Sociale 7 Tetor 2025, 15:02 Nga VNA

Ujëra të trazuara: Vjosa, lumi i egër i Shqipërisë, “i mbrojtur vetëm në letër”

Ndaje në Whatsapp

Ujëra të trazuara: Vjosa, lumi i egër i Shqipërisë,

Vetëm disa metra pas një kantieri të madh ndërtimi në Tepelenë, një nga qytetet në jug të Shqipërisë përmes të cilit rrjedh lumi Vjosë, ngrihet një mal mbeturinash. Prej kohësh, kjo zonë është përdorur si vendgrumbullim plehrash.

Në vitin 2023, qeveria shqiptare shpalli Vjosën – një nga lumenjtë e fundit vërtet të egër në Evropë – park kombëtar, të vetmin park kombëtar lumi të egër në Evropë.

Pranë vendgrumbullimit, po ndërtohet një qendër e re “multifunksionale” për vizitorët, një projekt i miratuar nga kryeministri Edi Rama.

“Qendra multifunksionale do të shërbejë si zemra e projektit, duke ofruar … ekspozita edukative dhe hapësira për angazhimin e komunitetit. Dizajni i saj do t’i japë përparësi aksesit dhe qëndrueshmërisë, duke e shndërruar një hapësirë të degraduar në një komunitet kulturor të gjallë”, thuhet në planin e projektit, në mënyrë optimiste.

Ndërkohë, bashkia lokale ende e përdor zonën përreth si vendgrumbullim plehrash, pavarësisht statusit të veçantë të lumit, që supozohet të garantojë mbrojtjen e tij.

“Vendgrumbullimi i plehrave është me të vërtetë një pamje tronditëse, sepse është thjesht një vend i pa menaxhuar. Mbeturinat janë shpërndarë kudo, era i çon mbeturinat dhe plastikën në lumë”, tha për BIRN Leonard Sonten, ekspert i biologjisë detare nga organizata gjermane EuroNatur. “Ka kimikate që rrjedhin në lumë dhe kafshë që konsumojnë mbeturinat”, theksoi ai.

Sonten e konsideron të papranueshme ndotjen e vazhdueshme të një lumi që është shpallur park kombëtar dhe përdorimin e zonës si vendgrumbullim plehrash.

“Ata po ndërtojnë qendrën e re për vizitorët pikërisht pranë vendgrumbullimit të mbeturinave, gjë që mund të jetë një gjë e mirë në fund të fundit sepse nuk mund të tolerohet më – sepse është kaq e dukshme për vizitorët e parkut kombëtar – por shpresoj që të bëjnë diçka më shpejt për këtë, sepse kjo është e papranueshme për një park kombëtar”, shtoi ai.

Mbeturinat derdhen në lumë

Ujëra të trazuara: Vjosa, lumi i egër i Shqipërisë,

Lumi Vjosa rrjedh për rreth 272 kilometra nëpër Shqipëri dhe 80 kilometrat e tjerë rrjedhin nëpër Greqi.

Shqipëria shpalli pjesën e saj park kombëtar në mars të vitit 2023, pas më shumë se 10 vitesh fushate nga aktivistë dhe shkencëtarë vendas dhe mjedisorë.

Por, dy vjet e gjysmë pas këtij vendimi, nuk po bëhen përpjekje serioze për ta mbajtur atë të pastër dhe për ta mbrojtur nga ndërhyrja industriale dhe njerëzore.

Olsi Nika, një nga aktivistët që ka advokuar mbrojtjen e Vjosës për vite me radhë dhe i cili në maj fitoi çmimin Goldman, një çmim prestigjioz në botën mjedisore, i tha BIRN se “shpallja e Vjosës park kombëtar nuk ishte kapitulli i fundit i historisë”.

“Dy vjet e gjysmë pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, kjo po promovohet si një arritje shumë e madhe. Por ne kemi identifikuar një sërë problemesh të tjera, siç është nxjerrja e materialeve inerte dhe ujit, mbetjet e ngurta urbane dhe plastika”, tha Nika për BIRN.

Ai shtoi se nëse qeveria nuk ndërmerr asnjë veprim për të mbrojtur Vjosën, lumi i egër rrezikon të bëhet një “park vetëm në letër”.

“Nevojitet kontributi i të gjithëve që të menaxhohet në mënyrë efektive dhe të bëhet një model suksesi i ruajtjes së natyrës”, shtoi Nika.

Plani i qeverisë për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Vjosës 2024-2033 njeh disa kërcënime për lumin dhe biodiversitetin e tij nga ndotja.

“Lumi Vjosë dhe degët e tij përdoren për asgjësimin e disa mbetjeve të pafiltruara. Ujërat e zeza të pafiltruara nga fshatrat, vendbanimet dhe ndërtesat individuale derdhen në lumë”, vëren ai.

“Përveç kësaj, disa zona industriale përgjatë lumit shkarkojnë ujërat e tyre të zeza, si edhe nënprodukte të procesit të prodhimit në lumë (p.sh. prodhimi i bitumit, industria e naftës)”, shton ai.

“Presion i vazhdueshëm nga industritë nxjerrëse”

 

Ujëra të trazuara: Vjosa, lumi i egër i Shqipërisë,

Lumi Vjosë është një habitat jetik për mbi 1,100 specie, përfshirë 13 specie të rrezikuara globalisht.

Por këtë verë, ai u ndikua ndjeshëm nga një derdhje nafte në lumë, e cila dëmtoi biodiversitetin e tij.

BIRN dëshmoi këtë ndotje, me naftë që ishte qartë e pranishme në ujë dhe në zonën përreth.

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp në korrik, organizata mjedisore vendase EcoAlbania dhe partnerët e saj ndërkombëtarë EuroNatur dhe Riverwatch ngritën alarmin se lumi ishte nën kërcënim.

“Lumi Vjosë po përballet me presion të vazhdueshëm nga industritë nxjerrëse, zgjerimi i infrastrukturës dhe zhvillimi i pakontrolluar, duke vënë në rrezik integritetin ekologjik të parkut dhe vlerën e tij globale për ruajtjen e natyrës”, shkruanin grupet në deklaratë.

Sipas organizatave EuroNatur dhe EcoAlbania, ekzistojnë pesë kërcënime kryesore për ujin dhe biodiversitetin e Vjosës: nxjerrja e naftës, e cila ndikon jo vetëm në ujë por edhe në biodiversitetin përreth; nxjerrja dhe përpunimi i bitumit, që shkarkon materiale të gërmuara në lumë, shpesh me përmbajtje metalesh të rënda; marrja e ujit, që përfshin devijimin e tij për ujitje dhe furnizim urban; dhe përdorimi industrial.

“Për një lumë me rrjedhje të lirë, marrja e ujit është kërcënimi më i madh, veçanërisht për një park kombëtar lumi të egër. Kjo është patjetër e papranueshme për një lumë të tillë”, tha Nika.

Kërcënime të tjera përfshijnë nxjerrjen e zhavorrit dhe mbetjet urbane, si dhe ujërat e zeza nga zonat urbane dhe rurale që derdhen në lumë pa trajtim.

Kur Vjosa u shpall park kombëtar, tre degët e saj – Shushica, Drino dhe Bënça – u përfshinë në zonën e mbrojtur.

Por Shushica, një nga degët kryesore, rreth 76 kilometra e gjatë, përballet aktualisht me një kërcënim tjetër: devijimin e ujit nga burimi i saj drejt Bashkisë së Himarës, një projekt i kompanisë austriake Strabag, e cila planifikon ta çojë këtë ujë në resortet bregdetare.

Besjana Guri, drejtuese e organizatës vendase mjedisore “Lumi”, e përkushtuar ndaj lumenjve, mjedisit dhe integritetit të tyre, thotë se “marrja e ujit nga burimi i Shushicës … nuk ndikon vetëm në burimin e saj, por në të gjithë rrjedhën e lumit”.

“Është një nga burimet kryesore të lumit dhe, duke pasur parasysh që lumi gjatë verës u tha pothuajse plotësisht në pjesën e poshtme, imagjinoni çfarë do të ndodhë pasi të merret edhe ky ujë shtesë”, tha ajo për BIRN.

“Do të kemi gjithashtu një thatësirë serioze në pjesën e mesme të lumit dhe një ulje të prurjeve pranë burimit të tij”, shtoi ajo.

Ajo druhet se si degëzimi i Shushicës ashtu edhe i gjithë lumi Vjosë mund të pësojnë pasoja.

“I gjithë integriteti i lumit do të preket nga ky projekt, sepse kemi të bëjmë me një reduktim të sasisë së ujit; kjo do të ndikojë në speciet që jetojnë aty – nëse uji nuk është i mjaftueshëm, ato nuk do të kenë më një habitat ku të mbijetojnë”, paralajmëroi ajo./BIRN/

 

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme