Sport 7 Shtator 2025, 18:30 Nga VNA

Nga yll europian në depresion, Çoriç: Ndihesha si Yamal, por Roma më shkatërroi

Ndaje në Whatsapp
Nga yll europian në depresion, Çoriç: Ndihesha si Yamal, por

Pas rilindjes me Hamrun Spartans, Ante Çoriç kthehet pas në kohë për të rrëfyer vitet e errëta në Romë, ku mbërriti si një talent i madh, por u largua në heshtje dhe me plagë të thella. Në një intervistë për “Gazzetta dello sport”, ai flet për mungesën e shanseve, përjashtimin nga skuadra, dhe për përplasjet me ish-drejtorin sportiv, Tiago Pinto.

Ante, si ndodhi kalimi yt te Roma?

“Zgjodha Romën pasi fola personalisht me Monchin në Zagreb. Klubi pagoi 7 milionë euro për Dinamon dhe firmosa një kontratë pesëvjeçare. Isha shumë i lumtur. Vetëm tre vite më parë, Dinamo kishte refuzuar një ofertë prej 17 milionë eurosh nga Liverpooli, sepse kërkonin 50 milion. Isha vetëm 18 vjeç dhe erdha në “Olimpico” me një dëshirë të çmendur për të treguar kush isha. Por gjithçka shkoi keq”, tha Çoriç.

Luajtët vetëm 51 minuta në total me Romën. Pse ndodhi kjo?

“Edhe unë ia bëj këtë pyetje vetes. Nëse do të kisha luajtur dhjetë ndeshje dhe do të më thoshin: “Ante, nuk je për këtë nivel”, atëherë do ta pranoja. Por nuk pata kurrë një shans të vërtetë. U stërvita mirë, isha pa dëmtime. Di Francesco më fliste mirë në fillim, por pastaj më la jashtë vazhdimisht. Shkova dhe e pyeta: “A është se nuk mbroj mjaftueshëm?” Ai vetëm përsëriste: “Je një lojtar i mirë.” Por nuk ndryshonte asgjë. Edhe pse e pranoj që ndoshta nuk jepja gjithmonë maksimumin në stërvitje, mendoj se e meritoja një mundësi reale”, u shpreh mesfushori kroat.

E përmende “depresionin”. Ishte vërtetë kaq e rëndë situata?

“Po, mund ta quash depresion. Ishte një periudhë e tmerrshme. Më përjashtuan nga skuadra pa më folur kurrë Mourinho dhe vetëm pas një takimi të vetëm me Tiago Pinton. Stërvitesha vetëm, hyja nga një hyrje anësore, në një fushë ku para meje vraponin fëmijë nën 10 vjeç. Ishte një ndjenjë tmerrësisht e vetmuar. Në një moment mendova edhe të largohesha nga futbolli, sidomos pas dëmtimit të fundit në gju në Kroaci”, tha ish-lojtari i Romës.

Pse jeni kaq i mllefosur ndaj Tiago Pintos?

“Fola me të vetëm një herë, në vitin 2022. Sapo kisha fituar titullin me Zurichun dhe u ktheva në Romë me entuziazëm. Isha gati për të filluar një etapë të re. Një ekip francez më donte dhe i kërkova që të gjente një zgjidhje. Ai tha se do të më shiste, por kërkonte shumë para. Që nga ajo ditë nuk fola më me të. I shkruajta për një vit, por gjithmonë kishte një justifikim. Nuk më linte të largohesha. Nuk e kuptoj ende pse. Nuk është e vërtetë që qëndrova për para. Isha i gatshëm të pranoja edhe një ulje page vetëm për të luajtur”, u shpreh lojtari i kombëtares kroate.

Si ndihesh sot, duke parë pas në kohë?

“Është e dhimbshme, por edhe pjesë e jetës. Kam vuajtur shumë si i ri që jam. Në moshën 12-vjeçare stërvitesha me Chelsean, por nuk pranova të shkoja vetëm në Londër. Në moshën 16-vjeçare dola i pari në testet me Bayern-in, por ishte shumë herët. Më pas Dinamo më mori, ku ndihesha si një nga më të mirët në botë. Arsenali, Liverpooli, Napoli i Sarrit më kërkonin. Në atë kohë ndihesha si Yamal sot, me bindjen se mund të bëja gjithçka”, tha Çoriç.

Ende beson se mund të arrish majat?

“Po, unë besoj. Jam vetëm 28 vjeç. Në kokën time, ende e shoh veten duke luajtur për Barcelonën. Gjithçka është e mundur”, përfundoi ai.

Video

Si një orangutan bashkoi një pyll të ndarë ?? Kur një rrugë ndau pyllin në Sumatra, orangutanët mbetën të izoluar në dy grupe, duke rrezikuar seriozisht të ardhmen e tyre. Për t’i lidhur sërish, Sumatran Orangutan Society dhe Tangguh Hutan Khatulistiwa ndërtuan një urë mes pemëve. Por për dy vite askush nuk e përdori… derisa një orangutan i vetëm guxoi të kalojë. Ky hap i vogël mund të bëjë një ndryshim të madh për mbijetesën e gjithë komunitetit, siç thekson edhe Helen Buckland.

Pas alarmit për një bombë në qendrën tregtare “Toptani” në Tiranë, ka reaguar Policia e kryeqytetit. Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe strukturat e Antiterrorit, të cilat kanë kryer kontroll të plotë të ambienteve. Pas verifikimeve, autoritetet bëjnë me dije se nuk është konstatuar asnjë send i dyshimtë apo i paligjshëm, duke qetësuar kështu situatën për qytetarët dhe vizitorët e qendrës tregtare.

Banorët e Rrjollit kanë dalë në protestë kundër ndërtimit të një resorti turistik të lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj, duke kundërshtuar atë që e cilësojnë si zaptim të tokave të tyre. Disa prej tyre kanë tentuar të depërtojnë në zonën e kantierit përmes rrugëve alternative, por janë ndaluar nga forcat e rendit. Të revoltuar, banorët akuzojnë policinë se po mbron interesat e ndërtuesve dhe jo të qytetarëve. Në protestë ka pasur prezencë të shtuar të policisë, ndërsa tensionet kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës. Banorët kanë vijuar me thirrjet dhe akuzat ndaj autoriteteve, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga toka e tyre. “Ne nuk ikim nga toka jonë”, u shprehën protestuesit, teksa i bënë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’u bashkohen në mbështetje të kauzës së tyre.

Tensione dhe përplasje janë shënuar pak minuta para nisjes së përballjes së kryeqytetit Tirana-Partizani. Ndeshja e sotme zhvillohet në Air Albania.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme