Sociale 1 Nëntor 2025, 13:31 Nga VNA

Nga Velipoja në Theth: Pabarazia territoriale dhe përfaqësimi në Këshillin Bashkiak të Shkodrës

Ndaje në Whatsapp
Nga Velipoja në Theth: Pabarazia territoriale dhe përfaqësimi

Nga Florian Bjanku, anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës

Në trajtimin e çështjes së përfaqësimit vendor dhe funksionimit real të Këshillave Bashkiakë, një rast domethënës për analizë është ai i Bashkisë së Shkodrës, një bashki me territor të gjerë dhe me sfida të shumta zhvillimi e përfaqësimi.

Si anëtar i Këshillit Bashkiak, më është drejtuar shpesh pyetja: a janë të përfaqësuara realisht të gjitha njësitë administrative në këtë Këshill dhe a funksionon ky institucion sipas rolit që i jep ligji? Përgjigjja nuk është e thjeshtë dhe vlen të shtjellohet me kujdes.

Përfaqësim i pjesshëm, jo funksional

Në mënyrë të përgjithshme, një pjesë e mirë e njësive administrative janë të përfshira në përbërjen e Këshillit, por kjo ndodh më tepër në aspektin e origjinës së kandidatëve sesa në funksion përfaqësues të mirëfilltë.

Shumica e këshilltarëve jetojnë dhe punojnë në qytetin e Shkodrës, ndërsa lidhja me zonën që pretendojnë të përfaqësojnë është shpesh formale dhe e largët.

Kjo e dobëson përfaqësimin real të komuniteteve përkatëse sepse mungon njohja e thelluar me problematikat specifike dhe komunikimi i përditshëm me banorët. Rrjedhimisht, këshilltari nuk funksionon si një zë aktiv i territorit që përfaqëson, por më tepër si pjesë e një strukture politike të centralizuar.

Logjika partiake mbizotëron në vendimmarrje

Një sfidë tjetër është mënyra si funksionon vendimmarrja në Këshillin Bashkiak, e cila zakonisht ndjek linjat partiake.

Këshilltarët votojnë në bllok dhe shumë rrallë ndodhin devijime nga qëndrimi i grupit politik. Në këtë mënyrë, këshilltari shihet më shumë si delegat i partisë që e ka propozuar sesa si përfaqësues i qytetarëve apo i zonës nga vjen.

E kam theksuar edhe në mbledhje të Këshillit: kjo mënyrë funksionimi ka zhvlerësuar ndjeshëm rolin e këshilltarit dhe e ka zhvendosur theksin nga nevojat konkrete të komunitetit drejt një loje politike të centralizuar që përqendrohet në votimin e propozimeve të kryetarit të bashkisë, shpesh pa debat të thelluar.

Për pasojë, gjithnjë e më pak zëra me peshë në komunitet janë të gatshëm të angazhohen në këtë rol. E kjo është një humbje për shoqërinë vendore dhe për vetë demokracinë lokale.

Një administratë pa kapacitet real për të gjithë territorin

Nga pikëpamja e shërbimeve, Bashkia e Shkodrës përballet me një sfidë të madhe në mbulimin e gjithë territorit të saj të zgjeruar.

Ndërsa qyteti i Shkodrës përfiton disi më shumë vëmendje për shkak të qëndrimit të institucioneve, njësitë administrative përreth, nga Velipoja deri në Theth, shpesh trajtohen me një qasje dytësore.

Kjo mungesë ekuilibri nuk është fenomen i ri. Edhe përpara reformës territoriale, dallimet mes qytetit dhe fshatit kanë qenë të ndjeshme.

Por sot, me një territor më të gjerë dhe me më pak burime, situata është përkeqësuar. Nuk ka ndodhur ende një decentralizim real, veçanërisht në aspektin fiskal. Kjo do të thotë që njësitë administrative nuk kanë kapacitete të veta as në vendimmarrje, as në financim dhe varen plotësisht nga qendra.

Administrata bashkiake aktualisht nuk ka kapacitetin, as njerëzor e as financiar, për të garantuar shërbime të barabarta në të gjithë territorin.

Diferencat janë lehtësisht të dallueshme: infrastruktura arsimore në zonat rurale është shpesh në gjendje të amortizuar, rrugët janë problematike dhe ndriçimi publik ose mungon, ose është i pamjaftueshëm.

Thuajse në të gjitha njësitë administrative mungojnë plotësisht mjedise për të rinjtë.

Nuk ka qendra rinore, biblioteka funksionale apo ambiente ku rinia të mund të zhvillojë aktivitete kulturore, sociale apo edukative. Ky boshllëk e bën edhe më të fortë prirjen për shpërngulje dhe boshatisje të zonave rurale.

Rreziku i zbrazjes së periferive

Pabarazia në qasje dhe shërbime ka përshpejtuar edhe një tjetër fenomen shqetësues: braktisjen e njësive administrative nga banorët.

Pa shërbime publike, pa infrastrukturë funksionale, pa përfaqësim real në vendimmarrje, shumë komunitete ndihen të lëna pas dore dhe nuk shohin asnjë arsye për të qëndruar.

Në një bashki si Shkodra, ku pabarazia mes qytetit dhe zonave përreth ka qenë gjithmonë e ndjeshme, përshpejtimi i boshatisjes së njësive administrative është tashmë një fenomen i rrezikshëm që kërkon trajtim urgjent.

Mungesa e investimeve, shërbimeve dhe përfaqësimit të denjë po e thellon më tej këtë hendek, duke i lënë komunitetet jashtë qendrës gjithnjë e më të izoluara dhe të pa-përfshira në zhvillim.

Për një përfaqësim të riformatuar

Në këtë kuadër, besoj se është thelbësore të rishikohet roli dhe struktura e përfaqësimit vendor.

Këshilltari bashkiak nuk duhet të jetë zgjatim i një partie politike, por përfaqësues i një komuniteti konkret, me përgjegjësi për të ngritur problemet e zonës, për të ndjekur zgjidhjet dhe për të kontribuar në planifikimin strategjik të territorit.

Vetëm duke rritur transparencën, ndarjen e kompetencave dhe fuqizimin e njësive vendore mund të rikthejmë besimin e qytetarëve dhe të ngadalësojmë procesin dramatik të zbrazjes. Ndryshe, rrezikojmë të kemi Këshilla Bashkiakë pa komunitete që të përfaqësojnë dhe administrata që qeverisin boshllëk./Monitor

 

Video

Ju flet Evis Sala për dhunën ndaj grave në hapësirën digjitale… e sigurt që nuk e ka parë konferencën e djeshme të shefit te madh

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bagdad është goditur nga një dron ose raketë, sipas një zyrtari të sigurisë irakiane. Sulmi ndodhi pak pasi dy militantë të mbështetur nga Irani u vranë në një bastisje në kryeqytetin irakian. Është hera e dytë që ambasada amerikane sulmohet që nga fillimi i luftës Izrael-SHBA kundër Iranit. Sulmet janë marrë përsipër nga grupe të armatosura pro-iraniane në Irak, të cilat prej ditësh po godasin me dronë dhe raketa bazat amerikane në rajon.

Dhjetëra qytetarë të Lezhës janë mbledhur në sheshin kryesor të qytetit për të përkujtuar 25-vjeçaren Xhuana Nikollaj nga Shëngjini. Pjesëmarrësit ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë fotografisë së saj, duke shprehur dhimbjen për humbjen e të resë dhe solidaritetin me familjen në këtë moment të vështirë. E reja dyshohet se i dha fund jetës pas një periudhe të vështirë personale dhe dhunës nga ish-bashkëshorti i saj. Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe debat në opinionin publik, ndërsa qytetarët kërkuan më shumë vëmendje dhe mbështetje institucionale për rastet e dhunës në familje.

Një grup prej rreth 20 grabitësish të maskuar realizuan një grabitje në dyqanin e bizhuterive “Kumar” në Kaliforni, duke marrë mallra me vlerë mbi 1.4 milion dollarë brenda rreth 70 sekondash. Sipas autoriteteve, grabitësit thyen vitrinat me çekiçë dhe morën rreth 75–80% të bizhuterive të ekspozuara, para se të largoheshin me automjete që i prisnin jashtë. Policia arrestoi katër të rinj të moshës 19–20 vjeç pasi ndaloi një prej automjeteve të përdorura për arratisje, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vijojnë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme