Sociale 22 Gusht 2025, 13:08 Nga VNA

Porti i ri i Durrësit/Mungesë transparence dhe përfitime për pak veta

Ndaje në Whatsapp
Porti i ri i Durrësit/Mungesë transparence dhe përfitime për

Mbi projektin e rindërtimit të Portit të Durrësit rëndojnë shumë hije dyshimi, dhe ata që mund të dalin të humbur janë qytetarët shqiptarë. Ndër propozimet më të diskutueshme është ideja për të financuar pjesërisht projektin përmes shitjes së apartamenteve, madje para fillimit të punimeve të ndërtimit.

Më 9 janar 2021, një video e publikuar në faqen zyrtare të Instagramit të restorantit luksoz “Nusret” në Dubai ngjalli reagime të forta në Shqipëri. Në video shfaqen Arben Ahmetaj, atëherë ministër i Rindërtimit (më vonë edhe zëvendëskryeministër), Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Endri Fuga, këshilltar i kryeministrit, Arbjan Mazniku, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe biznesmeni Samir Mane, së bashku me Mohamed Alabbar, një nga figurat më me ndikim në Lindjen e Mesme.

Alabbar është themelues dhe ish-president i Emaar Properties, një nga kompanitë më të mëdha të zhvillimit të pasurive të paluajtshme në botë, e njohur për projekte ikonike si Burj Khalifa në Dubai dhe kompleksi Downtown Dubai.

Duke iu përgjigjur akuzave për shpenzim të parave publike, Arbjan Mazniku deklaroi se “as nuk e kemi parë menunë, darka ishte porositur dhe paguar nga kompania” si pjesë e një fushate zyrtare për të prezantuar projektet e rindërtimit në Durrës, përfshirë “rivititalizimin e portit”.

Kjo ishte ndoshta hera e parë që publiku shqiptar dëgjoi për këtë mega projekt që synon të ndryshojë fytyrën e njërit prej porteve më të rëndësishëm dhe më të vjetër të Ballkanit.

Një marrëveshje miliardëshe me shumë paqartësi

Më 30 janar 2023, qeveria shqiptare dhe kompania Eagle Hills Real Estate Development, e themeluar dhe drejtuar nga Mohamed Alabbar, firmosën një marrëveshje për një investim prej dy miliardë eurosh për ta shndërruar Durrësin në një qytet me dy porte – një komercial dhe një turistik, përfshirë marina për jahte.

Porti aktual do të zhvendoset në zonën e Porto Romanos, ndërsa në vend të tij do të ndërtohet projekti "Durrës Yachts & Marina".

Sipas kryeministrit, projekti do të shtrihet në 450 hektarë dhe pritet të krijojë rreth 12 mijë vende pune. Do të ndërtohen 13 mijë apartamente, 850 dhoma hoteli dhe 280 vende për jahte. Ai do të zbatohet në dy faza: fillimisht do ndërtohen 4 mijë apartamente, hotele dhe qendra tregtare brenda 5-7 viteve me një investim prej 595 milionë eurosh. Faza e dytë do të zgjerojë më tej projektin dhe do të zgjasë deri në 20 vjet.

Kompania do të përfitojë lehtësi fiskale të mëdha: përjashtim nga TVSH-ja dhe doganat, përshpejtim të procedurave për leje (brenda 150 ditësh) dhe garanci që kushtet fiskale të mos ndryshojnë për 99 vjet, duke mbrojtur interesat e investitorit.

Por sipas Eduard Halimit, ish-ministër i Drejtësisë, 60% e Eagle Hills LLC zotërohet nga pesë kompani të regjistruara në Ishujt Kajman, çka ngre dyshime për transparencën financiare.

Shteti shqiptar me pjesëmarrje të kufizuar

Në korrik 2022, u themelua kompania publike “Albanian Seaports Development Company” (ASDC) me kapital fillestar 10 milionë lekë, që u rrit në 21.9 milionë lekë deri në qershor 2024. ASDC zotëron 33% të projektit dhe ka krijuar fililalën “Durrës Marina”, përgjegjëse për zbatimin e projektit.

Projekti, me vlerë 2 miliardë euro, pritet të gjenerojë 3.2 miliardë fitim, ku shteti shqiptar përfiton rreth 281 milionë euro, një përqindje shumë më e ulët se ajo që merr investitori.

Asnjë garë publike dhe mungesë transparence

Në nëntor 2022, 37 deputetë të opozitës çuan marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese si një skandal të madh korrupsioni, por Gjykata e rrëzoi padinë dy herë.

Ekonomisti Pano Soko ka theksuar 3 probleme kryesore:

Mungesën e konkurrencës (asnjë garë ndërkombëtare),

Kushtet favorizuese për investitorin,

Rrezikun nga skema e financimit përmes shitjes së apartamenteve përpara ndërtimit.

Sipas tij, shitja paraprake e apartamenteve, pa asnjë themele të hedhur, është një praktikë që përdoret vetëm në vendet e “botës së tretë” dhe përbën një rrezik të madh financiar, që mund të çojë në humbje për shtetin dhe qytetarët.

Ai shton se Alabbar ka bërë projekte të ngjashme në Beograd dhe Bjellorusi pa sukses dhe se kjo lloj “dashamirësie” e Shqipërisë ndaj tij lidhet me dyshimet për financim me para të pista.

399 milionë euro nga buxheti për Porto Romanon

Ndryshe nga Marina, për portin komercial të Porto Romanos janë organizuar dy tendera publike. Investimi prej 399 milionë euro do të mbulohet plotësisht nga buxheti i shtetit.

Tenderi fillestar në korrik 2024 u anulua për mungesë ofertash. Në dhjetor 2024 u rihap pa ndarje në lote dhe dy konsorciume janë në garë:

Van Oord (Holandë) & Besix (Belgjikë)

Archirodon (Greqi), Deme Dredging NV & Dragaggi srl (Itali)

Fituesi do të zgjidhet pas vlerësimit të ofertave ekonomike.

Por Aranita Brahaj, drejtore e Open Data, thekson mungesën e transparencës në përzgjedhjen e kompanive të huaja, duke shtuar se mungesa e financimeve të huaja tregon mungesë besimi ndërkombëtar.

Qëndresë e dobët lokale dhe mungesë zëri nga ekspertët

Ndryshe nga Mali i Zi, ku banorët e Ulqinit protestuan kundër projekteve të Alabbar, në Shqipëri rezistenca ka qenë minimale. Propaganda që e paraqet Durrësin si “Dubai i Mesdheut” ka pasur sukses.

Urbanisti Artan Kacani thotë se porti aktual është një vepër unike inxhinierike e ndërtuar mbi kolona që notojnë, dhe ndërhyrjet e planifikuara mund të dëmtojnë strukturën sizmike të territorit.

Një tjetër arkitekt nga Durrësi, Enea Papa, shprehet se ende nuk është e qartë nëse synohet një port historik, turistik, apo diçka krejt tjetër, duke shtuar se qyteti nuk ka ende infrastrukturën e nevojshme për ngarkesën urbane që me shumë gjasë do të duhet të përballojë.

“Në Durrës uji i pijshëm furnizohet vetëm dy orë në ditë. Si mendojnë ta çojnë atë ujë te të gjithë ata banorë dhe turistë? Është si të përpiqesh të festosh një dasmë në një shtëpi të vogël me dy dhoma: nuk mund të bëhet, sepse nuk ka vend për të gjithë! Duhet shumë guxim për të bërë një gjë të tillë!”, komenton Papa.

Çështja e Portit të Durrësit është shumë më tepër se një projekt i thjeshtë infrastrukturor. Ajo pasqyron mënyrën se si konceptohet zhvillimi urban, qeverisja ekonomike dhe raporti mes qeverisë dhe qytetarëve në Shqipëri.

Mungesa e transparencës, shmangia sistematike e parimit të konkurrencës, tendenca për të përjashtuar qytetarët dhe ekspertët nga proceset vendimmarrëse, si dhe dyshimet mbi interesat që qëndrojnë pas një projekti kaq të gjerë – të gjitha këto elementë e shndërrojnë këtë histori në një rast studimor mbi keqmenaxhimin e hapësirës publike dhe mbi sfidat që duhen kapërcyer për të ndërtuar një demokraci funksionale.

Përtej retorikës politike dhe premtimeve për investime të mëdha, mbetet një pyetje thelbësore:

Kush përfiton në të vërtetë nga ky projekt?

Dhe çfarë humbasin qytetet dhe shoqëria jonë kur vendimet për të ardhmen urbane të një vendi merren pa konsultime publike, pa analiza të mirëfillta dhe pa llogaridhënie?

Nëse ky model do të përdorej edhe për projekte të tjera strategjike – përfshirë aeroportet – do të përfundonim duke ndërtuar një Shqipëri që, në vend që të mbrojë qytetarët e saj, u shërben interesave të ngushta, të padukshme dhe të mbrapshta.

 

Burimi: Elira Kadriu/Osservatorio Balcani e Caucaso Transevropa 

 

Video

Për të denoncuar farsën zgjedhore , Sali Berisha ka paralajmëruar sot se PD do të botojë sërish një libër për vjedhjen e zgjedhjeve. Ky është libri i dytë i zi i zgjedhjeve pas atij të zgjedhjeve lokale të vitit 2023

? Rama rikthehet në zyrë pas pushimeve – paralajmëron goditje të re ndaj ndërtimeve pa leje! Pas tre javësh pushime, Kryeministri Edi Rama është rikthyer sot në Kryeministri, ku ka zhvilluar takime me ministra dhe deputetë socialistë. Ndërkohë, pritet prezantimi i kabinetit të ri dhe mbledhja e Asamblesë Kombëtare së PS. Por paralel me lëvizjet politike, Rama ka publikuar pamje nga prishjet me fadromë në Kepin e Rodonit, duke theksuar se aksioni kundër ndërtimeve pa leje nuk do të ndalet për këtë paralajmëron masa të reja. ? Lind pyetja: Kush i lejoi këto ndërtime, që sot Rama detyrohet t’i shembë me fadromë?" https://www.vna.al/politika/pas-pushimeve-rama-rikthehet-ne-zyre-ndertimet-pa-leje-kercenon-me-fadr-i13626

?Pamje dramatike. Ushtria izraelite sulmon Spitalin Nasser në jug të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve fillestare, të paktën 15 palestinezë mbetën të vrarë, në mesin e të cilëve edhe gazetarë.

Rrugët e Londrës Perëndimore u mbushën me ngjyra dhe muzikë për ditën e parë të Notting Hill Carnival, festivali më i madh rrugor në Evropë. Muzikantë dhe kërcimtarë me kostume të shndritshme morën pjesë në paradë, duke sjellë një atmosferë feste dhe shumë argëtim. Dita nisi me J’ouvert, një traditë që fillon në orën 06:00 të mëngjesit dhe shënon hapjen e festimeve gjatë fundjavës së Bank Holiday. Rrugët u mbushën me bojë dhe pluhur ngjyrash, ndërsa tingujt e daulles dhe instrumenteve të ndryshme muzikore ndiqnin paradën.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme