Politika 4 August 2025, 21:03 Nga VNA

Qeveria protestoi ndaj OSBE/ODIHR për ‘raportin negativ’ të zgjedhjeve të 11 majit

Ndaje në Whatsapp
Qeveria protestoi ndaj OSBE/ODIHR për ‘raportin negativ’

Qeveria e kryeministrit Edi Rama u gdhi triumfuese një ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, por e shqetësuar nga raporti i ashpër paraprak i misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR lidhur me standardin e zgjedhjeve – zbulohet në një letër të ministrit të Jashtëm, Igli Hasani që u publikua të hënën nga kreu i opozitës, Sali Berisha.

Përmes letrës së dërguar udhëheqëses së misionit afatshkurtër të OSBE, Farah Karimi, kreut të ODIHR, Lamberto Zannier dhe zyrtarëve të tjerë, Hasani proteston ndaj disa prej gjetjeve paraprake dhe shpreh ‘shqetësimin serioz’ për gjuhën e përdorur në deklaratën e këtij misioni – të cilën e quan “një pasqyrim ndjeshëm negativ” dhe “të paekuilibruar”

“Toni dhe korniza e këtij paragrafi hyrës rrezikon të errësojë kontekstin më të gjerë të përparimeve të bëra, përfshirë përmirësimet demokratike si rritja e transparencës, avancimi i teknologjisë zgjedhore dhe, në mënyrë të veçantë, zbatimi me sukses i votimit nga jashtë vendit,” shkruhet në letrën e publikuar nga Berisha.

Ministria e Jashtme dhe ministri Hasani nuk iu përgjigjen pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi, nëse kjo letër përbënte ndërhyrje në punën e minisionit të ODIHR dhe presion ndaj vëzhguesve të pavarur.

Një ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR deklaroi në gjetjet paraprake se gara zgjedhore në Shqipëri ishte “e pabarabartë” për shkak të “keqpërdorimit masiv të burimeve shtetërore dhe pushtetit institucional nga partia në pushtet” si dhe nga mungesa e medias së pavarur, e cila nuk siguroi që votuesit të ishin të mirëinformuar mbi zgjedhjen që bënë.

Në letrën e tij, Hasani i kundërshton pohimet e këtij raporti si të pambështetura.

“Për më tepër, pohimi se partia në pushtet ka përfituar nga përdorimi i përhapur i burimeve administrative nuk është i mbështetur mjaftueshëm, veçanërisht për një vlerësim paraprak,” shkruan ai në letër duke iu referuar referencës për faljen e gjobave shtetërore pak ditë para zgjedhjeve si një akt, që KQZ-ja nuk e gjeti në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.

Ministri gjithashtu kundërshton konstatimin për një mjedis mediatik ku ka mungesë të raportimeve të pavarura dhe se shumica e medieve perceptohen si të rreshtuara me partinë qeverisëse.

Në fund, Hasani i kërkon krerëve të Misionit që të ketë një qasje të balancuar dhe bazuar në prova.

“Është me rëndësi që gjetjet paraprake të mos hedhin dyshime të pajustifikuara mbi një proces zgjedhor që, siç pranohet edhe në vetë raportin, është zhvilluar përgjithësisht në mënyrë profesionale dhe në përputhje me standardet demokratike,” shkruan ndër të tjera Hasani.

Ndërsa Berisha e dënoi letrën e ministrit si “një përpjekje autoritare, të dënueshme, të palejueshme për të ndërhyrë direkt, për të bërë presion dhe zhvlerësuar raportin paraprak të OSBE/ODIHR…”.

Raporti paraprak i OSBE/ODIHR shënoi një kthesë të fortë në gjetjet e misioneve të vrojtimit të zgjedhjeve të shkuara, ku zakonisht vëzhguesit janë mjaftuar duke vënë në dukje se problemet “janë raportuar”, ndërsa në këtë rast, ata vënë në dukje se ata vetë “i kanë dëshmuar” rastet e frikësimit të votuesve dhe abuzimit të burimeve shtetërore.

Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet u shënuan nga keqpërdorimi masiv i burimeve publike dhe fuqive institucionale të partisë në pushtet, ndërsa raportime të shumta mbi presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit e tjerë si dhe rastet e frikësimit [të votuesve] ishin shqetësuese./BIRN/

 

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme