Sociale 27 Tetor 2025, 07:39 Nga VNA

Tarifa e re për pasagjerët! Kompanitë do paguajnë mbi 25 mln euro në vit për sistemin e Policisë

Ndaje në Whatsapp
Tarifa e re për pasagjerët! Kompanitë do paguajnë mbi 25 mln

Një vendim i fundit i qeverisë i ngarkon kompanitë e transport ajror, tokësor dhe detar ndërkombëtar të pasagjerëve, me një tarifë prej 200 lekë për pasagjer për transmetimin e të dhënave të biletës në sistemin e Sektorit të Inteligjencës së Udhëtarëve (SIU), që do të menaxhohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Duke marrë në konsideratë që, sipas INSTAT në vitin 2024 kanë hyrë dhe kanë dalë nga ajri dhe nga deti 12,3 mln pasagjerë vendas dhe të huaj, llogaritet që vetëm kompanitë ajrore dhe detare të pasagjerëve do të nisin t’i paguajnë shtetit shqiptar rreth 25 mln euro në vit apo gati 2.1 mln euro në muaj tarifë për transmetimin e të dhënave për pasagjerët.

Këtu nuk llogariten hyrjet e daljet në sistemin tokësor përmes linjave të transportit ndërkombëtare të udhëtarëve. Mbetet në dorë të kompanive, nëse këtë kosto shtesë prej 200 lekësh për pasagjer do e transferojnë në çmimin e biletave, apo do e mbajnë vetë.

Detyrimi për transmetimin e të dhënave përcaktohet në ligjin “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë” i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 26 Qershor 2025. Ligji është përafruar me direktivën 2004/82 KE të Këshillit të Evropian të datës 29 prill 2004, “Për detyrimin e transmetimit të të dhënave të pasagjerit.

Sipas ligjit të miratuar të gjitha subjektet e licencuara për transport pasagjerësh në tokë, ajër dhe det do të çojnë të detajuar informacionet e pasagjerëve nga rezervimet e biletave në një sistem të unifikuar që quhet Sektori i Inteligjencës së Udhëtarëve (SIU). Sistemi do të menaxhohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Ligji përcakton në mënyrë të detajuar se çdo transportues, që nënkupton operatorët e lincesuar për 3 llojet e transportit të udhëtarëve, përfshirë ata ajror, ujor dhe tokësor në SIU do të transmetojnë të paktën 3 herë në ditë të dhënat e udhëtimit të pasagjerëve.

Të dhënat e pasagjerit do të përmbajnë emër- mbiemër, datë rezervimi dhe lëshimi të biletës, adresë elektronike dhe numër telefoni, informacione për bagazhin, mënyrën si është bërë pagesa për biletën, statusin e check in-it, mosparaqitjen për check in-in ku është biletë pa rezervim etj.

Të gjitha këto të dhëna nga kompanitë ajrore, detare dhe ato të transportit rrugor të udhëtarëve do të dërgohen drejt Sektorit të Inteligjencës së Udhëtimeve 24 deri 48 orë para nisjes së udhëtimit. Më pas do të dërgohen të dhënat e pasagjerëve 60 dhe 180 minuta para nisjes së mjetit ajror, ndërsa mjetet ujore dhe rrugore do t’i nisin vetëm 60 minuta para nisjes.

Së treti të dhënat e pasagjerëve do të transmetohen pasi kanë përfunduar procedurat e imbarkimit dhe nuk mund të ndryshojnë dokumentet e udhëtimit të pasagjerëve.

Ligji përcakton se transportuesi ose operatori ekonomik i tij, që dërgon të dhënat në sistemet e përpunimit të të dhënave të SIU-t, paguan një tarifë për këtë qëllim, që përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Këshilli i Ministrave me vendimin e miratuar në mbledhjen e fundit, që tashmë ka hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, ka përcaktuar se kjo tarifë do të jetë 200 lekë për pasagjer. Pra do të jenë kompanitë private që do të paguajnë tarifë 200 lekë për çdo pasagjer që kanë transportuar në hyrje dhe dalje të Shqipërisë në muajin paraardhës.

Tarifa për transmetimin e informacionit të udhëtimit, për një vit nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, është në vlerën 200 (dyqind) lekë për pasagjer. Pas vitit të parë, vlera e tarifës rishikohet dhe caktohet në vlerë fikse të rishikueshme çdo 3 (tre) vjet.

Monitor kontaktoi Ministrinë e Brendshme për të sqaruar se nga kush do të paguhet kjo tarifë dhe arsyet e transmetimit të të dhënave. Ministria e Brendshme shpjegoi se tarifa do të paguhet nga kompanitë dhe shërben për transmetimin dhe mirëmbajtjen e të dhënave në SIU, një sistem i domosdoshëm për shtetin shqiptar për të parandaluar fenomene kriminale.

“Tarifa për transmetimin e informacionit të pasagjerit, e parashikuar në ligjin 38/2025 “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”, paguhet nga transportuesit (kompanitë e transportit ajror, detar, tokësor) për çdo pasagjer, dhe i shërben mbulimit të kostove teknike për procesin e transmetimit të të dhënave, i cili është i domosdoshëm për shtetin shqiptar, pasi ndihmon në: Identifikimin e rreziqeve apo kërcënimeve ndaj sigurisë, të panjohura më parë; zbulimin apo ndjekjen e rrjeteve apo veprimtarive kriminale ndërkombëtare; rreziqe të tjera ndaj sigurisë kufitare; si dhe identifikimin dhe ndalimin e kriminelëve ndërkombëtarë dhe kërcënime të tjera, gjatë kalimeve kufitare”.

BE e mbulon vetë, Në Shqipëri a do të transferohet kjo kosto në çmimin e biletës

Të dhënat sipas përcaktimeve në ligj, do të ruhen deri në 5 vjet në sistemin SIU që menaxhohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe shërben për çështje sigurie, por meqë kjo tarifë do të paguhet nga transportuesi, a do të këtë kosto shtesë te bileta e udhëtarëve?

Nëpërmjet këtij ligji qeveria synon të mbledhë në një server inteligjent të dhënat e biletave të udhëtareve në hyrje dhe dalje të Shqipërisë, në një sistem që kostoja e transmetimit do të mbulohet nga tarifa që do të paguajnë kompanitë për çdo pasagjer që kanë transportuar në dalje dhe hyrje të Shqipërisë.

Në Bashkimin Europian kompanitë e pasagjerëve kanë detyrimin e transmetimit të të dhënave, por transmetimi i të dhënave është detyrim pa tarifë, dhe kostot mbulohen nga shteti ose fondet e BE-së.

Përvoja ka treguar që çdo kosto shtesë që i vendoset kompanive normalisht këta të fundit e kalojnë në tarifa për pasagjerët./ Monitor

Video

Deputeti i PD-së, Bledion Nallbati mbërrin në Prokurorinë e Posaçme. Ende nuk dihen arsyet e thirrjes së tij në SPAK.

Shemben ura dhe rrugë në Mirditë, izolohet fshati Thirrë Reshjet e dendura të shiut gjatë natës kanë izoluar fshatin Thirrë në njësinë administrative Fan, Mirditë. Si pasojë e prurjeve të shumta të lumit, është shembur rruga që lidh fshatin me Rrugën e Kombit, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve. Janë raportuar dëmtime edhe në disa ura që lidhin fshatrat përreth.

“El Clasico”-ja e parë e sezonit përfundoi me tensione të forta pas fitores 2-1 të Real Madridit ndaj Barcelonës në “Santiago Bernabeu”. Pas kartonit të kuq për Pedrin në minutën e 100’, situata në fushë doli jashtë kontrollit. Gjithçka nisi me një përplasje mes Lamine Yamal dhe Dani Carvajal në fund të duelit. Në debat u përfshi edhe portieri Courtois, duke e acaruar më tej situatën. Lojtarë nga të dyja skuadrat ndërhynë për t’i ndarë, por tensioni u rrit edhe më shumë kur Yamal u përplas verbalisht me Vinicius Junior. Pas disa sekondash përplasjeje dhe shtyrjesh, Yamal u tërhoq drejt daljes për në tunel, por Vinicius u pa duke e ndjekur me vrap, ndërsa stafet teknike ndërhynë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Pavarësisht incidenteve, Reali i Madridit ruajti fitoren 2-1 me golat e Mbappes dhe Bellingham, ndërsa pas ndeshjes pritet që komisioni i disiplinës të analizojë ngjarjet e ndodhura në fundin e sfidës.

Një video e përleshjes midis një burri me uniformë naziste dhe një gruaje në Georgia, SHBA, po bën xhiron e rrjeteve sociale. ? Burri, i identifikuar si Kenneth Leland Morgan, shihet në video duke mbajtur një uniformë që ngjan me atë naziste, e kompletuar me një shirit të kuq në krah që mban simbolin e kryqit të thyer. Pamjet tregojnë momentin kur ai shtyhet jashtë një bari nga një grua dhe më pas përballet me disa persona të tjerë. Në video shihet momenti kur ai godet gruan pasi ajo përpiqet t’i heqë shiritin nga krahu.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme