Sociale 16 Prill 2026, 12:29 Nga VNA

Propozohet kompensim i naftës 50 lekë për litër për transportin publik

Ndaje në Whatsapp

Propozohet kompensim i naftës 50 lekë për litër për

Në takimin e zhvilluar sot me shoqatat e transportit publik, qeveria ka propozuar dhënie kompensimi në masën 50 lekë për litër për naftën. Kompensimi parashikohet të jepet për 3 muaj.
Kompensimi parashikohet të përfitohet për të gjithë operatorët e transportit publik në vend.

Nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata Kombëtare e Transportit Urban dhe Ndërqytetas është kërkuar subvencionim në masën 100 lekë për litër, një skemë e ngjashme me vitin 2022.

Për propozimin e subvencionimit në masën 50 lekë për litër, Kostandin Foni, kryetar i Shoqatës së Transportit Qytetas, tha për Monitor se nuk arrin të mbulojë kostot shtesë nga shtrenjtimi i naftës. Por ai e vlerësoi pozitivisht si hap të parë propozimin e ministrave për të vijuar normalitetin e shërbimit.

“Në ditët në vijim ne presim që të zhvillojmë një takim me ministrat Ibrahimaj dhe Karakaçi për të diskutuar kostot e operimit për kategoritë që udhëtojnë falas, por edhe kërkesat tona për heqjen e akcizës së naftës dhe uljen e TVSH-së. Vetëm miratimi i tyre do të garantonte qëndrueshmëri për sektorin publik, i cili gjendet në vështirësi që pas Covid-19”, tha Foni.

Për shkak të vështirësive në kosto, një ditë më parë në të gjithë vendin shërbimi i transportit publik u reduktua deri në 60%.

Operatorët e 450 linjave të transportit në vend paralajmëruan përshkallëzime të mëtejshme nëse nuk do të kishte reagim të institucioneve.

Paketa antikrizë e transportit publik dorëzuar ministrave Ibrahimaj dhe Karakaçi

Në kushtet e rritjes së ndjeshme dhe të vazhdueshme të çmimit të karburantit, e cila ka krijuar një disbalancë të thellë midis kostove reale të operimit dhe të ardhurave të pandryshuara të sektorit, paraqesim për diskutim këto kërkesa prioritare, të mbështetura në precedentë ligjorë dhe në nevojën për garantimin e një shërbimi publik esencial:

Miratimi i një pakete antikrizë emergjente, në përputhje me precedentët ekzistues

Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme përmes një pakete mbështetëse financiare, duke marrë si bazë ligjore dhe praktike VKM nr. 225, datë 13.04.2022 “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së kompensimit për shoqëritë e linjave të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, pjesë e paketës antikrizë”, e cila është miratuar në kushte të ngjashme krize për kompensimin e kostove të karburantit për operatorët e transportit publik me 100 lekë/litër. Ky vendim, i mbështetur në nenin 100 të Kushtetutës dhe në legjislacionin buxhetor (ligji për buxhetin e shtetit), ka sanksionuar parimin e ndërhyrjes së shtetit në situata të jashtëzakonshme për garantimin e vazhdimësisë së një shërbimi publik jetik.

Nga të dhënat e përgjithshme rezulton se paketa financiare e asaj periudhe ka qenë në vlerën rreth 500 milionë lekë, nga e cila është përdorur rreth 55–60% e fondit, për një periudhë rreth 6-mujore.

Ky precedent provon qartë se ndërhyrja është e mundur dhe e justifikuar ligjërisht, efekti financiar është i përballueshëm për buxhetin e shtetit dhe mekanizmi i kompensimit është i zbatueshëm dhe i verifikueshëm përmes dokumentacionit tatimor dhe kontrollit administrativ.

Në këto kushte, kërkohet riaktivizimi i një skeme të ngjashme, të përshtatur me nivelin aktual të çmimeve dhe kostove reale të sektorit.

Rishikimi i menjëhershëm i barrës fiskale, heqja e taksës së qarkullimit

Duke qenë se taksa e qarkullimit përbën një komponent të rëndësishëm në strukturën e çmimit të karburantit, kërkohet pezullimi ose përjashtimi i përkohshëm i saj për operatorët e transportit publik. Kjo taksë është e përcaktuar në Ligjin nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar, në nivelin 27 lekë/litër, së bashku me taksën e karbonit prej 3 lekë/litër, dhe aplikohet në mënyrë të njëtrajtshme mbi benzinën dhe gazoilin.

Duke qenë një barrë fikse që përfshihet në çmimin final, ajo rëndon proporcionalisht më shumë në kushtet e rritjes së çmimeve të tregut. Në funksion të interesit publik dhe duke marrë në konsideratë natyrën e veçantë të transportit publik si shërbim social, pezullimi i kësaj takse për këtë sektor përbën një masë të justifikuar dhe të mbështetur në parimin e proporcionalitetit fiskal.

Heqja ose pezullimi i akcizës mbi karburantin për këtë sektor

Akciza mbi karburantin, e përcaktuar po në kuadër të Ligjit nr. 9975/2008 dhe legjislacionit fiskal përkatës, aplikohet në nivelin rreth 39.4 lekë/litër për naftën dhe përbën një nga komponentët kryesorë të çmimit final. Si taksë indirekte me efekt të drejtpërdrejtë në koston e operimit, ajo rëndon ndjeshëm mbi operatorët e transportit publik, të cilët nuk kanë mundësi të transferojnë këtë kosto te konsumatori për shkak të tarifave të rregulluara.

Në këto kushte, vazhdimi i aplikimit të akcizës në të njëjtin nivel krijon një disproporcion të dukshëm ndërmjet barrës fiskale dhe kapacitetit ekonomik të sektorit, duke cenuar parimin e drejtësisë dhe proporcionalitetit në taksim. Vetë legjislacioni shqiptar parashikon përjashtime për sektorë të caktuar (si peshkimi), çka përforcon argumentin për trajtim të diferencuar edhe për transportin publik.

Heqja e TVSH-së

TVSH-ja, e rregulluar nga Ligji nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, aplikohet në nivelin standard 20%, duke rritur drejtpërdrejt çmimin përfundimtar dhe duke kufizuar aksesin në këtë shërbim esencial. Duke qenë se transporti publik përmbush një funksion social dhe ekonomik, si dhe duke marrë në konsideratë praktikat e vendeve të rajonit ku kjo normë varion nga 0% deri në 5%, kërkohet heqja e plotë ose reduktimi i TVSH-së.

“Në rast se masat e mësipërme fiskale nuk janë të realizueshme në afat të menjëhershëm, kërkohet që të aplikohet një mekanizëm kompensimi financiar i drejtpërdrejtë, i bazuar në faturat reale të furnizimit me karburant, deklarimet tatimore dhe nivelin e konsumit të verifikuar sipas aktivitetit të licencuar.”/Monitor.al/

Video

Ja si janë shkrumbuar apartamentet e Arlis Ndërtim të Armand Lilos pranë Farmacisë 10 në Tiranë. Pallati 12-katësh u dogj plotësisht nga zjarri që ra në një market në kat të parë.

Deputeti Saimir Korreshi i kërkon ministres së shëndetësisë jod dhe pambuk për spitalin e Lushnjes…

Për të dytën herë Reni Ashiku, njeriu i besuar i Frida Krifcës paraqitet në SPAK. Ai është pyetur lidhur me abuzimet me fondet e BE-së për bujqësinë. Më herët është pyetur edhe vetë ish-ministrja Krifca.

Nisin punimet në seancën plenare, një minut heshtje për Eliot Engel

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme