Sociale 14 April 2026, 15:53 Nga VNA

Punësimi informal mbetet i përhapur në Shqipëri

Ndaje në Whatsapp
Punësimi informal mbetet i përhapur në Shqipëri

Punë pa kontratë, paga jashtë listave dhe marrëdhënie pune që ekzistojnë vetëm në praktikë. Pavarësisht rritjes së kontrolleve dhe presionit institucional, ekonomia informale vijon të jetë një realitet i qëndrueshëm në tregun e punës në Shqipëri.

Të dhënat më të fundit tregojnë jo vetëm një intensifikim të inspektimeve, por edhe një nivel të lartë të zbulimit të punës së padeklaruar, duke konfirmuar se “puna e zezë” mbetet e rrënjosur në sektorë të caktuar të ekonomisë.

Gjatë vitit 2025 janë inspektuar 205,196 vende pune në 9,532 subjekte, një rritje me 8% krahasuar me një vit më parë. Paralelisht, është rritur edhe efikasiteti i targetimit të kontrolleve. Norma e zbulimit të punës së padeklaruar (strike rate) ka arritur në 27% në 2025, nga 26% në 2024 dhe 20% në 2023. Ky trend sugjeron se inspektimet po orientohen gjithnjë e më shumë drejt sektorëve me risk të lartë, ku informaliteti mbetet më i përhapur.

Megjithatë, shifrat e Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimit Social tregojnë se fenomeni nuk është zhdukur. Gjatë kontrolleve janë evidentuar 2,999 punëmarrës pa kontratë pune, ndonëse kjo shifër është 24% më e ulët krahasuar me vitin e kaluar. Ulja mund të lidhet si me formalizimin gradual, ashtu edhe me zhvendosjen e informalitetit në forma më pak të dukshme.

Një element që bie në sy është fakti se 98% e punëmarrësve informalë të konstatuar janë formalizuar gjatë procesit inspektues, kryesisht përmes masave administrative si pezullimi i aktivitetit. Kjo tregon se presioni institucional po jep rezultate të menjëhershme, por gjithashtu ngre pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të këtij formalizimi, nëse kontrollet zbuten.

Kontrollet janë zgjeruar edhe drejt kategorive më të ndjeshme të tregut të punës. Numri i punëmarrësve nën moshën 18 vjeç të verifikuar ka arritur në 165, me rritje 33%, ndërsa janë kontrolluar 2,484 punëmarrës të huaj, 62% më shumë se një vit më parë. Kjo sinjalizon një fokus më të madh në segmentet ku rreziku për abuzim dhe informalitet është më i lartë.

Një tjetër tregues i pranisë së këtij fenomeni vjen edhe nga ankesat e depozituara nga vetë punëmarrësit. Për punësimin e paligjshëm janë regjistruar 25 ankesa, nga të cilat 64% janë zgjidhur, ndërsa për punësimin e paligjshëm të të huajve janë raportuar 12 ankesa, me një normë zgjidhjeje prej 66.6%./Monitor.al/

Video

Punojmë 8 orë në shtet…pastaj të gjithë te Spitali Amerikan

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme