Pas Ernest Muçit, Trabzonspor ka hedhur sytë edhe te një tjetër lojtar i kombëtares shqiptare, duke vijuar interesimin për futbollistët shqiptarë në tregun e transferimeve.
Bëhet fjalë për sulmuesin Myrto Uzuni, i cili është futur në listën e dëshirave të klubit turk për merkaton e verës. Skuadra nga Trabzoni ka rikthyer vëmendjen drejt kampionatit amerikan MLS, ku aktivizohet 30-vjeçari dhe vazhdon të ndiqet nga skautët e klubit.
Uzuni ka kontratë që skadon në fund të sezonit të ardhshëm, çka mund të lehtësojë një transferim të mundshëm. Gjatë këtij sezoni ai ka regjistruar 14 ndeshje, me 5 gola dhe 1 asist, statistika që kanë shtuar interesin e stafit teknik të klubit turk.
Klubi nga Turqia e ka ndjekur lojtarin edhe më herët dhe kishte tentuar ta afronte edhe në merkaton e dimrit, por marrëveshja nuk u finalizua. Tashmë pritet një tjetër tentativë gjatë verës.
Sipas vlerësimeve të brendshme të klubit, profili dhe eksperienca e Uzunit në futbollin europian përputhen me kërkesat e ligës elitare turke, ku ritmi dhe intensiteti janë të larta.
E ardhmja e sulmuesit shqiptar mbetet e hapur, ndërsa Trabzonspor mbetet i vendosur të mos heqë dorë nga tentativa për ta sjellë në Turqi.






















