Bota 30 Tetor 2025, 09:13 Nga VNA

Dodik bleu heqjen e sanksioneve me ndihmën e aleatëve të Trump

Ndaje në Whatsapp
Dodik bleu heqjen e sanksioneve me ndihmën e aleatëve të Trump
Milorad Dodik

Nga Kenneth P. Vogel

Administrata Trump të mërkurën hoqi sanksionet ndaj një lideri nacionalist serb, i cili ishte akuzuar për minimin e një marrëveshjeje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA, që i dha fund luftës së përgjakshme sektare në Ballkan në vitet 1990.

Heqja e sanksioneve për Milorad Dodik, i cili deri në këtë muaj ka shërbyer si president i një territori të vogël vetëqeverisës në Bosnje dhe Hercegovinë, të quajtur Republika Srpska, ishte një fitore për politikanin dhe për një fushatë të shtrenjtë ndikimi të organizuar në emër të tij nga disa aleatë të presidentit Trump.

Heqja e sanksioneve mund t’i lejojë zotit Dodik, i cili është ende lider i partisë në pushtet në Srpska dhe i lidhur ngushtë me presidentin rus Vladimir V. Putin, të mbetet me ndikim në rajonin e kontrolluar nga serbët, edhe pa një rol formal në qeveri.

Sanksionet u hoqën gjithashtu ndaj anëtarëve të familjes së zotit Dodik dhe rrethit të tij të ngushtë, si edhe ndaj kompanive të lidhura me ta, disa prej të cilave më parë ishin akuzuar nga Departamenti i Thesarit si pjesë e “rrjetit të tij korruptiv të patronazhit”.

Departamenti i Thesarit nuk dha një shpjegim për heqjen e sanksioneve në njoftimin e tij, ndërsa një zëdhënës refuzoi të komentojë.

Departamenti i Shtetit sugjeroi në një deklaratë se heqja e sanksioneve ishte e lidhur me këto lëvizje, duke thënë se ato “do të mundësojnë një partneritet me Shtetet e Bashkuara, të bazuar në interesa të përbashkëta, potencial ekonomik dhe prosperitet të përbashkët.”

Në një postim në rrjetet sociale, zoti Dodik vlerësoi zotin Trump dhe bashkëpunëtorët e tij për korrigjimin e “një padrejtësie të kryer nga administratat Obama dhe Biden.”

Në javët e fundit, diplomatë të lartë të administratës Trump u takuan me aleatët e zotit Dodik, ndërsa Departamenti i Shtetit vlerësoi qeverinë e Srpska për emërimin e një presidenti të përkohshëm dhe tërheqjen nga masat që cenonin marrëveshjen e paqes.

Të paktën disa nga takimet dhe komunikimet me administratën Trump u lehtësuan nga lobistë dhe avokatë të lidhur me Trumpin, të cilët u paguan rreth 300 mijë dollarë në muaj ose më shumë nga qeveria e Srpska, sipas paraqitjeve në Departamentin e Drejtësisë.

Një nga lobistët, Marc Zell, nënshkroi një kontratë me qeverinë e Srpska në fund të vitit të kaluar, që parashikonte pagesën e firmës së tij prej 1 milion dollarësh për një vit, me një “tarifë suksesi” shtesë për “sjelljen e anulimit/ndërprerjes së të gjitha sanksioneve.”

Zoti Zell nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Gjithashtu, çështjen e zotit Dodik e morën në dorë disa figura të shquara në orbitën e Trumpit. Ata përfshinin Rudolph W. Giuliani, ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut që shërbeu si avokat personal i presidentit gjatë mandatit të tij të parë; Michael T. Flynn, gjeneralin në pension që shërbeu për një kohë të shkurtër si këshilltar i sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë të parë të Trumpit; Laura Loomer, e cila ka ndikim tek presidenti; dhe Rod Blagojevich, ish-guvernatorin e Illinois-it, i cili u fal nga zoti Trump në shkurt, përpara se të firmoste një kontratë me qeverinë e Srpska muajin pasues për një shumë të padeklaruar.

Ata e paraqitën zotin Dodik si viktimë të të njëjtit lloj ndjekjeje politike që zoti Trump, zoti Giuliani, zoti Flynn dhe zoti Blagojevich pretendojnë se kanë përjetuar, si dhe si një person të gatshëm të arrijë marrëveshje fitimprurëse me Uashingtonin.

Caroline Wren, një lobiste firma e së cilës Tactic Global firmosi një kontratë prej 100 mijë dollarësh në muaj me qeverinë e Srpska, tha se heqja e sanksioneve “jep një mesazh të qartë Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë më burokratë të pazgjedhur të synojnë liderë të krishterë.”

Zonja Wren, e cila është afër personave me ndikim në orbitën e Trumpit, organizoi dhe mori pjesë në një takim në gusht në Mal të Zi për zotin Dodik dhe një zëvendës të tij me Richard Grenell, të dërguarin e posaçëm të Trumpit.

Adnan Cerimagic, analist në Iniciativën Evropiane të Stabilitetit, një think tank me bazë në Berlin, tha se heqja e sanksioneve mund të përdoret nga zoti Dodik dhe aleatët e tij “për të forcuar pozicionin e tyre politik.”

Ai shtoi se nëse Uashingtoni nuk sqaron arsyetimin pas heqjes së sanksioneve, “ky do të jetë një sinjal për të tjerët në Bosnje dhe Hercegovinë dhe përtej saj, se angazhimi me administratën e re Trump përmes lobimit, parave dhe individëve të afërt me administratën mund të sjellë rezultate me lëshime minimale nga ana e tyre.”

 

Video

Një grabitje spektakolare ka tronditur Francën, ku një grup burrash të armatosur dhe të maskuar si oficerë policie sulmuan një punishte ari në Lyon. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 në punishten “Pourquery”, e specializuar në përpunimin e metaleve të çmuara. Dëshmitarët raportuan shpërthime dhe të shtëna, ndërsa grabitësit përdorën një shkallë për të hyrë në objekt. Policia franceze arrestoi pesë të dyshuar dhe rikuperoi mallrat e vjedhura. Grabitja ndodhi vetëm dy javë pas asaj në muzeun e Luvrit, duke rritur shqetësimin për valën e re të grabitjeve në vend.

Kur Ulsiu flet për hallet e drejtësisë në parlament…

Sot në Për’puthen

Ish kreu i PD-së Lulzim Basha është paraqitur në SPAK. Burimet bëjnë me dije se ai është paraqitur si person në dijeni për hetimet lidhur me dosjen e 21 Janarit, kohë në të cilën mbante postin e Ministrit të Brendshëm.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme