër dhe psikoterapist, e cilësoi këtë si një përpjekje për kontroll mbi trupin e gruas, të maskuar me rregullat e garës.

“Kur një grua e fortë, e sigurt dhe e suksesshme në fushë sfidon stereotipet, shoqëria shpesh kërkon “prova” që ajo është ajo që thotë. Kjo është një formë moderne e kontrollit mbi trupin, e maskuar si kujdes për rregullsinë e garës,” tha Neli.

Vetë Nayara Ferreira deklaroi në një intervistë për Top-Channel se kjo që i kishte ndodhur në Shqipëri e kishte tronditur shumë. “Jam 100% femër… Ajo që keni bërë është diskriminim. Kjo është çnjerëzore dhe e papranueshme”, tha ajo. Në një mesazh tjetër, ajo shtoi: “Njerëzit do të pendohen për këtë padrejtësi që më kanë bërë.

Pas reagimeve në publik, FSHV reagoi sërish të martën duke mohuar diskriminimin dhe duke paralajmëruar hakmarrje ndaj kritikëve.

“Shpreh shqetësimin për përdorimin e këtij rasti, i cili është tërësisht sportiv, si pretekst për shkelje të të drejtave të individit apo të komuniteteve të caktuara”, thuhet në deklaratë. Më tej, FSHV njoftoi se Bordi Drejtues “ka referuar pranë Komisionit të Disiplinës rastet e fyerjeve dhe intimidimeve publike të bëra nga disa eksponentë dhe drejtues të shoqatës Dinamo Volley, në media dhe rrjete sociale.”/BIRN/ 

 

Video

Ju flet Evis Sala për dhunën ndaj grave në hapësirën digjitale… e sigurt që nuk e ka parë konferencën e djeshme të shefit te madh

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bagdad është goditur nga një dron ose raketë, sipas një zyrtari të sigurisë irakiane. Sulmi ndodhi pak pasi dy militantë të mbështetur nga Irani u vranë në një bastisje në kryeqytetin irakian. Është hera e dytë që ambasada amerikane sulmohet që nga fillimi i luftës Izrael-SHBA kundër Iranit. Sulmet janë marrë përsipër nga grupe të armatosura pro-iraniane në Irak, të cilat prej ditësh po godasin me dronë dhe raketa bazat amerikane në rajon.

Dhjetëra qytetarë të Lezhës janë mbledhur në sheshin kryesor të qytetit për të përkujtuar 25-vjeçaren Xhuana Nikollaj nga Shëngjini. Pjesëmarrësit ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë fotografisë së saj, duke shprehur dhimbjen për humbjen e të resë dhe solidaritetin me familjen në këtë moment të vështirë. E reja dyshohet se i dha fund jetës pas një periudhe të vështirë personale dhe dhunës nga ish-bashkëshorti i saj. Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe debat në opinionin publik, ndërsa qytetarët kërkuan më shumë vëmendje dhe mbështetje institucionale për rastet e dhunës në familje.

Një grup prej rreth 20 grabitësish të maskuar realizuan një grabitje në dyqanin e bizhuterive “Kumar” në Kaliforni, duke marrë mallra me vlerë mbi 1.4 milion dollarë brenda rreth 70 sekondash. Sipas autoriteteve, grabitësit thyen vitrinat me çekiçë dhe morën rreth 75–80% të bizhuterive të ekspozuara, para se të largoheshin me automjete që i prisnin jashtë. Policia arrestoi katër të rinj të moshës 19–20 vjeç pasi ndaloi një prej automjeteve të përdorura për arratisje, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vijojnë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme