Sociale 19 February 2026, 18:36 Nga VNA

Tirana ndër qytetet më të papërballueshme në Evropë për blerjen e një shtëpie, renditet e dyta pas Lisbonës

Ndaje në Whatsapp
Tirana ndër qytetet më të papërballueshme në

Tirana është renditur si qyteti i dytë më i papërballueshëm në Europë për blerjen e një prone, sipas raportit më të fundit të platformës ndërkombëtare Numbeo, që mat raportin mes çmimeve të pronave dhe të ardhurave. Me një raport 17.9, kryeqyteti shqiptar renditet menjëherë pas Lisbonës, e cila mban vendin e parë me 19.4, dhe përpara qyteteve si Spliti me 17.8, Milano me 17.8 dhe Beogradi me 17.0.

Ky tregues mat sa herë më i lartë është çmimi i një banese krahasuar me të ardhurat vjetore të një familjeje, dhe sa më i lartë të jetë raporti, aq më e vështirë bëhet blerja e një shtëpie për banorët vendas. Pozicionimi i Tiranës në vendin e dytë tregon një nivel shumë të ulët përballueshmërie, madje më problematik se në shumë qytete të vendeve më të pasura europiane.

Në Itali, për shembull, Milano ka një raport prej 17.8, ndërsa Roma është ndjeshëm më poshtë me 14.6. Në Spanjë, Madridi rezulton me 12.4, Barcelona me 11.8, ndërsa Malaga me 11.4. Edhe Athina dhe Selaniku kanë një raport prej 14.0, duke mbetur nën nivelin e Tiranës. Në rajon, edhe pse tregjet imobiliare kanë pësuar rritje të fortë, Tirana mbetet ndër më pak të përballueshmet, me Beogradin në 17.0, Ljubljanën në 14.8, Shkupin në 13.4 dhe Zagrebin në 11.4.

Kjo renditje reflekton një zhvillim të shpejtë të çmimeve të pronave në kryeqytetin shqiptar gjatë viteve të fundit, ndërkohë që të ardhurat kanë mbetur shumë më të ulëta se në vendet e Bashkimit Evropian. Në shumë zona të Tiranës, veçanërisht në qendër dhe në projektet e reja, çmimet e apartamenteve kanë arritur në 2000 deri në 3000 euro për metër katror, ndërsa paga mesatare neto në vend llogaritet rreth 600 deri në 750 euro në muaj.

Kjo diferencë e madhe mes çmimeve dhe të ardhurave ka bërë që blerja e një banese të bëhet gjithnjë e më e vështirë për familjet shqiptare, duke kërkuar angazhime financiare afatgjata dhe shpesh kredi të konsiderueshme. Në të njëjtën kohë, tregu është ndikuar edhe nga kërkesa për investim, përfshirë blerjet nga emigrantët dhe investitorët, si dhe nga zhvillimi i projekteve të reja rezidenciale me çmime më të larta.

Renditja e Numbeo nxjerr në pah kontrastin mes nivelit të të ardhurave në Shqipëri dhe çmimeve të pronave, duke e vendosur Tiranën në të njëjtin nivel për sa i përket përballueshmërisë me disa nga tregjet më të shtrenjta të Europës. Ky zhvillim konfirmon se, ndonëse Shqipëria mbetet një nga vendet me paga më të ulëta në kontinent, çmimet e banesave, veçanërisht në kryeqytet, janë rritur me ritme shumë më të shpejta, duke e bërë pronësinë e një shtëpie gjithnjë e më pak të arritshme për një pjesë të madhe të popullsisë./ekofin.al

 

 

 

 

 

 

Video

Momente tensioni janë regjistruar sot në Vlorë, gjatë protestës kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik Shqiptar. Protestuesit kanë tentuar të hyjnë në kantierin ku po zhvillohen punimet, por janë ndaluar nga forcat e policisë. Situata ka sjellë përplasje dhe tension mes efektivëve dhe qytetarëve të mbledhur në protestë.

Vila e Ballukut në Palasë “përtej lejes së ndërtimit”, emaili që zbulon ndryshimet në projektin luksoz të sekuestruar nga SPAK.

Momente paniku janë regjistruar gjatë një fluturimi të Turkish Airlines, pasi avioni është përballur me turbulenca të forta. Lëkundjet e njëpasnjëshme dhe të dhunshme kanë shkaktuar frikë mes pasagjerëve, ndërsa disa prej tyre nuk kanë mundur ta fshehin panikun gjatë momenteve të tensionit. Pamjet nga brenda kabinës tregojnë situatën e krijuar teksa avioni kalonte në zonën e turbulencave. Turbulencat janë një fenomen i zakonshëm gjatë fluturimeve, por kur janë të forta mund të shkaktojnë lëkundje të menjëhershme dhe situata frike mes udhëtarëve.

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme