Sociale 6 Tetor 2025, 18:47 Nga VNA

Shpresa e vonuar për drejtësi për shtëpitë e ‘5 Majit’

Ndaje në Whatsapp

Shpresa e vonuar për drejtësi për shtëpitë e ‘5

Më 19 janar 2022, protesta e Ledion Mziut mbi çatinë e shtëpisë së tij në rrugën 5 Maji u ndërpre brutalisht përpara se godina të rrafshohej nga makineritë e rënda të IKMT-së për t’i hapur vend projektit të kullave “Tirana Riverside” buzë lumit të Tiranës.

Mbi dhjetë policë e tërhoqën zvarrë 33-vjeçarin nga çatia dhe e lidhën këmbë e duar, përpara se ta nxirrnin nga shtëpia 3-katëshe e familjes. Më herët, policia kishte shoqëruar babanë e Ledionit dhe kishte nxjerrë me forcë anëtarët e tjerë të familjes.

E mbetur pa strehë, familja Mziu u shpërnda në tre shtëpi të ndryshme me qira, përpara se fillimisht i vëllai dhe më pas Ledioni të emigronin njëri pas tjetrit në Itali.

Por përpara se të largohej nga vendi, Mziu vendosi të luftonte për të drejtën në gjykatë.

Pëmes një padie të dorëzuar në SPAK, ai kërkoi hetimin për shpërdorim detyre dhe shkatërrim prone ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zëvendësit të tij, Arbjan Mazniku dhe zyrtarëve të tjerë të policisë dhe Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit.

Por kallëzimi shkoi pingpong nga njëra zyrë në tjetrën, pa u hetuar realisht.

Në parashtrimin e çështjes para gjykatës, avokati i Mziut, Arben Llangozi deklaroi se SPAK ia transferoi çështjen për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, e cila pasi e mbajti dosjen për dy vjet në duar, kërkoi pushimin e saj në gjykatë.

Gjykata e Tiranës e pranoi kërkesën e pushimit në mars 2024, por Mziu nguli këmbë të kishte hetime dhe e ankimoi vendimin në Apel. Pas një viti shqyrtim, Apeli gjeti se të gjitha veprimet e kryera deri në atë pikë ishin jashtë kompetencës së juridiksionit të përgjithshëm dhe ia dërgoi dosjen Gjykatës së Posaçme. Më 30 shtator, Gjykata e Posaçme vendosi ta kthente kallëzimin aty ku ishte nisur tre vjet më parë, në SPAK, dhe urdhëroi kryerjen e veprimeve hetimore.

Nga Italia ku punon në një servis makinash, Ledion Mziu thotë se ndonëse ka humbur shumë kohë në pritje të drejtësisë, vendimi i Gjykatës së Posaçme i ka dhënë sërish shpresë.

“Zvarrit e zvarrit. Kam pesë vjet rrugëve unë o vëlla,” i tha ai BIRN përmes telefonit.

“Ndjehem shumë mirë që më në fund ka një shans, të paktën do të hetohet dhe të dalin në dritë shkeljet që ata kanë bërë kundër të gjithë banorëve të ‘5 Majit’ dhe grabitjen e pronave,” shtoi Mziu.

I pyetur nga BIRN, prokurori Arben Kraja që shpalli moskompetencën e SPAK ndaj kallëzimit të Mziut në vitin 2022 nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi.

Beteja për drejtësi

Shpresa e vonuar për drejtësi për shtëpitë e ‘5

Projekti kontrovers “Tirana Riverside” lindi pas tërmetit të vitit 2019, i projektuar nga  Stefano Boeri Architetti dhe SON-Group mbi 29 hektarë truall në kufirin verior të kryeqytetit. I planifikuar fillimisht për të strehuar mbi 3 mijë persona që humbën shtëpitë nga tërmeti, projekti u kritikua si shembulli klasik i transformimit të dhunshëm urban përmes dëbimeve masive.

Qindra shtëpi private të ndërtuara pas viteve ’90 u prishën me justifikimin e interesit publik, një pjesë e të cilave ende të palegalizuara. Por shtëpia e Ledion Mziut ishte pajisur me certifikatë pronësie prej vitit 2006 dhe një shtesë e mëvonshme ndodhej në proces legalizimi.

Ledioni i tha BIRN se u gjendën përpara faktit të kryer në janar të vitit 2022, pasi vendimet për jetët e tyre ishin marrë në mënyrë arbitrare – pa i pyetur dhe pa u dhënë kohë të ankoheshin. Ai tha se u gjetën përballë një kontrate krejtësisht të njëanshme me Bashkinë e Tiranës, që i detyronte të hiqnin dorë pa kushte nga prona dhe të drejtat, vetëm mbi bazë premtimesh të paqarta për të ardhmen. Mziu, që reciton edhe sot përmendësh përmbajtjen e kontratës, refuzoi ta nënshkruante atë.

Ai thotë se tentoi ta ndalonte prishjen përmes ankimit në gjykatë, por u përball me arrogancën e punonjësve të shtetit, të cilët, pa pasur një vendim për prishjen, e realizuan atë me forcë dhe dhunë.

Në kallëzimin e dorëzuar në Prokurori, ai këmbëngul se e gjithë procedura e ndjekur ishte e paligjshme dhe e pabazuar në interesa publike. Përmes avokatit në Gjykatë, Mziu pretendoi gjithashtu se pushteti po përdorej për të përkrahur interesa private dhe përfitime të padrejta në kurriz të pronarëve të ligjshëm.

Një proces administrativ i nisur paralelisht me atë penal i ka dhënë të drejtë Mziut në shkallën e parë. Ai thotë se gjykata e njohu një sipërfaqe prej 462 metrash katrorë, përkundër 303 metrave që u ishin dhënë si kompensim nga bashkia. Megjithatë, bashkia e ka apeluar çështjen.

“Tani duhet të pres edhe 5 vjet të tjera,” thotë Ledioni, duke e quajtur procesin absurd.

Ai thotë gjithashtu se është i gatshëm të kthehet nga Italia për të ndihmuar hetimet penale.

“Mezi pres të më thërrasin në SPAK. I kam bërë të gjitha letrat gati,” tha Ledioni me shpresën se arkitektët e prishjes së shtëpisë së tij do të hetohen.

“Këtu nuk ke asgjë të sigurt”

Shpresa e vonuar për drejtësi për shtëpitë e ‘5

Vendimi i marrë me 30 shtator nga Gjykata e Posaçme i hap rrugën hetimit të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Bashkisë së Tiranës për shembjet e dhunshme të shtëpive në rrugën 5 Maji, më shumë se tre vjet pasi SPAK refuzoi ta regjistronte çështjen për arsye juridiksioni.

Përveç kthimit të akteve drejt Prokurorisë së Posaçme, Gjykata urdhëron gjithashtu kryerjen e veprimeve hetimore. I entuziazmuar nga vendimi i Gjykatës, Mziu i tha BIRN se kishte paguar kosto për zvarritjen e drejtësisë.

Fillimisht, për një vit Mziu priti drejtësinë duke u endur në dyert e gjykatës, prokurorisë dhe policisë, ndërsa thotë se e gjeti veten të tronditur, të paaftë të menaxhonte një servis makinash që kishte në pronësi.

Kur u bë e qartë se procesi do të zgjaste, ai u vu nën presionin e prindërve për t’u larguar nga Shqipëria.

“Sa herë zgjohesha në mëngjes më thonin: ‘Akoma këtu ti? Nuk ke ikur?” kujton Mziu.

Ai thotë se së bashku me bashkëshorten u përballën me vështirësi pas emigrimit në Itali dhe vetëm së fundmi janë stabilizuar. Por Mziu vazhdon ta mbajë kokën mbrapa.

“Nuk e kisha menduar të ikja,” thotë ai me keqardhje, ndërsa shton: “Si mund të ndërtosh jetën në një vend ku nuk ke garanci as për atë që duhej të ishte më e sigurt, prona jote me dokumente?”.

“Vijnë dhe ta marrin me forcë pa asnjë njoftim. Këtu nuk ke asgjë të sigurt o vëlla,” përfundoi ai./BIRN/

 

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme