Rajoni 5 Nëntor 2025, 14:48 Nga VNA

Albin Kurti: S’ka arsye ligjore që ish-krerët e UÇK-së të mbahen ende në paraburgim në Hagë

Ndaje në Whatsapp
Albin Kurti: S’ka arsye ligjore që ish-krerët e
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, beson se nuk ka më arsye ligjore që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) - të cilët janë duke u gjykuar për krime lufte në Hagë - të mbahen akoma në paraburgim në qytetin holandez.

Në pesëvjetorin e arrestimit dhe paraburgosjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Kurti shkroi në Facebook se “Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim”.

Gjyqi ndaj tyre nisi më 2023 dhe po shkon drejt përfundimit.

Që të gjithë ata i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Kurti është kritikuar në të kaluarën se nuk e ka ngritur zërin për ish-krerët e UÇK-së dhe që nuk i ka vizituar asnjëherë të katër figurat në Hagë.

Por, ai tha të mërkurën se ka punuar “gjatë dhe në heshtje” për lirimin e tyre.

“Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por, ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet”, shkroi ai.

Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, asokohe në opozitë, e kishin kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate më 2015 nga Kuvendi i Kosovës.

Në shkrimin e tij në Facebook të mërkurën, Kurti e publikoi edhe një letër nga viti 2022, në të cilën i kishte kërkuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, lirimin e tyre.

“E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trendafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje”, shtoi Kurti.

Në letrën e tij, Kurti i kishte ofruar garanci Trendafilovës se autoritetet kosovare do ta mbikëqyrnin arrestin shtëpiak të tyre. Asokohe, gjyqi ndaj tyre nuk kishte nisur ende.

Gjykata Speciale e Kosovës e ka selinë në Hagë të Holandës dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, pasi u themelua Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, për t’i gjykuar rastet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së sipas ligjit të Kosovës.

Ajo pret që deri në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Gjatë këtij muaji pritet që mbrojtja e ish-presidentit Thaçi ta përfundojë rastin, me gjeneralin e pensionuar amerikan, Wesley Clark, si dëshmitari i fundit.

Nuk është e qartë se kur saktësisht Clark do të ulet në bankën e dëshmitarit të mbrojtjes, por, sipas mbrojtjes, ai ka njoftuar se nuk mund ta nisë dëshminë para 18 apo 19 nëntorit.

Deri tani, në mbrojtje të Thaçit kanë dëshmuar ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams, dhe ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan.

Që të gjithë thanë në dëshmitë e tyre se Thaçi nuk kishte autoritet mbi UÇK-në.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.

Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve./REL/

Video

Rreth orës 04:00 të mëngjesit, një lokal në zonën e Qafë Shtamës është përfshirë nga flakët, duke u djegur plotësisht së bashku me bujtinën përreth. Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Sipas pronarit të objektit, Bukurosh Balliu, dyshohet se shkak i ngjarjes kanë qenë luhatjet e tensionit elektrik, të ardhura si pasojë e erërave të forta. Këto luhatje mendohet se kanë krijuar shkëndija, të cilat më pas kanë çuar në përhapjen e flakëve.

Të paktën gjashtë persona u plagosën nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.7 ballë që goditi Japoninë veriore të hënën Sipas Japan Meteorological Agency, lëkundja ndodhi në Oqeanin Paqësor pranë prefekturës Iwate në ishullin Honshu. Agjencia raportoi një magnitudë prej 7.7 ballësh, ndërsa United States Geological Survey e vlerësoi atë në 7.4. Menjëherë pas tërmetit u lëshua një paralajmërim për cunami, me valë të mundshme deri në tre metra. Një valë deri në 80 centimetra u regjistrua në portin e Kujit, ndërsa valë më të vogla goditën zona të tjera të Japonisë veriore. Më vonë, alarmi për cunami u hoq.

U.S. Central Command ka publikuar pamje nga një operacion ushtarak në Detin Karaibe, ku forcat e Shtetet e Bashkuara goditën një anije të dyshuar për trafik droge. Sipas njoftimit, tre persona të dyshuar si pjesë e trafikut të drogës u vranë gjatë operacionit.

Një grua në Filipine përjetoi një moment të rrallë teksa po bënte fotografi nën ujë, kur një peshkaqen balenë iu afrua papritur dhe e preku lehtë në krah. Momenti, i filmuar dhe i shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ka tërhequr vëmendje. Ekspertët thonë se kjo specie është e padëmshme për njerëzit, por rekomandojnë ruajtjen e distancës dhe respektimin e jetës së egër.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme