
Në Kuvendin e Shqipërisë, dy orë seancë ishin të mjaftueshme për të parë një tjetër bashkëpunim mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, shumë justifikime politike dhe debate të pafrytshme.
Njësoj si në herët e mëparshme, kur bëhet fjalë për ligje që janë në interes të përbashkët, PS dhe PD arrijnë “mrekullisht” gjuhën e përbashkët dhe miratojnë aktet brenda minutave, pa asnjë debat real.
Kështu ndodhi edhe me ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, për të cilin të dyja palët bashkuan votat, duke anashkaluar përfaqësuesit e partive të vogla që, ndonëse kanë një vend në komision, mbeten thjesht spektatorë.
Për të justifikuar këtë bashkëpunim, në sallë folën kreu i PD-së, Sali Berisha, dhe deputeti socialist Damian Gjiknuri, i cili do të jetë bashkëkryetar i komisionit.
Berisha, me retorikën e tij të njohur se “me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira”, këtë herë e arsyetoi bashkëpunimin duke thënë se ishte kërkesë e OSBE/ODIHR, kërkesë që, si për ironi, këta të fundit e përsërisin në çdo raport zgjedhor, ndërsa PD, sa herë merr pjesë, kthehet në fasadë të fitoreve të Edi Ramës dhe del me humbje edhe më të thella.
“Ne sot votuam ngritjen e këtyre dy komisioneve për dy arsye themelore. Së pari, janë një seri e pafundme rekomandimesh të OSBE/ODIHR, të cilat i kemi pranuar dhe besojmë se janë të rëndësishme. OSBE/ODIHR ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në raportin e fundit damkosi zgjedhjet e 11 majit si një farsë të shëmtuar. Në këtë kontekst, ndjehemi të detyruar që rekomandimet e drejta t’i kthejmë në ligj, ndonëse deklarojmë se me Edi Ramën shqiptarët nuk do votojnë kurrë si qytetarë të lirë. Së dyti, reforma territoriale ishte një antireformë që solli pabarazi të theksuar”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, Gjiknuri iu përgjigj drejtpërdrejt kritikave të partive të vogla, të cilat kundërshtuan ngritjen e komisionit, duke i cilësuar ankesat e tyre si “zhurmë të kotë”. Ai deklaroi se të gjitha partitë janë të përfaqësuara në komision, por se e drejta e votës i përket vetëm dy forcave të mëdha.
“Të gjitha partitë janë të përfaqësuara aty dhe çështja e votës është irrelevante, sepse votën e ka të barazvlefshme me veton e bashkëkryetarit. Është e pamundur t’i akomodosh të gjitha partitë opozitare me të drejtë vote, sepse janë 13 në total. Secili mund të bëjë propozime, por votën e kanë dy forcat e mëdha”, tha Gjiknuri.
Pasi ngritja e komisioneve u miratua pa kundërshtime mes palëve, për të “balancuar” imazhin e bashkëpunimit, PS dhe PD zgjodhën përplasjen boshe të radhës në sallë, për mënyrën si do të bëhen pyetjet ndaj drejtuesve të institucioneve të drejtësisë që pritet të raportojnë në Kuvend.
Për më shumë se një orë, seanca u shndërrua në një seri debatesh shterpë dhe akuzash të ndërsjella, ndërsa kreu i SPAK, Altin Dumani, dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, prisnin në sallë që t’u jepej fjala.
Sipas të gjitha gjasave, ky “teatër” i përsëritur politik në Parlament synon që raportimi i Dumanit të mbyllet me pak zë dhe pa pyetje të drejtpërdrejta mbi dosjet e hapura të zyrtarëve të qeverisë dhe opozitës në SPAK, përfshirë edhe atë të fundit që lidhet me zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Se çfarë do të ndodhë pas pushimit 15-minutësh të seancës, mbetet për t’u parë.























