Sociale 11 December 2025, 16:19 Nga VNA

Shqipëria në vendin e 147-të në botë për lindjet, edhe Ballkani po zbrazet

Ndaje në Whatsapp

Shqipëria në vendin e 147-të në botë për lindjet,

Shqipëria po mbyll një tjetër vit nën hijen e një krize të thelluar demografike, e cila pasqyrohet qartë në renditjen globale të lindjeve.

Sipas të dhënave nga Our World in Data, me vetëm 27,433 lindje të parashikuara në vitin 2025, vendi renditet i 147-ti në botë, duke u pozicionuar gjithsesi më mirë se shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në rajon, tabloja mbetet po aq sfiduese, megjithëse me variacione të dukshme: Greqia, edhe pse prej vitesh përballet me plakje të popullsisë, regjistroi 68,148 lindje dhe renditet në vendin 120; Serbia, me 58,142 lindje, ngjitet në renditjen 128, ndërsa Kroacia, me 30,995 lindje, pozicionohet në vendin 143, pak përpara Shqipërisë.

Më tej, Maqedonia e Veriut me 16,313 lindje zë vendin 158, dhe Kosova, dikur përjashtim rajonal për normat më të larta të lindshmërisë, sot renditet e 154-ta me vetëm 19,558 lindje. Në fund të rajonit qëndron Mali i Zi, në vendin 171, me vetëm 6,969 lindje, duke reflektuar një rënie të ndjeshme të natalitetit në një vend me popullsi të vogël, por që shfaq të njëjtat dinamika negative si fqinjët.

Në skenën botërore, pamja është krejtësisht tjetër dhe dëshmon zhvendosjen e qendrës demografike drejt Azisë dhe Afrikës. India pritet të kryesojë me 23.1 milionë lindje në vitin 2025, duke përfaqësuar 17% të lindjeve globale, më shumë se dyfishi i Kinës dhe shumëfish më tepër se gjithë Evropa, e cila do të arrijë vetëm 6.3 milionë lindje.

Nigeria do të regjistrojë rreth 7.6 milionë lindje, më shumë se e gjithë Evropa së bashku, ndërsa vendet me popullsi të mëdha si Pakistani (6.9 milionë), Republika Demokratike e Kongos (4.5 milionë), Indonezia (4.4 milionë) dhe Etiopia (4.1 milionë) forcojnë tendencën e zhvendosjes së peshës demografike drejt jugut global. Në kontrast, Kina, dikur epiqendra e lindjeve botërore, sot parashikohet të ketë “vetëm” 8.7 milionë lindje, me një mesatare fertiliteti prej rreth një fëmije për grua.

Këto ndryshime tregojnë qartë se ndërsa Europa dhe Ballkani përballen me rënie të vazhdueshme të lindshmërisë, vende si India, Nigeria dhe shtetet e Afrikës Sub-Sahariane po bëhen motorët e rinj të rritjes së popullsisë globale. Shqipëria dhe rajoni janë pjesë e një trendi më të gjerë: shoqëritë me të ardhura të mesme ose të larta po plaken shpejt, ndërsa vendet me popullsi të re vazhdojnë të udhëheqin rritjen demografike. Në këtë realitet të ri, hendeku midis dinamikave të lindjeve në Evropë dhe atyre në kontinentet e tjera pritet të thellohet edhe më shumë në dekadat që vijnë./ekofin.al/

 

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme