Sociale 23 September 2025, 18:21 Nga VNA

Pesë komunitetet fetare kundër ligjit të barazisë gjinore : Pro familjes tradicionale të bazuar mbi dy gjinitë, burrë dhe grua

Ndaje në Whatsapp
Pesë komunitetet fetare kundër ligjit të barazisë gjinore :

Të pesë komunitetet fetare, përkatësisht (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë)  janë deklaruar kundër projektligjit “Për barazinë gjinore”, i cili pritet të marrë miratim në Kuvend.

Me anë të një deklarate të përbashkët Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë shpreh shqetësimin e tyre për disa nene dhe përkufizime të projektligjit, që sipas tyre bien ndesh me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare.

Në një njoftim për mediat ata shkruajnë se  Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë thekson rëndësinë e familjes tradicionale të bazuar mbi dy gjinitë biologjike: burrë dhe grua dhe për këtë arsye, kërkojmë saktësimin e përkufizimit të termit “Gjini” në projektligj.

Deklarata 

Komunitetet fetare në Shqipëri vlerësojnë rëndësinë e barazisë në përfshirjen sociale dhe në mosdiskriminim, sepse kjo pasqyron barazinë e dinjitetit, që të gjithë njerëzit kanë përpara Zotit.

Nisur nga këto parime dhe bazuar në të drejtat e tij statutore, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, i përbërë nga pesë komunitetet fetare (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë), pasi u njoh me projektligjin “Për barazinë gjinore”, mblodhi sot më 23 shtator 2025 Bordin e Presidencës, së bashku me një grup pune të miratuar nga pesë komunitetet fetare, të përbërë nga specialistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme.

Krerët dhe drejtuesit e të gjitha komuniteteve fetare shprehën shqetësimin e tyre për disa nene dhe përkufizime të projektligjit, të cilat bien në kundërshtim me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare. Në veçanti, përkufizimi i termit “gjini”, si koncept gjithëpërfshirës, përdorimi i nocioneve, “identitet gjinor”, “shprehje gjinore”, si dhe të gjitha neneve të tjera të lidhura me to, krijojnë paqartësi ligjore dhe hapësira për keqinterpretim.

Ne, si komunitete fetare, theksojmë rëndësinë e familjes tradicionale të bazuar mbi dy gjinitë biologjike: burrë dhe grua. Për këtë arsye, kërkojmë saktësimin e përkufizimit të termit “Gjini” në projektligj, duke e lidhur qartë me gjininë e përcaktuar në lindje – burrë, grua, vajzë, djalë – në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit.

Komunitetet fetare kanë mbështetur gjithmonë përpjekjet e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian. Njohja tradicionale e dy gjinive nuk përbën pengesë për këtë proces – fakt që reflektohet edhe në praktikat e shumicës së shteteve anëtare të BE-së, të cilat vazhdojnë të përdorin një përkufizim binar burrë–grua.

Me dëshirën që këto shqetësime të merren në konsideratë nga institucionet përgjegjëse, riafirmojmë angazhimin tonë për dialog dhe bashkëpunim në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe të sigurt për brezat e rinj, duke u mbështetur në besimin te Zoti dhe respektin për ligjin.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj!

Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Haxhi Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Imzot Gjergj Meta, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë

Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Kryegjyshatës Bektashiane

Pastor Ergest Biti, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë

 

 

 

 

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme