Sociale 5 Nëntor 2025, 18:43 Nga VNA

Një kullë pritet të zëvendësojë jetimoren “Zyber Hallulli”

Ndaje në Whatsapp
Një kullë pritet të zëvendësojë jetimoren

Godina historike e Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli”, që strehoi për vite breza jetimësh, pritet të shembet për t’i hapur rrugë ndërtimit të një kulle prej së paku 17 katesh.

Rreth 36 fëmijë që jetojnë aktualisht aty parashikohet të zhvendosen në një zonë tjetër, ndërkohë që projekti është shtyrë përpara pa dijeni dhe konsultime me vetë institucionin.

Për këtë nismë është angazhuar Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH), e cila më 31 korrik mori në zotërim godinën e jetimores dhe Inspektoratit të Punës me synim për ta zhvilluar në partneritet me privatin. Përvoja me thirrjet e shkuara tregon se ky partneritet ka ushqyer më së shumti interesin e sipërmarrësve privatë.

Në thirrjen e Korporatës propozohet që jetimorja dhe inspektorati të zhvendosen në zonën e ish-vilave gjermane rreth 800 metra më tutje dhe ndërtesat aktuale të kthehen në shesh ndërtimi.

Kullë në vend të jetimores

Më 15 shtator KISH shpalli “thirrjen duo” për projekt-propozim dhe investim në zhvillimin e të ashtuquajturit “Korpus të Inspektorateve dhe Shtëpisë së re të Fëmijëve Zyber Hallulli”.

Ajo e shtyu afatin fillestar, që ishte deri më 15 tetor, (deri më 27 tetor) dhe sot, dy ditë pas përfundimit të këtij afati nuk ka njoftim zyrtar se çfarë është bërë me të.

Thirrja parashikonte zhvendosjen e zyrave dhe jetimores në rrugën “Gramoz Pashko”, në zonën ku deri në vitin 1990 kishin rezidencat diplomatët e Gjermanisë Lindore.

Ndërkohë, trualli prej 7,100 m² pranë Stadiumit Kombëtar “Air Albania” do t’i jepet si incentivë investitorëve privatë me mundësinë për të ndërtuar maksimalisht 60,000 m2 sipërfaqe dhe deri 5 kate nëntokë parkim.

Konkursi do të zhvillohej në dy faza; një fazë për projektimin dhe tjetra për investimin.

Pesë konceptet më të mira do të merrnin nga 40,000 euro shpërblim nga qeveria, një qasje që është ndjekur njësoj edhe në thirrjet e tjera të KISH.

Kufizimi që së paku 50% e truallit të mbetet i lirë – 3,550 m² – garanton që në vendin ku ndodhet aktualisht jetimorja dhe inspektorati të ngrihet një godinë prej 17 katesh.

Investitori privat kushtëzohet me kërkesën që 45% të sipërfaqes së ndërtimit t’ia lëshojë Korporatës, një hapësirë që ka gjasa të shuajë interesin.

Në anën tjetër, Korpusi i Inspektorateve dhe Shtëpisë së re të Fëmijëve Zyber Hallulli, parashikohet të ndërtohet në rreth 5,220 m2 truall ku treçereku i tij do t’i dedikohet hapësirave për gjashtë rezidenca strehimi të rreth 40 fëmijëve 6-15 vjeeç.

Po kështu parashikohen zyra, bibliotekë, laboratorë arti dhe veprimtarie komunitare. Vlen të theksohet se zhvendosja e fëmijëve parashikohet të bëhet vetëm pas përfundimit të ndërtesave të reja.

Drejtoresha: “Nuk kemi dijeni”

Citizens.al kontaktoi drejtoreshën e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, Valbona Imerajn, e cila tha se nuk ishte vënë në dijeni për idenë e zhvillimit.

“Nuk di asgjë, ne po vazhdojmë jetën normalisht dhe përmirësojmë ambientet këtu ku jemi,” u shpreh ajo.

Mungesa e komunikimit me institucionin që përfshihet në një projekt rikonceptimi urban nuk është rast i izoluar. Njësoj, edhe në rastin e projektit të një kulle pranë shkollës “1 Maji”, ku është propozuar rikonceptimi i fasadës dhe hyrjes së shkollës, rezultoi se drejtuesit e saj nuk ishin vënë në dijeni.

Zyrtarisht në thirrjen e KISH, qasja argumentohet të jetë nisur nga kërkesat prej Shërbimit Social Shtetëror dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për ndërtimin e një godine të re.

“[…] për shkak të gjendjes së amortizuar dhe hapësirave të pamjaftueshme të objektit ekzistues,” citohet argumentimi i ministrisë për godinë të re në dokumentin e kualifikimit të KISH.

Qasja në fjalë është e padenjë për qeverinë, e cila hedh 5 milionë euro për të ndërtuar një kopsht të mbyllur në Kryeministri – Parku i Edenit – por që për strehën e rreth 40 jetimëve kërkon ndihmën e privatit.

Xhentrifikimi i Tiranës

Qasja e kërkuar nga qeveria me zyrat dhe jetimoren është një politikë e qartë xhentrifikimi, që parashikon zhvendosjen e shtresave më të varfra në periferi për t’i hapur vend investimeve elitare.

Prirja, e njohur që nga vitet ’60 me përshkrimet e sociologes britanike Ruth Glass, po përsëritet në kryeqytet nën një politikë zhvillimi urban, që favorizon kulla dhe komplekse luksoze.

Zona e Rrugës së Elbasanit, ku ndodhet “Zyber Hallulli”, është tashmë ndër më të shtrenjtat në Tiranë, me çmime mbi 3,000 euro/m².

Kjo i jep më shumë zë faktit se ideja e zhvendosjes së jetimores është shtyrë nga interesat imobiliare.

Fenomeni ka prekur më parë edhe zonën e “5 Majit”, Kombinatin dhe Astirin, ku zhvendosjet janë justifikuar me “zhvillim urban”, teksa ekspertët e kanë quajtur procesin “spastrim social”.

Në shumë raste, këto zhvillime mbajnë firmat e “star-arkitektëve” ndërkombëtarë si Stefano Boeri, Marco Casamonti, si një mënyrë për të legjitimuar ndërhyrjet, por nga ana tjetër duke vepruar kështu janë thelluar kontrastet mes luksit dhe nevojave sociale.

Nga Biblioteka te jetimorja, manovrat e KISH

Zhvillimi në zonën e ish-vilave gjermane qe përmendur nga KISH edhe në thirrjen për ndërtimin e Bibliotekës së re Kombëtare.

Në thirrjen e hapur më 10 janar, ndërtimi i godinës 18-katëshe të konceptuar nga studiot XDGA dhe iRI në ish-Gardën e Republikës kërkohej të zhvillohej nga investitorë privatë, të cilëve u jepej si incentivë mundësia e ndërtimit të një godine multifunksionale me sipërfaqe 60,000 m2 në rrugën “Gramoz Pashko”.

Duke pasur parasysh se zakonisht, gjysma (ose diçka më pak) e truallit (5,220 m2) shfrytëzohet për ndërtim, nga sipërfaqja që ishte lejuar (60,000 m2), kuptohej se KISH ishte angazhuar t’i hapte rrugën ndërtimit të një 20-katëshi në zonën e ish-vilave gjermane.

Sipas KISH Biblioteka e re kërkon një investim prej rreth 20 milionë eurosh, ndërsa qeveria theksoi disa herë se këto para nuk do të dilnin nga buxheti i shtetit.

Ndërkohë, përveç bibliotekës, investitori do të duhej të financonte edhe studiot XDGA-iRI për të detajuar më tej projektin e saj.

Mirëpo, thirrja dështoi dy herë të tërhiqte investitorë brenda katër muajsh dhe u mbyll pa sukses. Me gjasë kjo thirrje u gjykua pa leverdi për privatët duke e lënë qeverinë pa një zgjidhje sa i përket ndërtimit të Bibliotekës Kombëtare.

Pesë muaj më vonë, incentiva për një kullë te ish-vilat gjermane shuhet.

Ashtu siç kishte ndodhur me mënyrën se si u propozua fillimisht, pa një shpjegim paraprak, apo një analizë të mirëfilltë urbane, zona ndryshon destinacion dhe rikonceptohet si seli për “Korpusin e Inspektorateve” dhe jetimoren “Zyber Hallulli”.

Incentiva për një kullë zhvendoset nga zona e ish-vilave te trualli i jetimores, i cili qartësisht ka një interes më të madh për zhvillim imobiliar.

Kjo manovër e KISH nuk e justifikon qëllimin kryesor me të cilin është formuar.

Ndryshimet e propozimeve dhe incentivave pa transparencë, pa konsultime dhe diskutime publike vënë në pikëpyetje objektivin e zhvillimit të pronave shtetërore për interes publik.

Nga ky këndvështrim duket se KISH po sillet më shumë si agjenci imobiliare në favor të privatëve dhe thirrjet e dështuara po i shfrytëzon si mënyrë për ta justifikuar tkurrjen e kërkesave për hapësira publike./Citizens 

 

 

Video

Zohran Mamdani, kryetari i ri i Nju Jorkut, sfidon Donald Trumpin që në ditën e parë! Në fjalimin e fitores, 34-vjeçari demokrat i drejtoi katër fjalë presidentit: “Turn the volume up!” – një mesazh i fortë për t’i bërë të ditur se qyteti nuk ka ndërmend të heshtë. Mamdani, një socialist demokrat me rrënjë emigrante, premton të përballet me politikat e Trumpit, veçanërisht në fushën e imigracionit dhe kostos së jetesës. Agjenda e tij përfshin ngrirje të qirave, kujdes universal për fëmijët dhe masa të reja për të lehtësuar barrën e qytetarëve. “Nëse ka një mënyrë për të ndalur një despot, është duke shkatërruar kushtet që e ushqejnë pushtetin e tij,” tha ai mes duartrokitjeve të mbështetësve.

Humbja në Nju Jork, reagon presidenti amerikan Donald Trump Rezultatet jo të favorshme për republikanët janë pranuar nga vetë Donald Trump, i cili u takua këtë mëngjes me ligjvënës të partisë konservatore. Një ditë pas zgjedhjes historike të Zohran Mamdani si kryetar bashkie i Nju Jorkut, presidenti amerikan pranoi: “Nuk mendoj se ishte mirë për republikanët.” Trump fajësoi mbylljen e qeverisë për humbjen, duke theksuar se sondazhet tregojnë se publiku ia atribuon fajin më shumë atij dhe republikanëve. Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje senatorëve republikanë që të shfuqizojnë filibusterin, një procedurë që lejon debate të pafundme në Senat dhe shpesh bllokon miratimin e projektligjeve. “Është koha që republikanët të bëjnë atë që duhet të bëjnë,” tha ai, duke paralajmëruar se përndryshe partia do të mbetet në një pozitë të pafavorshme.

Një situatë e paprecedentë ka ndodhur në Japoni, ku autoritetet qeveritare kanë urdhëruar ushtrinë të dalë në rrugë e armatosur për të menaxhuar një valë sulmesh nga arinjtë. Trupa ushtarake janë dërguar në rajonin malor, pas një apeli urgjent nga autoritetet lokale, të cilat përpiqen të mbrojnë banorët dhe të kontrollojnë situatën. Operacioni ka filluar në qytetin Kazuno, ku banorëve u është këshilluar të shmangin pyjet e dendura, të qëndrojnë brenda pas errësirës dhe të përdorin zile për të trembur arinjtë që afrohen pranë shtëpive. Që nga prilli, më shumë se 100 sulme të arinjve janë raportuar në të gjithë Japoni, duke shkaktuar 12 viktima.

Drejt Europës vetëm me përgjigje. Se pyetjet nuk i kemi qejf këto kohë…

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme