Sociale 8 Shkurt 2026, 10:49 Nga VNA

Paketa e Maleve, bilanci i një nisme që mbetet ende në letra

Ndaje në Whatsapp

Paketa e Maleve, bilanci i një nisme që mbetet ende në letra

Kur ka kaluar thuajse një vit nga miratimi i “Paketës së Maleve” që synon të kthejë kapitalin e Diasporës dhe jo vetëm, si investim në malet shqiptare, bilanci mbetet ende në letër. Bashkitë kanë ecur me ritme të ngadalta në lidhje me shpalljen e zonave parësore, duke lënë të pakënaqur qeverinë, e cila ka vënë si kusht 1000 investime të synuara. Deri më tani vetëm 13 bashki i kanë shpallur këto zona.

Në vitin 2024, qeveria nisi të lakonte për herë të parë atë që e pagëzoi si “Paketa e Maleve”, një nismë që synonte jo vetëm të kthente vëmendjen te zonat rurale të vendit përmes investimeve, por të ishte edhe një nxitës për rikthimin e atyre që kishin emigruar. Kjo ftesë e hapur në kulmin e emigrimit “sezonal” joformal, por edhe atij formal drejt BE-së, synonte të të kthente drejt rrënjëve ata që do të donin të investonin kursimet e tyre në vendlindje.

Thuajse pas më shumë se një viti nga ideimi i “Paketës së Maleve” në takime dhe më pas marketimit të saj si një nismë që do t’ju kthente tokën e të parëve trashëgimtarëve që investonin, në praktikë ende mbetemi te letrat.

Procesi i përgatitjes së kuadrit ligjor, që parashikonte edhe masat nxitëse, u finalizua në fillim të vitit të shkuar. Ende sot janë Bashkitë ato që kanë marrë më shumë kohë për të finalizuar zonat me përparësi ku do të zbatohen projektet pjesë e kësaj pakete.

Një zvarritje e tillë është kritikuar së fundmi nga Kryeministri, i cili në një takim me kryebashkiakët nënvizoi se nëse nuk ecin shpejt me hapat dhe nuk finalizojnë konkretisht investimet e planifikuara në këtë paketë nuk do të rikandidohen.

Por çfarë ka ndodhur konkretisht me “Paketën e Maleve” dhe cilat janë zonat e shpallura me përparësi?

Thuajse një vit nga nisma, jo të gjitha bashkitë kanë shpallur zonat me përparësi

“Paketa e Maleve” hyri në fuqi në prill të vitit të shkuar dhe nga ai moment, bashkive në të gjithë vendin iu kërkua të bënin gati zonat me përparësi ku do të mund të zhvilloheshin investime potenciale.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, në një takim të mbajtur së fundmi me kryebashkiakët, tha se interesi për këtë paketë ishte i lartë dhe numëroheshin rreth 80 shprehje konkrete interesit. Z. Demo do ta konsideronte “Paketën e Maleve” një instrument strategjik për zhvillimin e zonave rurale dhe malore, rikthimin e investimeve dhe krijimin e ekonomive lokale të qëndrueshme.

Sipas tij, vitin e kaluar janë regjistruar rreth 4,800 shprehje interesi për “Paketën e Maleve”. “Pas një analize të detajuar në katër bashki (Shkodër, Shijak, Elbasan, Përmet) për zonat e shpallura prioritare, janë identifikuar 80 shprehje interesi konkrete, të cilat mund të vijojnë me aplikimet formale pranë bashkive përkatëse.

Sipas kuadrit ligjor dhe urdhëresave në fuqi, bashkitë kanë përgjegjësinë të ndjekin të gjithë hapat për miratimin e këtyre aplikimeve në zonat prioritare”, – do të nënvizonte ministri.

Sipas kuadrit ligjor, bashkitë duhet që përmes analizave me stafet të shpallin zonat me përparësi në territorin e tyre, të cilat do të mund të përfitojnë nga lehtësitë që parashikon kjo paketë.

Qeveria ka sqaruar më herët se ligji nuk e zgjidh problematikën e pronësisë, e cila trajtohet me një kuadër krejt tjetër ligjor, por synon që përmes lehtësimit të procedurave dhe plotësimit të një sërë kushteve, të mundësojë dhënien e lejeve përkatëse dhe zhvillimin e projekteve konkrete për të gjithë ata që zotërojë një pronë në një nga zonat me përparësi.

Përfundimi me sukses i projektit që merr miratimin pas verifikimeve përkatëse nga institucionet u jep atyre mundësinë të pajisen në fund edhe me certifikatën e pronësisë.

Për një grup të caktuar prej 500 investitorësh të parë të kësaj pakete është menduar edhe një stimul fiskal, ku detajet pritet të jepen më të hollësishëm në aktet nënligjore shoqëruese të paketës, të cilat do të vijnë në vazhdim.

Kryeministri, kritika për kryebashkiakët, rikandidim me kusht për “Paketën e Maleve”

Nxitja e aktivitetit ekonomik përmes investimeve të reja nga “Paketa e Maleve” është parë si një instrument për t’i bërë Bashkitë më të pavarura në aspektin financiar, e lidhur kjo me transfertat që shpesh buxheti i shtetit orienton drejt tyre. Ecuria e ngadaltë e shpalljes së zonave me përparësi solli kritika nga kryeministri për kryebashkiakët.

Rikandidimi i kryetarëve të bashkive do të varet edhe nga ecuria e gjithë këtij procesi ku kusht është shifra 1 mijë investime.

“Bëmë një takim ekskluziv (takim i mbajtur në tetor 2025) për Paketën e Maleve. Sot që flasim jemi në kushtet kur jo të gjitha bashkitë, e kanë kryer fazën e parë. Është e papranueshme.

Cili duhet të jetë objektivi ynë? Në momentin kur Paketa e Maleve u shpall në websajtin e vet, ditën e parë kishte 700 e kusur interesime nga shqiptarë jashtë atdheut.

Është një instrument i sigurt për të tërhequr kursimet e shqiptarëve jashtë atdheut dhe  shqiptarët të bëjnë një biznes të sigurt, që ju sjell atyre më tepër të ardhura sesa çdolloj pune e zakonshme në Angli, apo në Greqi etj.

Tani si ka mundësi që nuk ka mbaruar ende faza e parë në të gjitha bashkitë? Çfarë është kjo shkencë për të përcaktuar hartën ku do të bëhet ky zhvillim? I kam kërkuar drejtores së Agjencisë Kombëtare të Planifikimit, të jetë në dispozicion të secilës bashki për hartat, për çfarëdo qoftë ju keni nevojë në aspektin e asistencës teknike.

Po ashtu i kam kërkuar ministrit Demo që të vendosë një objektiv për çdo bashki. Ambicia jonë duhet të jetë 1000 investime nga kjo paketë, që po t’i ndash në territor në 60 bashki, sipas potencialeve nuk janë shumë”, do të shprehej Rama.

Paketa ofron përjashtim nga taksat për 500 investitorët e parë

Investitorët e parë nën Paketën e Maleve do të kenë një sërë lehtësish fiskale, të cilat do të shtrihen për një afat 10-vjeçar. Kjo do të vlejë për të paktën 500 të parët ndërsa pjesa tjetër do të përfitojnë vetëm nga lehtësimi burokratik i procedurave. Por cilat janë në fakt përfitimet?

“Subjektet që përfitojnë pronësinë mbi sipërfaqet sipas këtij ligji dhe që realizojnë projektin dhe ushtrojnë aktivitetin e deklaruar prej tyre, përfitojnë për një periudhë 10-vjeçare:

Lehtësitë e parashikuara në pikën e parë mund të përfitohen nga jo më shumë se 500 subjekte që kanë marrë pronësinë sipas këtij ligji, në zonën përkatëse. Nëse ka më shumë se 500 kërkesa, përparësi kanë ato që janë paraqitur më herët”, thuhet në faqen e posaçme të Paketës së Maleve.

Çfarë është Paketa e Maleve dhe si funksionon?

Në një sqarim të përmbledhur, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor jep detaje mbi atë se çfarë është Paketa e Maleve, kush përfiton dhe si funksionon:

Çfarë është

Një mundësi për qytetarët për të investuar në turizëm, energji të pastër, blegtori etj., duke përfituar lehtësi financiare dhe pronësi mbi tokën.

Qytetarët që nuk kanë dokumente pronësie mbi tokën, por:

• Kanë më shumë se 10 vite që e shfrytëzojnë ose e posedojnë pronën

• Mund të vërtetojnë përdorimin e saj të vazhdueshëm përmes dëshmive apo dokumenteve ndihmëse (si fatura, kontrata, deklarime të njohura nga komuniteti, etj.);

• Ata që e kanë trashëguar, marrë me dhuratë ose në forma të tjera joformale, por që ende nuk janë pronarë të ligjshëm sipas dokumenteve zyrtare.

Çfarë përfiton

10 vjet përjashtim nga: ◦ Tatimi mbi të Ardhurat; ◦ TVSh; ◦ Taksa e pronës; ◦ Taksa e ndikimit në infrastrukturë • Mundësi për të përfituar pronësi mbi tokën për vetëm 1€.

Shpreh interesin për të investuar në portalin paketaemaleve.gov.al apo në e-Albania. Vendos në hartë vendndodhjen e pronës që posedon dhe plotëso në fushat e kërkuara: – qarkun dhe bashkinë përkatëse;

– kohën e posedimit;

– një përshkrim të shkurtër të investimit Përfito tokën dhe lehtësitë fiskale, ndërsa certifikata e pronësisë merret pasi të përfundojë investimi. /Monitor.al

 

Video

Spanja dhe Portugalia u goditën nga moti i keq pas stuhisë që përfshiu këto vende. Megjithatë orët e fundit reshjet e shiut kanë pushuar dhe situate është më e qetë, megjithëse dëmet janë shumë të mëdha. Në Andaluzi, provinca më e prekur në jug të Spanjës, porti i Algeciras, një nga më të mëdhenjtë në Mesdhe, ka filluar të funksionojë normalisht. Megjithatë, zona të mëdha janë ende nën ujë pas kalimit të stuhisë Marte dje dhe stuhisë Leonardo tre dhe katër ditë më parë. Dëmi në infrastrukturë dhe bujqësi vlerësohet në më shumë se 7 miliardë euro.

Kampionia italiane, Francesca Lollobrigida këtë të dielë ka arritur të triumfojë dhe të fitojë medaljen e artë në Lojërat Dimërore. Fitorja e Lollobrigida-s i dhuroi Italisë një nga fitoret më të mëdha në Lojërat Dimërore. Por vetëm pak sekonda më pas, vëmendja u zhvendos nga podiumi, te djali i saj i vogël në tribunë, i cili mori vëmendjen e publikut me reagimin e tij spontan.

Përleshje shpërthyen mes policisë dhe protestuesve në Milano më 7 shkurt, gjatë demonstratave kundër Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina, të cilat u hapën një ditë më parë. Mijëra persona marshuan për të kundërshtuar praninë e personelit të Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave të Shteteve të Bashkuara (ICE), si dhe për të kritikuar atë që e përshkruan si shpenzime të tepruara publike dhe dëme mjedisore të lidhura me Lojërat.

Avokati Kujtim Cakrani, mbrojtës ligjor i ish-presidentit Ilir Meta, ka dhënë dëshminë e tij për sulmin që pësoi sot në një karburant në Vlorë. Ai tha se dy persona të panjohur e provokuan fillimisht me fjalë fyese dhe më pas e goditën fizikisht. “Njëri nga dritarja më ofendonte, tjetri hyri nga dera e pasagjerit dhe më goditi pas koke me një mjet prerës. Më thanë: ‘Pse ke parkuar keq makinën. Ke zënë gjithë karburantin’. Nuk i njoh të dy dhe ishin moshë e re”, deklaroi Cakrani. Si pasojë e sulmit, ai ka pësuar një frakturë të rëndë dhe ndodhet në Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa policia dhe ekspertët mjeko-ligjorë po marrin dëshminë dhe po hetojnë rrethanat e ngjarjes.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme