Sociale 9 Shkurt 2026, 07:30 Nga VNA

Shanset që po digjen me Inteligjencën Artificiale

Ndaje në Whatsapp
Shanset që po digjen me Inteligjencën Artificiale

Editorial i Monitor/ Në momentin kur bota po hyn në një garë të re industriale, atë të Inteligjencës Artificiale, Europa ka zgjedhur të mos mbetet pas.

Përkundrazi, ajo po përpiqet të ndërtojë një bazë reale teknologjike. Në thelb të kësaj strategjie janë të ashtuquajturat fabrikat e Inteligjencës Artificiale (AI factories), struktura që bashkojnë superkompjuterë, qendra të dhënash, universitete, start-up-e, SME dhe kapital financiar për të krijuar ekosisteme të plota zhvillimi të IA.

Këto “fabrika” nuk janë thjesht servera, por nyje ekonomike ku lidhen talenti, infrastruktura dhe kapitali për të prodhuar teknologji që më pas kthehet në fuqi ekonomike globale.

Ambicia financiare është po aq e madhe sa ajo teknologjike. Bashkimi Europian ka vendosur të mobilizojë deri në 200 miliardë euro investime në IA, ku vetëm 20 miliardë euro synojnë ndërtimin e 18 AI gigafactories, struktura gjigante për trajnimin e modeleve më komplekse të Inteligjencës Artificiale dhe 13 të ashtuquajtura AI Factory Antennas (porta rajonale drejt infrastrukturës europiane të Inteligjencës Artificiale).

Paralelisht, rrjeti i AI factories do të mbështesë start-up-et, industrinë dhe kërkimin shkencor në të gjithë kontinentin.

Përmes kësaj lëvizjeje, Europa kërkon të krijojë sovranitet teknologjik, të reduktojë varësinë nga SHBA dhe Kina dhe të ndërtojë një ekonomi ku inovacioni prodhohet brenda kontinentit. Në praktikë, kjo do të thotë akses i SME-ve dhe start-up-eve në superkompjuterë, qendra të dhënash dhe ekspertizë, pra një nivel infrastrukture që zakonisht vetëm gjigantët globalë mund ta përballojnë.

Në rrjetin europian të infrastrukturës së IA, nga Ballkani Perëndimor janë përfshirë vetëm VEZILKA në Maqedoninë e Veriut dhe SAIFA në Serbi, si pjesë e ekosistemit që lidhet me infrastrukturën europiane të AI factories dhe kapacitetet e superkompjuterit (AI Factory Antennas).

Shqipëria, pavarësisht retorikës për ambicie në Inteligjencën Artificiale, nuk figuron në këtë hartë. Kjo nuk është thjesht çështje prestigji apo imazhi, por akses në infrastrukturë, në financim kërkimi, në rrjete ekspertize dhe në mundësi reale për bizneset dhe start-up-et që do të operojnë në ekonominë e ardhshme të IA. Dhe kjo ndodh në një moment kur vendimet strategjike për këto rrjete janë marrë tashmë.

Në këtë kontekst, spektakli politik me “Diellën”, ministren e Inteligjencës Artificiale, duket më shumë si një përpjekje për të prodhuar simbolikë sesa për të ndërtuar realisht kapacitete. Sidomos nëse shihet në dritën e vendimeve europiane të marra në vitin 2025 për arkitekturën reale të investimeve në IA. Kur infrastruktura globale po projektohet, Shqipëria duket se është përqendruar tek imazhi, jo te ndërtimi i bazës teknologjike.

Tani fokusi duket se është zhvendosur te partneritete të reja, përfshirë nisma të promovuara me partnerë ndërkombëtarë si Izraeli, për ndërtimin e qendrave të të dhënave. Por problemi themelor mbetet: pa ekosistem lokal kërkimi, pa qendra të forta të të dhënave, pa financim real për inovacion dhe pa lidhje organike mes universiteteve dhe industrisë, çdo bashkëpunim ndërkombëtar rrezikon të mbetet episodik, jo transformues.

Ironia më e madhe është se ndërkohë që Europa po investon miliarda për t’u siguruar që SME-të dhe start-up-et të kenë “oksigjen teknologjik”, në Shqipëri bizneset vazhdojnë të luftojnë për akses elementar në shërbime digjitale funksionale.

Problemet me sistemet si SelfCare apo vetë e-Albania nuk janë thjesht defekte teknike. Janë simptomë e mungesës së një arkitekture të qëndrueshme teknologjike dhe të investimeve të shpejta e që po rezultojnë me probleme të shumta, duke rrezikuar deri sigurinë e të dhënave.

Në vend që të fokusohet te marketingu institucional apo te dhënia e çmimeve ndërkombëtare simbolike për të përmirësuar imazhin “e djegur” të “Diellës”, Shqipëria ka nevojë për diçka shumë më të thjeshtë dhe shumë më të vështirë njëkohësisht: një strategji reale për zhvillimin e sektorit të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale.

Një strategji që të krijojë vende pune me vlerë të shtuar, të mbajë të rinjtë në vend dhe ndoshta, një ditë, të rikthejë edhe ata që janë larguar.

Inteligjenca Artificiale nuk është vetëm teknologji. Është ekonomi, është punësim, është gjeopolitikë dhe është talent. Dhe nëse një vend nuk ndërton terrenin ku talenti mund të lulëzojë, nuk ka rëndësi sa konferenca bën, si e shet si risi globale, shanset do të vazhdojnë të digjen, njësoj si sot dhe talentet do të vazhdojnë të largohen e as që mund të bëhet fjalë për kthimin e tyre.

Dhe ndoshta ironia më e hidhur është kjo: në përpjekje për të treguar se po hyn në epokën e Inteligjencës Artificiale, Shqipëria rrezikon të mbetet thjesht spektatore në epokën që tashmë ka filluar të ndërtohet pa të.

Video

Një bandë e armatosur rëndë hodhi në erë një furgon të blinduar për transportin e parave gjatë një tentative grabitjeje në mes të ditës, e cila u pengua nga policia në Italinë jugore. Të paktën tetë grabitës të armatosur rëndë, disa prej tyre të maskuar si policë dhe duke përdorur drita sinjalizuese, bllokuan rrugën duke i vënë flakën automjeteve. Ata përdorën eksploziv për të çarë furgonin e blinduar dhe shkëmbyen zjarr me patrullat e Karabinierëve që mbërritën në vendngjarje. Nuk raportohet për të lënduar apo viktima. Dy të dyshuar u ndaluan gjatë arratisjes.

Një incident i tensionuar është regjistruar paraditen e sotme pranë zonës së njohur me emrin “Malajziani”, ku një oficer policie dyshohet se ka nxjerrë armën e shërbimit pas një konflikti për parkimin e automjetit. Sipas burimeve të VNA nga vendngjarja, polici kishte parkuar makinën pranë lokalit, kur një prej punonjësve të biznesit i ka kërkuar ta largojë mjetin, pasi bllokonte hapësirën e shërbimit. Debati verbal mes palëve është përshkallëzuar shpejt. Në videon e siguruar nga VNA, shihet momenti kur efektivi nxjerr pistoletën e shërbimit, duke krijuar panik mes personave të pranishëm.

Biznesmeni Ram Geci u paraqit sot në SPAK dhe qëndroi rreth 20 minuta, por nuk dihet për cilën çështje u thirr. Emri i tij shfaqet në dosjen hetimore ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku. Në komunikimet e zbardhura nga SPAK, Balluku i shkruan ish-kreut të ARSH-së Evis Berberi: “KM më kërkoi të takoj Ram Gecin”. Bisedat lidhen me tenderin për rrugën Porto Romano – Durrës, Loti 3, me një vlerë rreth 15 miliardë lekë, ku u kualifikua oferta e kompanisë “Geci” sh.p.k.

Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor “Tri Ura” në Lushnje, pasi një kalë i ka dalë m përpara një automjeti tip BMW. Përplasja ishte e pashmangshme, dhe si pasojë kali ka ngordhur, nfërsa pasagjerja është plagosur dhe transportuar në spital për trajtim mjekësor. Policia po heton shkaqet e aksidentit në këtë rrugë të rrezikshme, sidomos në kushtet e errësirës.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme