Sociale 11 February 2026, 17:39 Nga VNA

Taksa 10-vjeçare për arsimin në Tiranë, 9 shkolla të ndërtuara nga 17 gjithsej

Ndaje në Whatsapp

Taksa 10-vjeçare për arsimin në Tiranë, 9 shkolla të

Pas përfundimit zyrtar (në fund të vitit 2025), taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore në Bashkinë Tiranë mbyllet me një bilanc të paplotë. 

Nga 17 shkolla të reja të premtuara për t’u ndërtuar me të ardhurat e kësaj takse, janë realizuar vetëm 9, ndërsa 8 të tjera mbeten të parealizuara. 

Të dhënat zyrtare nga Bashkia Tiranë tregojnë se, ndonëse për një dekadë janë mbledhur miliarda lekë nga familjet dhe bizneset, objektivi fillestar për t’i dhënë fund mësimit me dy turne përmes ndërtimit të shkollave të reja nuk është përmbushur plotësisht.

Si nisi taksa?

Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore u miratua sipas një vendimi të Këshillit Bashkiak (nr.59/2015) dhe nisi të aplikohej nga 1 janari 2016. 

Ajo mblidhej çdo muaj përmes faturës së ujit.

Ajo u prezantua si taksë e përkohshme, me një afat kohëzgjatjeje 7-vjeçar. Megjithatë sipas ligjit nr. 68/2017 për Financat e Vetëqeverisjes Vendore, një taksë, që është e përkohshme, nuk mund të aplikohet më shumë se 3 vite.

Taksa mbështetej në një studim fizibiliteti të hartuar nga vetë Bashkia, sipas të cilit të ardhurat e mbledhura nga taksa do të mjaftonin për ndërtimin e 17 shkollave të reja: 10 shkolla 9-vjeçare dhe 7 shkolla të mesme. 

Ky plan u prezantua si zgjidhje strukturore për mbipopullimin e shkollave dhe mësimin me dy turne në kryeqytet.

Megjithatë, pas përfundimit të afatit fillestar, Bashkia vendosi zgjatjen e taksës, deri në fund të vitit 2025, duke e kthyer një taksë “të përkohshme” në një barrë financiare prej një dekade për qytetarët. 

Çfarë u ndërtua?

Ndërtimi i shkollave u realizua përmes skemës së Partneritetit Publik-Privat (PPP), të ndarë në 4 lote.

Kontratat u lidhën në formën e koncesionit PPP të tipit PBOT (Design-Build-Finance-Maintain), ku kompania private angazhohej jo vetëm për projektimin, financimin dhe ndërtimin e shkollave, por edhe për mobilimin, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin e tyre. 

Sipas kontratës, periudha totale zgjaste 7 vite e 18 muaj: 18 muaj për ndërtimin e objekteve, 7 vite për mirëmbajtje, gjatë të cilave Bashkia do të shlyente investimin përmes pagesave periodike. 

Koncesionari përfitonte një marzh fitimi prej 6.28% në vit.

Kontrata për Lotin 1 u lidh në vitin 2018, kurse për Lotin 4 në vitin 2020.

Në Lotin “Tirana 1” u ndërtuan 5 shkolla sipas planit konkretisht: 

Shkolla 9-vjeçare “Vaçe Zela dhe Shkolla e mesme “Kristo Frashëri” (shkolla të bashkuara), në njësinë administrative nr.9, 

Shkolla 9-vjeçare “Andrea Stefani”, në njësinë administrative nr.11

Shkolla 9-vjeçare “Nënë Tereza” dhe Shkolla e mesme “John F. Kennedy” (shkolla të bashkuara), në njësinë administrative nr.11

Në Lotin “Tirana 4” u ndërtuan 4 shkolla sipas planit 

Shkolla 9-vjeçare “Bashkim Fino”, në njësinë administrative nr.2

Shkolla 9-vjeçare “Kiço Blushi” dhe Shkolla e mesme “Sevasti Qiriazi” (shkolla të bashkuara), në njësinë administrative nr.8, 

Shkolla 9-vjeçare “Luan Hajdaraga”, në njësinë administrative Dajt

Në Lotin “Tirana 2” asnjë nga 4 shkollat e planifikuara s’ka nisur të ndërtohet 

Në Lotin “Tirana 2” ishte parashikuar ndërtimi i 3 shkollave në njësinë Kashar (Yzberisht) dhe i 1 shkolle në njësinë administrative nr.7.

Në Lotin “Tirana 3” asnjë nga 4 shkollat e planifikuara s’ka nisur të ndërtohet 

Në Lotin “Tirana 3” ishte parashikuar ndërtimi i 2 shkollave në njësinë administrative nr.2, i 1 shkolle në njësinë administrative nr.5 dhe i 1 shkolle në njësinë administrative Farkë.

Sa para u mblodhën dhe si u përdorën ato?

Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë Tiranë, deri në përfundimin e taksës në fund të vitit 2025 janë arkëtuar gjithsej rreth 7 miliardë lekë (6,975,741,429 lekë) nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore. 

Kjo shumë është mbledhur përgjatë dhjetë viteve (2016-2025), nga familjet dhe bizneset që veprojnë në territorin e bashkisë në faturën e ujit.

Taksa 10-vjeçare për arsimin në Tiranë, 9 shkolla të

Në Programin Buxhetor Afatmesëm 2026-2028, Bashkia Tiranë konfirmon se për projektin e 17 shkollave të reja: “janë realizuar 2 lote të projektit PPP dhe janë përfunduar 9 objekte arsimore, që i përkasin Loteve “Tirana 1” dhe “Tirana 4”, ndërsa dy lotet e tjera nuk janë zbatuar.

Në total, Bashkia pranon se janë marrë në dorëzim vetëm 9 nga 17 objektet arsimore të planifikuara fillimisht.

Shkollat e munguara

Në dy lotet e mbetura të projektit, “Tirana 2” dhe “Tirana 3”, ndërtimi i shkollave nuk ka nisur fare. Lotet përfshinin zona si Kashari (Yzberishti), njësia administrative nr.7, njësitë nr.2 dhe nr.5, si edhe Farka, zona që prej vitesh përballen me mungesë institucionesh arsimore dhe mbipopullim të shkollave ekzistuese. 

Për këto zona, Faktoje.al ka raportuar ndër vite për mungesën e shkollave.

Burime zyrtare pranë Këshillit Bashkiak i thanë Faktoje.al se brenda muajve mars-prill 2026 pritet të paraqitet një raport përfundimtar mbi ecurinë dhe zbatimin e taksës së përkohshme për arsimin, pas mbylljes zyrtare të saj në fund të vitit 2025.

Përfundimi

Pas përfundimit të taksës së përkohëshme për infrastrukturën arsimore në vitin 2025, Faktoje.al konstaton se premtimi për ndërtimin e 17 shkollave të reja përmes kësaj takse është pjesërisht i mbajtur./Faktoje.al/

Video

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.1 goditi prefekturën Kumamoto në Japoni, duke lënë mbi 100 të plagosur dhe dhjetëra të zhdukur pas shembjes së pjesshme të një qendre tregtare. Ngjarja shkaktoi dëme të mëdha materiale, ndërprerje të energjisë elektrike dhe pezullim të transportit, ndërsa u rekomandua evakuimi i rreth 300 mijë banorëve. Kryeministrja Sanae Takaichi ngriti një task-force emergjente dhe dërgoi 3,600 ushtarë për operacionet e kërkim-shpëtimit. Agjencia Meteorologjike e anuloi paralajmërimin fillestar për cunami, ndërsa autoritetet konfirmuan se centralet bërthamore në rajon nuk pësuan dëmtime.

Punojmë 8 orë në shtet…pastaj të gjithë te Spitali Amerikan

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme