Politika 5 Gusht 2025, 07:32 Nga VNA

Në 5 muaj, bashkitë përdorën vetëm 10% të planit të investimeve, Tirana më dobët

Ndaje në Whatsapp
Në 5 muaj, bashkitë përdorën vetëm 10% të planit

Ende një shumicë njësish administrative në vendin tonë vuajnë nga mungesa e infrastrukturës dhe sidomos rrugëve për t’u lidhur me rrjetin kombëtar ose me qytetet e tyre. Këto mungesa e kanë bërë të vështirë jetë në fshat dhe për këtë arsye, shumë njerëz zgjedhin të largohen për këtë fakt, ndërkohë që bashkitë “djegin” miliona euro në vit investime që nuk arrijnë t’i realizojnë sipas programeve që vetë i kanë miratuar.

Sipas të dhënave të detajuara nga Ministria e Financave për periudhën janar–maj 2025, investimet e realizuara nga njësitë vendore kapën vlerën rreth 4.5 miliardë lekë, ndërkohë që plani vjetor i miratuar për investime është më shumë se 44.9 miliardë lekë. Në terma relativë, kjo do të thotë se në pesë muajt e parë të vitit është realizuar vetëm 10% e investimeve të planifikuara.

Bashkia e Tiranës, si njësia më e madhe vendore në vend dhe me buxhetin më të lartë të investimeve, ka realizuar vetëm 4.8% të planit të saj vjetor në pesë muajt e parë të vitit 2025. Nga një total planifikimi prej rreth 19.4 miliardë lekësh, janë ekzekutuar vetëm 941 milionë lekë deri në fund të majit. Kjo normë e ulët realizimi është shqetësuese, duke pasur parasysh volumin e projekteve që lidhen me kryeqytetin, që përfshijnë infrastrukturën, transportin publik, arsimin dhe shërbimet sociale.

Fakti që edhe Tirana, me kapacitete të konsiderueshme administrative dhe financiare, nuk ka arritur të shpenzojë më shumë se 5% të buxhetit të saj të investimeve për afro gjysmën e vitit, dëshmon për një problem të thellë të administrimit në të gjithë qeverisjen vendore. Nga analiza e të dhënave për bashkitë që janë qendra qarku, vihet re se edhe në këto njësi të mëdha administrative ritmi i realizimit të investimeve publike në pesë muajt e parë të vitit 2024 mbetet shumë i ulët.

Në krye të listës për realizimin më të dobët qëndron Bashkia Lezhë, e cila nga një plan vjetor prej mbi 1 miliard lekësh kishte realizuar vetëm rreth 15.8 milionë lekë, që përfaqëson më pak se 1.6% të totalit. Pas saj vjen Vlora, ku përkundër një buxheti mbi 2 miliardë lekë për investime, ishin shpenzuar vetëm 3.3%. Edhe bashkitë e tjera të mëdha si Shkodra, Korça dhe Fieri rezultojnë me realizim nën 10%, me Fierin në kufirin më të lartë, me një normë prej 9.6%.

Kjo situatë tregon se problematika e ngadalësisë në realizimin e investimeve nuk është vetëm karakteristikë e bashkive të vogla, por përfshin edhe ato më të mëdhatë dhe më të pasurat në vend. Disa nga bashkitë me përformancën më të dobët janë Himara dhe Pusteci. Në bashkinë Pustec, për shembull deri në fund të majit nuk është shpenzuar asnjë lek për investime.

Edhe Himara, me një plan investimesh prej mbi 2.1 miliardë lekësh, ka realizuar më pak se 0.1% të fondit të saj. Edhe bashki të tjera si Përmeti, Lezha apo Skrapari kanë një përqindje shumë të ulët të zbatimit të investimeve, të gjitha nën 3% të planit vjetor. Bashkitë me përformancën më të mirë në realizimin e investimeve publike për periudhën janar–maj 2025 janë kryesisht njësi më të vogla, të cilat kanë arritur të ekzekutojnë pjesën më të madhe të buxhetit të planifikuar.

Në krye të listës qëndron Bashkia Delvinë, e cila ka realizuar 100% të buxhetit të saj të investimeve për këtë periudhë, me një shumë të vogël por tërësisht të shpenzuar. E ndjek Bashkia Has, me një realizim prej rreth 96%, dhe më pas Poliçani, që ka ekzekutuar 88% të buxhetit vjetor të parashikuar. Po ashtu, Finiqi dhe Kukësi renditen ndër bashkitë me performancën më të mirë, me përqindje realizimi përkatësisht 65.7% dhe 54%.

Ky rezultat tregon se, ndonëse me buxhete më modeste, disa nga bashkitë më të vogla kanë qenë më efikase në realizimin e projekteve publike të planifikuara për shkak të numrit më të kufizuar të projekteve. Ndonëse pjesë e projekteve përfshijnë fusha me impakt të drejtpërdrejtë te qytetarët si strehimi social, infrastruktura urbane apo objektet e shërbimeve publike, dinamika e zbatimit nuk po ecën me të njëjtin ritëm me planin e vitit./ Monitor

Video

Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Republikës. Seancat e njëpasnjëshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Në sallë kanë qenë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe kanë bojkotuar procesin.

Një breshkë e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdet, me dëmtime të rënda në pjesën e kokës. Dyshohet se ajo është goditur nga helikat e një anijeje, duke pësuar plagë serioze që i kanë shkaktuar ngordhjen. Breshka është konstatuar nga qytetarë që ndodheshin pranë bregut të detit.

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme