Teknologji 6 Dhjetor 2025, 17:14 Nga VNA

BE: Gjobë prej 120 milionë eurosh për platformën X

Ndaje në Whatsapp
BE: Gjobë prej 120 milionë eurosh për platformën X

Komisioni Evropian e gjobiti shërbimin online të Elon Musk-ut me 120 milionë euro për mungesë transparence në reklama dhe llogaritë e përdoruesve. "Detyra jonë është që të sigurojmë që legjislacioni ynë digjital të zbatohet", theksoi Komisionerja e BE-së për Çështjet Digjitale, Henna Virkkunen, në Bruksel. Kjo është gjoba e parë e vendosur nga Komisioni sipas Ligjit të BE-së për Shërbimet Digjitale (DSA).

Autoritetet e Brukselit nisën hetimin kundër X në dhjetor 2023. Ndër të tjera Brukseli akuzon platformën X për përdorimin e shenjës së bardhë e blu për llogari përdoruesish me pagesë për të sugjeruar në mënyrë të rreme se këto llogari janë autentike dhe të verifikuara. Komisioni i BE-së gjithashtu kritikon faktin se nuk është gjithmonë e qartë se kush qëndron pas reklamave. Hetimi zbuloi gjithashtu se X nuk u dha studiuesve qasje në të dhënat publike në përputhje me rregulloret e DSA-së.

BE-ja po zhvillon hetime të mëtejshme kundër shërbimit online X të Musk-ut. Këto hetime përqendrohen ndër të tjera në mënyrën se si X lufton shpërndarjen e përmbajtjeve të paligjshme dhe manipulimin e informacionit.

Donald Trump kërcënon me tarifa të mëtejshme

Aktakuza kundër X mund të zemërojë Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, administrata e të cilit ka kritikuar vazhdimisht ligjet digjitale të BE-së. Trumpi ka kërcënuar se do të vendosë tarifa të reja për importet nga vendet, ligjet e të cilave, sipas tij, synojnë të "dëmtojnë" teknologjinë amerikane. Pavarësisht këtyre kërcënimeve, BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se synon të zbatojë rregullat e saj.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, e akuzoi në një postim në platformën X BE-në, se po sulmon "kompanitë amerikane për gjëra të pakuptimta". Ai tha se BE-ja duhet të mbrojë lirinë e fjalës dhe jo të sulmojë kompanitë amerikane për gjëra pa vlerë.

Reagimi nga Gjermania

Ministri gjerman i Çështjeve Digjitale, Karsten Wildberger (CDU), e përshëndeti vendimin e Komisionit. Legjislacioni digjital evropian vlen "për të gjithë, pavarësisht nga vijnë", tha ai. Ai bazohet "në vlerat evropiane dhe këto, sigurisht, duhet të zbatohen dhe mbrohen".

Në të njëjtën kohë politikani i CDU-së tha se e konsideron gjobën e vendosur ndaj X si shumë të lartë.

Wildberger kërkoi gjithashtu një përqendrim më të madh në zhvillimin e zgjidhjeve digjitale në Evropë. Sovranitet digjitalnuk do të thotë vetëm rregullim, por edhe "të jesh në gjendje të mbash ritmin në fushën e teknologjisë", argumentoi ministri, duke iu referuar industrisë evropiane të teknologjisë./DW

 

 

Video

Ku je futur o Joridaa.

Biznesmeni Klodian Allajbeu doli nga ambientet e SPAK pas rreth tre orësh qëndrimi. Ai u shoqërua nga avokati i tij dhe u largua pa bërë asnjë deklaratë për gazetarët që e prisnin jashtë prokurorisë.

Dritan Leli, ish-kryetar i Bashkisë së Vlorës u pyet për më shumë se një orë në SPAK. Në dalje tha se "nuk ka asgjë për t'u shqetësuar".

Biznesmeni Klodian Allajbeu, pronar i Spitalit Amerikan, u paraqit në SPAK në praninë e një avokati, ndërsa është nën hetim për koncesionet në shëndetësi. SPAK dyshon se ai kontrollon përmes bashkëpunëtorëve të tij koncesionet dhe ka përfituar nga procedurat tenderuese.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme