Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, duket se ka marrë një vendim të qartë për të ardhmen e tij, duke lënë mënjanë ofertat joshëse nga jashtë Evropës për të realizuar rikthimin te Fenerbahçe.
Sipas raportimeve të mediave turke, bomberi kosovar ka refuzuar ofertat nga NEOM SC dhe Orlando City, edhe pse të dy klubet kishin shfaqur interes konkret për transferimin e tij.
Raportet bëjnë me dije se interes për Muriqin kishte shfaqur edhe Barcelona, por dëshira e sulmuesit mbetet transferimi te gjiganti turk.
Po ashtu, thuhet se Muriqi ka zhvilluar një takim me Aziz Yildirimin dhe disa figura që pritet të kenë rol të rëndësishëm në strukturën e ardhshme sportive të Fenerbahçes. Ky takim konsiderohet si një tregues se bisedimet mes palëve po avancojnë seriozisht.
Muriqi vazhdon të mbetet një emër shumë i dashur për tifozët e Fenerbahçes falë paraqitjeve të tij të mëparshme me klubin nga Stambolli, ndaj një rikthim i tij do të pritej me entuziazëm të madh.
Mbetet për t’u parë nëse palët do të arrijnë marrëveshjen finale, por gjithçka tregon se sulmuesi kosovar është i vendosur të rikthehet në futbollin turk.






















