Sociale 5 December 2025, 18:47 Nga VNA

Vrasja e 14-vjeçarit në Maliq, babai i viktimës reagon pas lirimit të dy bashkëpunëtorëve: “Jemi të shkatërruar, ngushëllimin e kishim te drejtësia”

Ndaje në Whatsapp
Vrasja e 14-vjeçarit në Maliq, babai i viktimës reagon pas

Disa muaj pas ngjarjes së 15 gushtit të këtij viti, ku mbeti i vrarë 14-vjeçari Erald Xhejo nga bashkëmoshatari i tij, Enedio Guri, Gjykata e Apelit Tiranë ka nxjerrë nga qelia babanë dhe xhaxhanë e autorit, Edison Guri dhe Roland Guri, të akuzuar për fshehje të krimit.

Gjykatësja e Gjykatës së Apelit, Lutfije Celami, ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për të dy shtetasit. Ndërkohë, familjarët e viktimës e kanë cilësuar këtë vendim si një padrejtësi dhe kërkojnë që të rikthehen në qeli.

Edison Xhejo, babai i viktimës, u shpreh se familja është e shkatërruar dhe se të vetmin ngushëllim e kishin tek drejtësia:

"Kur ishte bërë gjyqi, një nga personat e arrestuar ka qenë Florian Çela, i cili ka qenë me autorin në makinë dhe nuk e parandaloi ngjarjen, që ishte i pari, kryesori ka qenë ky. Kur ishte bërë gjyqi, gjykata e ka lënë me arrest shtëpie. Nuk kemi dashur të japim intervista se sa herë flasim nuk durojmë dot. Para pak ditësh mësuam që kishte dalë edhe xhaxhai edhe i ati, i ka nxjerrë apeli. Ne kërkojmë drejtësi, deri dje kishim besim tek drejtësia por nuk e di se çfarë mund të bëhet. Nuk e di argumentin, nuk ka dalë vendimi akoma, thjesht një gjyqtare nga Tirana i ka nxjerrë. Avokati tha që për 5 ditë del vendimi, ndërkohë kanë kaluar 10 ditë dhe akoma. As ne nuk e dimë pse i ka liruar. Prokuroria kërkoi në fillim burg për të tre këta persona, kur tani marrim vesh që ishin liruar, kishin bërë kërkesë në gjykatën e apelit në Tiranë. Si mund ta ndjekim këtë çështje?! Vetëm me ligj, me drejtësi, nëse ka drejtësi. Ju bëjmë apel institucioneve, ne sa të kemi jetë me këtë çështje do merremi. Ne kemi besim tek drejtësia por edhe shumë jo. Duam të merren institucionet sepse po ndodhin shumë gjëra, si rasti i djalit tonë, po ndodhin shumë, ndodhi edhe ajo në Durrës, kanë ndodhur edhe të tjera.”

Babai i viktimës shtoi se djali kishte dalë me shokët dhe po shkonte për t’u qethur në Pirg, kur rrugës ishin ndeshur me autorin. “Me ç’më thanë shokët e djalit, i kishin fishkëllyer dhe aty ishin përleshur. Nuk besoj të ishte sherr i paralajmëruar, nuk kishin çfarë ndanin, ishin fëmijë. Jo, asnjë njeri nuk ka ardhur (nga familja e autorit), s’janë munduar. Edhe sikur të kenë dashur, çfarë do kërkojnë?”

Ai shprehu tronditjen e thellë jo vetëm për humbjen e djalit, por edhe për vendimin e gjykatës:

“Jemi shumë të shkatërruar. Të vetmin ngushëllim e kishim tek drejtësia, por siç po ndodhin gjërat… nuk dimë më se ku të kemi besim dhe çfarë mund të bëhet! I ati me xhaxhain (e autorit) që fshehën armën e krimit, kishin marrë thikën, e kishin larë, nuk e di si i lirojnë këta njerëz të tillë! Ç’janë këta gjyqtarë? Nuk e di. Ne duam vetëm drejtësi, që mos t’i ndodhë askujt kjo që na ndodhi ne. Krahas ngjarjes, më shumë i ka tronditur edhe fakti që u liruan këta të dy. Nuk e beson askush, gjithë rrethi ynë shoqëror thonë ‘si ka mundësi?’”

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme