Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Irani ka pësuar humbje të ndjeshme në kapacitetin e tij ushtarak, duke vlerësuar se aktualisht Teherani disponon rreth 21–22% të arsenalit të tij raketor.
Sipas tij, sulmet amerikane kanë dëmtuar ndjeshëm infrastrukturën ushtarake iraniane, përfshirë objektet e prodhimit të dronëve dhe disa pika të lëshimit të raketave. Megjithatë, Trump theksoi se Irani vijon të ketë ende kapacitete operative.
“Ende kanë aftësi. Kanë disa raketa dhe dronë, por krahasuar me më parë është një përqindje shumë më e ulët,” u shpreh ai.
Në një tjetër zhvillim, mediat raportojnë se Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar një marrëveshje të mundshme me vlerë rreth 2 miliardë dollarë për furnizimin e Kuvajtit me sisteme kundër dronëve. Kjo lëvizje shihet si pjesë e forcimit të mbrojtjes së aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, në një periudhë tensionesh të shtuara në rajon.
I pyetur për refuzimin e mundshëm të Iranit ndaj një marrëveshjeje, Trump u shpreh se procesi është i vështirë për shkak të presioneve të brendshme politike dhe faktorëve të krenarisë kombëtare në Teheran.






















