Qeveria ka hedhur në konsultim publik një projektvendim që parashikon shtesa dhe ndryshime në VKM nr. 858, datë 29.12.2021, e cila rregullon kriteret, procedurat dhe dokumentacionin për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet vijnë në zbatim të ligjit nr. 43/2025 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për të huajt’” dhe synojnë përshtatjen e kuadrit nënligjor me realitetin e ri migrator, nevojat e tregut të punës dhe standardet evropiane.
Sipas relacionit shpjegues, projektvendimi ka karakter teknik, por me ndikim të drejtpërdrejtë praktik, pasi adreson problematikat e hasura gjatë zbatimit të rregullave aktuale, veçanërisht në aplikimet online për vizë, leje qëndrimi dhe leje unike, si dhe në dokumentacionin e kërkuar për kategori të veçanta të të huajve.
Një nga risitë kryesore lidhet me lehtësimin e regjimit të vizave. Projektakti parashikon që shtetasit e vendeve të treta, të pajisur me vizë shumëhyrëse ose leje qëndrimi të vlefshme të lëshuar nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, të përjashtohen nga detyrimi për vizë për hyrje dhe qëndrim në Shqipëri deri në 90 ditë brenda 180 ditëve, për qëllime të barasvlershme me vizën e tipit “C”. Ky ndryshim synon harmonizimin e praktikave shqiptare me standardet evropiane dhe lehtësimin e lëvizjes së ligjshme.
Paralelisht, projekti rishikon dhe saktëson dokumentacionin bazë për pajisjen me vizë, duke kërkuar që aplikuesit të paraqesin leje qëndrimi mbi 12 muaj në vendin ku kanë rezidencë të ligjshme, ose alternativisht viza të mëparshme apo aktuale Shengen, amerikane, britanike apo shqiptare. Qëllimi është forcimi i verifikimit të statusit ligjor dhe historikut të udhëtimit të aplikuesve.
Ndryshime të rëndësishme prekin edhe vizat e tipit “D” dhe lejen unike, ku përmirësohet dhe standardizohet dokumentacioni për kategori si bashkimi familjar, studimi, sportistët dhe punësimi sezonal. Në këtë kuadër, për studentët përcaktohet qartë kërkesa për dëshmi financiare në vlerën 300 mijë lekë (ose ekuivalent në euro), ndërsa për sportistët kërkohet dokument që vërteton regjistrimin në federatën sportive përkatëse në vendin e origjinës.
Një element i ri me peshë është formalizimi i kategorisë “punëtor shtëpie”, e integruar së fundmi edhe në ligjin “Për të huajt”. Projektvendimi përcakton dokumentacionin e posaçëm për këtë kategori, si për vizën e tipit “D”, ashtu edhe për lejen unike, duke synuar mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve dhe rregullimin e një sektori që tradicionalisht ka funksionuar informal.
Në nivel të lejeve të qëndrimit, projekti sjell një saktësim të rëndësishëm procedural: futet detyrimi për paraqitjen e certifikatës së gjendjes gjyqësore, të lëshuar jo më herët se 6 muaj nga data e aplikimit, për të gjitha kategoritë e lejeve, me përjashtim të të miturve nën 16 vjeç dhe personave mbi 75 vjeç. Ky parashikim synon rritjen e sigurisë juridike dhe nivelit të kontrollit, në përputhje me praktikat ndërkombëtare.
Një tjetër risi është përcaktimi i qartë i lejes provizore të qëndrimit, e cila lëshohet pas pranimit të kërkesës dhe zgjatet deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Po ashtu, tarifa e lejes së qëndrimit do të jetë e vlefshme për 30 ditë në rast riaplikimi pas refuzimit, një rregull që nuk ekzistonte më parë.
Projektvendimi trajton edhe statusin e shtetasve të Bashkimit Evropian dhe familjarëve të tyre, duke saktësuar procedurën dhe dokumentacionin për pajisjen me Certifikatë Regjistrimi dhe Kartëqëndrim. Këto dokumente do të lëshohen pa tarifë shërbimi, në përputhje me parimin e lëvizjes së lirë dhe qëndrimit të qytetarëve të BE-së.
Në aspektin administrativ, projekti parashikon përmirësime në formularët elektronikë të e-Albania, me synim shmangien e dublikimeve dhe rritjen e funksionalitetit të aplikimeve online. AKSHI ngarkohet të reflektojë ndryshimet brenda një muaji nga hyrja në fuqi e vendimit. /ekofin.al






















