Sociale 31 Dhjetor 2025, 07:40 Nga VNA

Urimi që në vitin 2026 të shohim pak dritë në fund të tunelit!

Ndaje në Whatsapp
Urimi që në vitin 2026 të shohim pak dritë në fund

Historia tregon se kur dobësohen mekanizmat e besimit dhe mungon një alternativë serioze politike e institucionale, hapësira mbushet me pasiguri dhe kaos…

EDITORIAL / 2025-a po mbyllet si një vit i mbushur me zhvillime të shumta, shpesh kontradiktore, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.

Shqipëria arriti të mbajë ritme rritjeje ekonomike rreth 3.5%, një shifër që në pamje të parë jep ndjesinë e stabilitetit. Por, si edhe në vitin 2024, struktura e kësaj rritjeje ngre më shumë pikëpyetje sesa siguri për të ardhmen.

Një pjesë e konsiderueshme e ecurisë ekonomike u mbështet sërish nga administrata publike, përmes rritjes së pagave, taksave dhe subvencioneve, duke e bërë qeverinë një nga motorët kryesorë të ekonomisë.

Në të njëjtën kohë, dy sektorët që kishin udhëhequr rritjen në vitet e fundit, ndërtimi dhe tregtia e akomodim-ushqimit, e nxitur nga turizmi, shfaqën shenja të qarta ngadalësimi, duke sinjalizuar se modeli aktual i rritjes po i afrohet kufijve të tij.

Në planin politik, 2025-a ishte gjithashtu një vit i ngarkuar. Zhvillimet elektorale, të shoqëruara me debate dhe kontestime, nuk krijuan domosdoshmërisht klimën e qetësisë dhe parashikueshmërisë që kërkojnë ekonomia dhe biznesi.

Pa hyrë në analiza partiake, mbetet fakti se stabiliteti politik është një element kyç për besimin e investitorëve dhe për vendimmarrjen afatgjatë, dhe çdo paqartësi në këtë drejtim reflektohet drejtpërdrejt në klimën ekonomike.

Paralelisht, viti u shënua nga një intensifikim i dukshëm i veprimtarisë së organeve të drejtësisë. Reforma në drejtësi, e cila për vite me radhë ka qenë më shumë një koncept sesa një realitet i prekshëm për qytetarët dhe bizneset, nisi më në fund të prodhojë rezultate konkrete.

Megjithatë, këto zhvillime nxorën në pah edhe një realitet shqetësues: përmasat e problemeve të akumuluara në qeverisje, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, rezultuan më të thella nga sa perceptohej më parë.

Rastet e bëra publike për favorizime në tendera, keqmenaxhim apo abuzim me fondet publike dhe mungesë transparence dëmtuan rëndë besimin qytetar dhe përforcuan ndjesinë se standardet e qeverisjes kanë pësuar erozion serioz.

Ky kontrast shpjegon edhe një paradoks që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm: pavarësisht rritjes së pagave dhe përmirësimeve të pjesshme në standardin e jetesës, emigracioni nuk po njeh ndalim.

Përkundrazi, gjithnjë e më shumë shqiptarë, veçanërisht të rinj dhe profesionistë, e shohin largimin nga vendi si opsionin kryesor për të ardhmen e tyre. Ky është një sinjal i fortë se besimi tek institucionet, te perspektiva afatgjatë dhe te barazia e mundësive mbetet i brishtë.

Në një situatë të tillë, rreziku më i madh nuk është thjesht stanjacioni ekonomik, por destabilizimi. Historia tregon se kur dobësohen mekanizmat e besimit dhe mungon një alternativë serioze politike e institucionale, hapësira mbushet me pasiguri dhe kaos.

Për një vend si Shqipëria, që vitet e fundit ka ndërtuar një pjesë të konsiderueshme të rritjes së tij mbi turizmin dhe imazhin e stabilitetit, çdo lëkundje e fortë politike apo institucionale do të kishte pasoja të ndjeshme dhe afatgjata, të cilat kërkojnë kohë për t’u rikuperuar.

Këto problematika nuk janë vetëm çështje debati publik; ato kanë ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik. Ato frenojnë investimet serioze, shtrembërojnë konkurrencën, dobësojnë besimin e bizneseve dhe qytetarëve dhe krijojnë një mjedis ku vendimmarrja afatgjatë bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Në këtë kontekst, rritja ekonomike e mbështetur kryesisht në shpenzime publike dhe sektorë ciklikë, nuk mjafton për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm.

Një tjetër fenomen që u bë gjithnjë e më i dukshëm gjatë vitit është paralizimi gradual i administratës qendrore, si në planin fizik, ashtu edhe në atë virtual.

Qytetarët dhe bizneset po përballen gjithnjë e më shpesh me një administratë që nuk përgjigjet, nuk komunikon dhe nuk ofron zgjidhje sipas logjikës së ligjit.

Portale digjitale që premtojnë lehtësi kanë zëvendësuar sportelet, por jo domosdoshmërisht shërbimin, ndërsa ndërprerjet e shpeshta të sistemeve kanë kthyer procese të thjeshta në pengesa reale për aktivitetin ekonomik.

Në fundvit, zakonisht flitet për shpresë dhe pritshmëri pozitive. Thuhet se shpresa vdes e fundit. Por pas gjithë këtyre zhvillimeve, ndjesia është se ajo po vihet në provë si rrallëherë më parë.

Ndoshta, më shumë se premtime të mëdha, 2026-a ka nevojë për një gjë themelore: vullnet real për të ndalur përkeqësimin dhe për të rikthyer besimin.

Që, në fund të tunelit, të mund të shohim, të paktën, një fije dritë./Marrë nga Monitor

Video

Itali/ Gjashtë të plagosur, mes tyre edhe një vajzë e vogël, dhe njëqind persona të bllokuar. Ky është bilanci dramatik i aksidentit që ndodhi në impiantin e teleferikut të Macugnaga-s, në zonën Verbano-Cusio-Ossola në Piemonte. Ngjarja ndodhi në stacionin e sipërm të Monte Moro-s, në rreth 2.800 metra lartësi, pasi kabina dyshohet se ka mbërritur me shpejtësi të tepërt në stacionin e mbërritjes. https://www.vna.al/bota/itali-aksident-ne-teleferikun-e-monte-moro-ne-macugnaga-tre-te-plagosur-dhe-i18416

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ku një person është gjetur i djegur plotësisht në një ambient të përshtatur si banesë, në katin e parë të këtij pallati. Rrethanat e kësaj ngjarjeje mbeten ende të paqarta. Sipas informacioneve paraprake, ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse është bërë pasi banorët e pallatit kanë sinjalizuar praninë e erës së djegies dhe tymit. Zjarrfikësit kanë hapur me forcë qepenin e ambientit, ku kanë gjetur një person te moshuar mashkull pa shenja jete.

Rama e ngre per vajzat dhe gratë e PS...

Aksident në afërsi të zonës së leshpunueses në Korçë. Mësohet se një mjet është përplasur me një motor. Drejtuesi i motorit është dërguar në spital ku po merr ndihmë mjekësore dhe raportohet se është jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ndodhet policia që po bën zbardhjen e rrethanave.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme