Sociale 9 Shkurt 2026, 13:25 Nga VNA

Plakja e botës si alarm global — Shqipëria mes plakjes së përshpejtuar dhe braktisjes institucionale të të moshuarve

Ndaje në Whatsapp
Plakja e botës si alarm global — Shqipëria mes plakjes së

Plakja e popullsisë: një sfidë globale shëndetësore dhe ekonomike

Popullsia mbi moshën 60 vjeç është në rritje të vazhdueshme dhe përbën një fenomen global me implikime të thella në politikat shëndetësore. Kjo grupmoshë shoqërohet shpesh me nevoja asistenciale më komplekse, për shkak të pluripatologjive dhe kronikitetit të sëmundjeve, duke e bërë prioritar aksesin në shërbime shëndetësore të strukturuara dhe në terapi afatgjata.

Në nivel global, në vitin 2020 popullsia mbi 60 vjeç ishte rreth 1 miliard banorë dhe parashikohet të arrijë në 2,1 miliardë deri në vitin 2050. Deri në vitin 2030, një në gjashtë persona do të jetë mbi 60 vjeç, ndërsa grupmosha mbi 80 vjeç pritet të trefishohet deri në vitin 2050, duke përfaqësuar segmentin me rritjen më të shpejtë demografike.

Pacientët mbi 60 vjeç aktualisht absorbojnë më shumë se 60% të shpenzimeve shëndetësore kombëtare, me një prirje të qartë rritëse në vitet e ardhshme. Në të njëjtën kohë, raporti midis popullsisë mbi 60 vjeç dhe forcës së punës (indeksi i varësisë) është i destinuar të rritet, duke ushtruar presion të madh ekonomik, veçanërisht mbi sistemet shëndetësore publike.

Në mungesë të fuqizimit të politikave të parandalimit të sëmundjeve kronike dhe të shërbimeve territoriale, shpenzimet shëndetësore të lidhura me plakjen e popullsisë dhe trajtimet afatgjata mund të dyfishohen deri në vitin 2050.

Situata demografike dhe shëndetësore në Shqipëri

Në Shqipëri, sipas të dhënave për vitin 2024, rreth 30% e popullsisë është mbi 65 vjeç. Në vitin 2023, pothuajse një person në pesë ishte mbi 65 vjeç, krahasuar me një në nëntë në vitin 2011, ndërkohë që popullsia e re është në rënie të shpejtë.

Mosha mesatare e popullsisë ka arritur në 42,5 vjeç në vitin 2024, nga 35,5 vjeç në vitin 2011. Këto të dhëna tregojnë një tranzicion demografik të përshpejtuar, të ngjashëm me atë të vendeve të tjera evropiane, por i përkeqësuar nga emigracioni i lartë i popullsisë së re.

Rreth një e treta e familjeve shqiptare ka të paktën një anëtar mbi 65 vjeç në familje, duke rritur ndjeshëm barrën ekonomike dhe asistenciale mbi bërthamat familjare, pasi kujdesi shpesh ofrohet brenda familjes dhe pa mbështetje institucionale.

Vlerësohet se rreth 22% e popullsisë mbi 65 vjeç ka nevojë për terapi dhe asistencë afatgjatë, ndërkohë që vetëm rreth 2% e kësaj nevoje mbulohet nga shërbime të strukturuara. Në shumicën e rasteve, asistenca sigurohet nga familjarët, shpesh pa mbështetje profesionale ose institucionale.

Shpenzimet shëndetësore dhe pabarazitë rajonale

Shpenzimet totale shëndetësore për frymë në Shqipëri në vitin 2022 vlerësohen rreth 734 euro, niveli më i ulët në Evropë, rreth pesë herë më i ulët se mesatarja evropiane prej rreth 3.533 euro për frymë. Duke qenë se kjo shifër përfshin shpenzimet totale, përfshirë ato private, shpenzimet publike rezultojnë edhe më të ulëta.

Për krahasim, në Itali shpenzimet shëndetësore për frymë arrijnë rreth 3.500–3.800 euro (2024), dhe sistemi shëndetësor mbulon mbi 60% të nevojave shëndetësore të popullsisë mbi 65 vjeç.

Shpenzimet shëndetësore për frymë në rajon:
• Shqipëria: 734 €
• Mali i Zi: 1.593 €
• Serbia: 1.517 €
• Maqedonia e Veriut: 1.142 €
• Bosnja dhe Hercegovina: 1.072 €

Këto diferenca nuk janë thjesht shifra statistikore, por pasqyrojnë dallime reale në disponueshmërinë e burimeve publike, infrastrukturën shëndetësore dhe kapacitetin për të ofruar diagnostikim, trajtim, parandalim dhe menaxhim të sëmundjeve kronike në një popullsi që po plaket me ritme të shpejta.

Në Shqipëri, shpenzimet “out-of-pocket” (të paguara drejtpërdrejt nga qytetarët) përbëjnë rreth 44–50% të shpenzimeve totale shëndetësore, një nga përqindjet më të larta në Evropë. Për krahasim:
• Serbia: 36%
• Maqedonia e Veriut: 40–42%
• Bosnja dhe Hercegovina: 30–31%
• Mali i Zi: 36–40%

Këto të dhëna tregojnë qartë barrën financiare që rëndon mbi familjet shqiptare dhe rrisin rrezikun e heqjes dorë nga trajtimi, vonesave në kujdes shëndetësor dhe krijimit të pabarazive shëndetësore, veçanërisht për shtresat më të pafavorizuara.

Duke marrë parasysh se në shumicën e vendeve evropiane rimbursimi nga sistemi shëndetësor publik mbulon mbi 70% të shpenzimeve farmaceutike, bëhet edhe më e qartë rëndësia e ndërtimit të politikave kapilare të edukimit shëndetësor, parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe përdorimit racional të barnave. Këto masa jo vetëm që mbrojnë shëndetin e popullatës, por kontribuojnë ndjeshëm në uljen e kostove afatgjata.

Plakja e popullsisë nuk është thjesht një sfidë për të ardhmen, por një realitet aktual që kërkon ndërhyrje konkrete dhe strategjike që sot. Investimi në parandalim, shërbime territoriale dhe mbështetje të strukturuar për popullsinë e moshuar nuk është vetëm një detyrim etik, por edhe një zgjedhje e zgjuar ekonomike për qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor.

Nga Doktoresha Silvana Shametaj Ruli 

Pergjegjës i Njësisë Operative Komplekse (U.O.C.) të Geriatrisë
Instituti për Sigurime Shëndetësore (I.S.S.), San Marino

Video

Një bandë e armatosur rëndë hodhi në erë një furgon të blinduar për transportin e parave gjatë një tentative grabitjeje në mes të ditës, e cila u pengua nga policia në Italinë jugore. Të paktën tetë grabitës të armatosur rëndë, disa prej tyre të maskuar si policë dhe duke përdorur drita sinjalizuese, bllokuan rrugën duke i vënë flakën automjeteve. Ata përdorën eksploziv për të çarë furgonin e blinduar dhe shkëmbyen zjarr me patrullat e Karabinierëve që mbërritën në vendngjarje. Nuk raportohet për të lënduar apo viktima. Dy të dyshuar u ndaluan gjatë arratisjes.

Një incident i tensionuar është regjistruar paraditen e sotme pranë zonës së njohur me emrin “Malajziani”, ku një oficer policie dyshohet se ka nxjerrë armën e shërbimit pas një konflikti për parkimin e automjetit. Sipas burimeve të VNA nga vendngjarja, polici kishte parkuar makinën pranë lokalit, kur një prej punonjësve të biznesit i ka kërkuar ta largojë mjetin, pasi bllokonte hapësirën e shërbimit. Debati verbal mes palëve është përshkallëzuar shpejt. Në videon e siguruar nga VNA, shihet momenti kur efektivi nxjerr pistoletën e shërbimit, duke krijuar panik mes personave të pranishëm.

Biznesmeni Ram Geci u paraqit sot në SPAK dhe qëndroi rreth 20 minuta, por nuk dihet për cilën çështje u thirr. Emri i tij shfaqet në dosjen hetimore ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku. Në komunikimet e zbardhura nga SPAK, Balluku i shkruan ish-kreut të ARSH-së Evis Berberi: “KM më kërkoi të takoj Ram Gecin”. Bisedat lidhen me tenderin për rrugën Porto Romano – Durrës, Loti 3, me një vlerë rreth 15 miliardë lekë, ku u kualifikua oferta e kompanisë “Geci” sh.p.k.

Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor “Tri Ura” në Lushnje, pasi një kalë i ka dalë m përpara një automjeti tip BMW. Përplasja ishte e pashmangshme, dhe si pasojë kali ka ngordhur, nfërsa pasagjerja është plagosur dhe transportuar në spital për trajtim mjekësor. Policia po heton shkaqet e aksidentit në këtë rrugë të rrezikshme, sidomos në kushtet e errësirës.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme