Politika 11 Nëntor 2025, 13:45 Nga VNA

‘Bojkoti’ i zgjedhjeve të pjesshme thellon mungesën e besimit te politika

Ndaje në Whatsapp

‘Bojkoti’ i zgjedhjeve të pjesshme thellon mungesën e

Një numër gjithnjë e më i vogël votuesish po shkon drejt kutive të votimit në atë që ekspertët e quajnë një klimë të dëmshme për demokracinë dhe që i ka rrënjët te mungesa e thellë e besimit te partitë politike.

Në një mot me shi dhe rrugët e përmbytura, qytetarët e Vlorës pothuajse i bojkotuan zgjedhjet për kryetarin e ri të Bashkisë, ku morën pjesë më pak se 20 mijë votues nga 171 mijë gjithsej ose 12.54 për qind e votuesve.

Edhe pse Vlora njihet historikisht për pjesmarrje të ulët, votimet e së dielës shënuan një minimum historik.

Pjesëmarrja ishte e ulët edhe në Berat, ku e ushtruan të drejtën e tyre vetëm 20 për qind e votuesve. Në bashkitë më të vogla, Cërrik, Mat dhe Tepelenë pjesëmarrja ishte krahasimisht më e lartë. Në Cërrik morën pjesë 24.81%  e votuesve, në Mat, morën pjesë gati 39.23%, ndërsa në Bashkinë e Tepelenës  moën pjesë 34.63% të votuesve.

Një numër gjithmonë e më i vogël votuesish po u jep të zgjedhurve të mazhorancës një diferencë të madhe votash me kandidatët rivalë. Në të pesta bashkitë, kandidatët e Partisë Socialiste fituan me përqindje që variojnë nga 66 në 83%.

Kryeministri Edi Rama ia faturoi pjesëmarrjen e ulët motit me shi dhe “vetë natyrës së zgjedhjeve të pjesshme, të cilat nuk është se e stimulojnë pjesëmarrjen”, por për eskpertë të shoqërisë civile kjo tregon më shumë apatinë politike të zgjedhësve dhe mungesën e besimit tek partitë politike.

“Mungesa e thellë e besimit në partitë politike, e cila sa vjen dhe thellohet po krijon një klimë shumë të dëmshme për demokracinë në tërësi në Shqipëri dhe demokracinë e drejtpërdrejtë, pasi çdo 4 vjet populli ka mundësinë të ushtrojë sovranitetin duke votuar të zgjedhurit në organin legjislativ dhe organet e pushtetit vendor,” tha Erida Skëndaj nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Skëndaj rradhit një sërë faktorësh të tjerë që ndikojnë në atë që ajo e quan thellim të apatisë politike të votuesve, si emigracioni, një nga plagët që ka prekur shoqërinë shqiptare, i ndikuar nga varfëria, papunësia, korrupsioni shqetësues, mungesa e meritokracisë dhe e stabilitetit ekonomik.

“Të gjitha këto problematika për elektoratin përkthehen në mungesën e një alternative të besueshme që ti adresojë dhe japë zgjidhje,” theksoi Skëndaj.

Klima ku qytetarët po humbin besimin tek politika nxitet, sipas Skëndajt, edhe nga “dorëheqjet jo të zakonshme të kryetarëve të bashkive, që sipas saj, dobëson nivelin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së tyre si të zgjedhur apo procedimet penale, që ulin po ashtu besueshmërinë e zgjedhësve tek e drejta kushtetuese për të zgjedhur.

Edhe Rigels Xhemollari nga organizata “Qëndresa Qytetare” vëren një bojkot të qytetarëve, veçanërisht në rastin e Vlorës.

“Mund të quhet edhe bojkot qytetar, pasi kemi të bëjmë me një qytet që vuan njëkohësisht shumë probleme nga zjarret, pronat e përmbytjet dhe përsëri bashkia nuk ka qënë pranë tyre”, tha ai.

Ai shton se arsyet e pjesëmarrjes së ulët lidhen gjithashtu me faktin që nuk u konsideruan të rëndësishme për shkak të mandatit të pjesshëm dhe nga mungesa reale e opozitës si alternativë.

“Kjo nuk prodhoi fushatë, vëmendje dhe informim për qytetarët,” argumenton Xhemollari.

Edhe pse vakancat në disa prej bashkive po vijonin prej muajsh, presidenti dekretoi datën e zgjedhjeve në 1 tetor, pasi qeveria vendosi të shkarkojë kryetarin e bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, që ndodhet në paraburgim që prej muajit shkurt, i akuzuar për korrupsion.

Zgjedhjet në Tiranë u pezulluan nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që 5 bashkitë e tjera u futën një proces të shpejtë zgjedhor që parashikonte vetëm 1 javë fushatë zyrtarisht.

Koha e shkurtër ishte sipas Skëndajt një arsye shtesë në pjesëmarrjen e ulët në votime, pasi “pamundësoi zhvillimin normal të etapave të procesit parazgjedhor, përfshi këtu ndërgjegjësimin e zgjedhësve…”.

Shpallja e zgjedhjeve të pjesshme në bashkitë që drejtoheshin më parë nga socialistët nuk u prit me ndonjë entuziasëm në Partinë Demokratike, më e madhja në opozitë, që sapo kishte dalë nga një humbje e thellë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Bashkë me parti të tjera opozitare, Partia Demokratike zgjodhi një formulë të patestuar më parë, duke mbështetur kandidatë që shprehën dëshirën për t’u regjistruar si të pavarur, një mbështetje që më shumë mbeti deklarative se sa reale në fushatën në terren të këtyre kandidatëve.

Për Rigels Xhemollarin, sjellja e opozitës ndaj kandidatëve të pavarur vetëm sa e dëmtoi alternativën e tyre.

“Opozita me dashje e vrau alternativën e kandidatëve të pavarur, duke i konsideruar ata si rivalë të kandidatëve politikë. Mbështetja e një kandidati nuk është vetëm deklaratë publike, ka nevojë për organizim, financim dhe struktura, për të cilat dyshoj se opozita ua vendosi në dispozicon këtyre kandidatëve,” përfundoi ai./BIRN/

 

Video

Këto janë pamjet e parë nga atentati i ndodhur pak më parë pranë Aeroportit të Rinasit, ku si pasojë ka mbetur i vrarë një person dhe u plagos një tjetër. https://www.vna.al/kronika/-tek-rrethrrotullimi-i-rinasit-dyshohet-per--i16755

Nuk besojmë edhe që ka vend të botës ku ministër emërohet dikush që vjen nga hiçi.

Deputeti socialist Erion Braçe ne rolin e nje gazetari, ka denoncuar një ngjarje të paprecedentë në rrjetet sociale. Ai thotë se dikush ka nxjerrë në shitje lulishten e vetme që ndodhet tek “1 Maji”. Teksa ka shpërndarë një video ku duket tabela 'shitet toka', Braçe thotë se në këtë qytet çdo gjë është e paparashikueshme. Ai thekon se ishte mirë në fshat pasi atje kishte parashikueshmëri.

Varrosen në Deir al Balah 38 trupa palestinezë të paidentifikuar, të kthyer nga Izraeli Deir al Balah, Gaza – 38 trupa palestinezë të paidentifikuar, të cilët mbaheshin nga Izraeli, u varrosën më 10 nëntor në qytetin e Deir al Balah, pas kthimit të tyre në kuadër të marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve mes Hamasit dhe Izraelit. Marrëveshja e shkëmbimit, e cila po zbatohet gradualisht, ka përfshirë lirimin e të burgosurve dhe kthimin e trupave të personave të vrarë, por organizatat humanitare kërkojnë transparencë dhe identifikim të plotë të viktimave.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme