Sociale 18 Shtator 2025, 17:42 Nga VNA

Projekti i një kulle 19-katëshe cenon oborrin e shkollës “1 Maji”

Ndaje në Whatsapp
Projekti i një kulle 19-katëshe cenon oborrin e shkollës “1

Një kullë 19-katëshe dhe katër kate nëntokë pritet të ndërtohet në Bulevardin Bajram Curri, pranë shkollës 9-vjeçare “1 Maji” në Tiranë.

Leja e Zhvillimit është miratuar nga qeveria më 25 shtator 2024 për llogari të “Union Bank” dhe kompanive të lidhura me disa prej anëtarëve të Këshillit të saj Drejtues: “Auto-City” dhe “Arch Investor” – të zotëruar nga Edmond Leka, Niko Leka, Varuzhan Piranjani, etj.

Sipas dokumenteve zyrtare të bëra publike nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), godina do të shërbejë si seli qendrore për bankën për zyra dhe administratën. Ndërkohë, për nivelet e sipërme funksioni parashikohet edhe për shërbime si për shembull një bar dhe një tarracë për evente.

Sipas planeve të shoqëruara me relacionin shpjegues, godina do të zgjerohet me hapësirën përreth duke ndërhyrë deri në oborrin e shkollës “1 Maji”, dhe strukturën e rrugës.

Projekti i Kullës së Union Bank te Ali Demi/Nga leja e Zhvillimit.

Nga shkolla “1 Maj” thanë për Citizens.al se nuk kishin dijeni për projektin dhe nuk ishin kontaktuar ndonjëherë për idenë e zhvillimit. Ata u shprehën se kishin marrë dijeni vetëm pasi informacioni ishte botuar në mediat sociale.

Në relacionin teknik për ndërtimin thuhet se “ndërtesa e shkollës ka një fasadë të varfër, me materiale të dobëta dhe joefikase”.

Për këtë projekti propozon rikonceptimin e fasadës me shtimin e “elementeve modulare” si blloqe betoni që do të shërbejnë si vazo për “gjelbërim fasade” në mënyrë që të garantohet “një lojë me vëllime të rastësishme dhe jo të mërzitshme”.

Shkurt, investitori interesohet të ndërhyjë te shkolla “1 Maji” që godina e tij të duket më bukur estetikisht.

Shkolla “1 Maji” u rikonstrukuta për herë të fundit në vitin 2016 me një investim prej rreth 400 milionë lekësh të Bashkisë Tiranë. Por propozimi i bërë nga investitori privat i një kulle krah kësaj shkolle po kërkon investim tjetër publik.

Grupi projektues ishte SOA Architecture – e arkitektëve Eurind Caka dhe Stefano Bastia, të njohur për konceptin e rindërtimit të shkollës “Sami Frashëri” – dhe MVM Architecture, Construction & Development – e Alket Meslanit, arkitekt dhe sipërmarrës i njohur kryesisht për angazhimin te Dea Studio.

Ky grup arkitektësh propozoi edhe një “sistemim” të hapësirës përpara shkollës. Në relacion thuhet se do të “riorganizohet hyrja dhe lidhja me shkollën”. Nga sa kuptohet nga pamjet e në dokument, në këtë pikë propozohet heqja e një ishulli trafiku që është aktualisht në rrugën nga bulevardi “Bajram Curri” me drejtim hyrje-dalje nga “Rruga Ali Demi” dhe po kështu të bustit të Ali Demit.

Propozimi për ndërhyrje në fasadë dhe oborrin e shkollës “1 Maji”/Relacioni i Lejes së Zhvillimit.

Në vend të bustit dhe instalacionit me emrin “Ali Demi”, propozohet dalja direkte me rrugë dhe zgjerimi i pjesës përballë shkollës “1 Maji” me një hapësirë të propozuar si lulishte dhe vend rekreacioni për komunitetin.

Nuk është e qartë nëse ky propozim është trajtuar apo marrë në konsideratë. Por, Bashkia e Tiranës konfirmoi përmes një përgjigjeje zyrtare për Citizens.al se nuk ka pasur asnjë konsultim publik për këtë projekt ndërtimi.

“Sektori i Konsultimit Publik dhe Opinioneve Qytetare […] nuk ka marrë asnjë kërkesë për konsultim publik për ndërtimin 19-katësh pranë shkollës ‘1 Maji’”, thuhet në përgjigje.

Plani i Detajuar Vendor (PDV) i zonës (TR/88), miratuar më 3 qershor 2024 – pra 3 muaj para se qeveria t’i jepte lejen e zhvillimit bankës Union, – nuk parashikon asnjë ndërhyrje të tillë në konceptin e zhvillimit me rrugë apo dhe njësi institucionesh apo arsimi sikurse parashikohet për Zonën 5 (që përkon me shkollën 1 Maji).

Përkundrazi, në PDV mbahet e njëjta ide qarkullimi mes rrugës Ali Demi dhe Bulevardit Bajram Curri.

Citizens.al ka raportuar shpesh për faktin se qeveria – përmes Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit – e ka pushtetin për t’iu mbivendosur me plane të tjera zhvillimi planeve vendore.

Kjo qasje që tjetërson PDV-të me një të rënë të lapsit ka sjellë një zhvillim kaotik urban dhe aspak të qëndrueshëm në Tiranë.

Ishulli i trafikut dhe instalacioni i “Ali Demit”, që propozohet të ndryshohet/Google Street.

Ndërtimi i një kulle 16-katëshe pranë shkollës “Emin Duraku” është një tjetër rast i ngjashëm zhvillimi.

Banorët dhe prindërit e nxënësve protestuan, kërkuan ndërprerjen e punimeve, verifikimin ligjor të projektit dhe hetim penal për institucionet përgjegjëse pasi godina parashikohet të ngrihet mes tre pallatesh ekzistuese.

Pavarësisht reagimeve, ndërtimi vijoi dhe objekti është duke u ngritur./ Citizens 

Video

Gjashtë vjet pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, qindra banorë të pastrehë janë ende në pritje të banesave të premtuara nga programi i zvarritur dhe jotransparent i Rindërtimit. https://www.vna.al/sociale/rindertimi-banoret-ende-ne-pritje-te-shtepive-i17614

Protestat e fermerëve në Greqi po përshkallëzohen dita-ditës, me bllokada të shumta në rrugët kryesore, autostrada dhe pikat doganore në mbarë vendin. Ndërsa mobilizimet vazhdojnë të rriten, vëmendja është përqendruar te mbledhja e Komitetit Panhelenik javën e ardhshme, ku pritet të përcaktohet strategjia dhe kërkesat për zgjidhje konkrete. Bllokime të shumta janë regjistruar në Thesali, Greqinë Qendrore dhe Akaia, ndërsa sipas fermerëve, veprime edhe më radikale, si bllokimi i porteve dhe doganave, janë në shqyrtim. Aksi ndërkombëtar Kakavijë–Janinë mbetet i bllokuar, duke lejuar vetëm lëvizje emergjente dhe urgjenca mjekësore. Fermerët deklarojnë se kërkojnë masa urgjente dhe theksojnë se nuk pranojnë dialog formal pa rezultate të prekshme. Nga ana tjetër, qeveria paralajmëron masa të forta ndaj veprimeve agresive dhe përplasjeve me policinë, të cilat janë shfaqur gjatë përpjekjeve për të bllokuar edhe aksesin drejt aeroporteve. https://www.vna.al/rajoni/fermeret-greke-intensifikojne-protestat-bllokime-masive-ne-rruge-dogana-d-i17605

Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së publikoi pamje nga operacioni i ndalimit të një anijeje të lidhur me një kartel trafiku droge, që transportonte rreth 20,000 paund kokainë në Paqësorin Lindor. Në videot e publikuara shihet një snajperist i Rojës Bregdetare që godet motorin e skafit për ta çaktivizuar, duke lejuar më pas që një anije tjetër me forcat speciale të kryejë arrestimin e ekuipazhit. Operacioni tregon koordinimin e forcave amerikane për të parandaluar trafikun ndërkombëtar të drogës.

Këto janë pamjet kur një i moshuar në Durrës ka tentuar të vrasë bashkëshorten e tij me shkop druri. 70-vjeçarja shihet duke ikur me vrap nga shkallët e banesës në lagjen nr. 17, ndërsa i moshuari e ndjek me shkopin në dorë. Ngjarja ndodhi pas një konflikti mes çiftit, dhe si pasojë e sulmit gruaja pësoi dëmtime të rënda fizike, duke u dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë. https://www.vna.al/kronika/tentoi-te-vriste-bashkeshorten-arrestohet-76-vjecari-ne-durres-i17596

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme