Sociale 8 Nëntor 2025, 10:47 Nga VNA

Nga Spaçi në Marinzë, punonjësit e nëntokës në protestë për siguri dhe dinjitet

Ndaje në Whatsapp
Nga Spaçi në Marinzë, punonjësit e nëntokës

Prej gati një muaji, minatorët e Spaçit kanë dalë nga nëntoka për të protestuar për të drejtat e tyre, që mbulohen prej vitesh nga errësira e galerive. Të rraskapitur në punë me orë të zgjatura për 30 Euro dita, minatorët kërkojnë që të legjitimojnë sindikatën e tyre për kushte më të mira pune dhe siguri.

“Të gjithë punëtorët po të shkojnë te spitali janë me mushkëri të bllokuara, me silikozë dhe me probleme nga më të ndryshmet,” thotë Kastriot Prenga, një prej minatorëve të Spaçit.

Rreth 150 kilometra më në jug të vendit, në fushën naftëmbajtëse të Marinzës në Fier, një tjetër betejë po zhvillohet nga naftëtarët e kompanisë “Bankers Petroleum”. Prej dy javësh në grevë urie, naftëtarët kërkojnë gjithashtu paga të denja dhe kushte minimale pune mes helmeve të përditshme që lëshon nafta.

“Jo vetëm unë, por të gjithë ne jemi me fenole në gjak. Këtu po punove katër-pesë vite, të gjithë janë me fenole në gjak,” thotë Sotiraq Dhimo, njëri prej naftëtarëve grevistë. “Kompania na i bën vetë analizat dhe i nxjerr të gjitha në rregull,” tha ai me mosbesim.

Shqipëria është një vend me burime të pasura minerare dhe hidrokarbure, por ka dështuar në dekada që t’i transformojë ato në burim mirëqënieje për qytetarët. Të shfrytëzuara prej vitesh përmes koncesioneve të debatueshme, burimet natyrore duket se janë kthyer në mallkim për punonjësit e industrive nxjerrëse.

Në minierën e Spaçit, ky është ditari mujor i një minatori. Janë 36 ditë pune, sepse shpesh punojnë 16 orë në galeri për të plotësuar një pagë dinjitoze për familjen. Aksidentet në minierë janë gjithashtu të shumta, por protestuesit thonë se shumica prej tyre nuk raportohen.

Dritan Lleshi, kryetar i sindikatës së minatorëve thotë se gjatë viteve të fundit, shumë prej incidenteve janë manipuluar.

“Traditë e kësaj kompanie ka qenë që i kanë kërkuar minatorëve të thonë se jemi dëmtuar jashtë vendit të punës, që të mos shënohet si incident në punë,” thotë Lleshi për BIRN. “Ja, ky kolegu këtu është aksidentu së fundmi, i ka rënë një gur,” shtoi ai, duke treguar me dorë nga minatori  Lekë Gjergji.

“Prej Zotit kam shpëtu lehtë me gurin që më ra në galeri,” thotë Gjergji, ndërsa shton se kompania i ka shënuar ditët e raportit si ditë pune.

Kompania Tete Albania, e cila menaxhon përmes një koncesioni minierën e bakrit në Spaç, i mohon pretendimet, ndërsa bën rezistencë për njohjen e sindikatës së minatorëve. Përmes një përgjigje me shkrim, kompania i tha BIRN se ofron standardet më të larta të protokolleve të sigurisë, kushteve të punës dhe paga mbi nivelin mesatar të tregut.

“Dokumentet që provojnë përfaqësimin duhet të paraqiten si pjesë e kërkesës për nisjen e negociatave. Kjo u bë e qartë dhe u kërkua nga përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit gjatë takimit tonë ndërmjetësues me përfaqësuesit e Konfederatës dhe dokumente të tilla ende nuk janë paraqitur,” deklaroi Tete Albania.

Minatorët ankohen se kompania po hakmerret me shkarkime të paligjshme nga puna, ndërkohë që këmbëngulin se nuk do të tërhiqen nga të drejtat e tyre.

“Ne mendojmë se është e drejtë e ligjshme për të pasë sindikatë dhe kontratë kolektive, që të jemi të mbrojtur,” tha Lleshi, i zgjedhur si drejtues i Sindikatës.

“Nuk e kemi ndjerë veten të mbrojtur asnjëherë. Konkretisht tani e ndjejmë veten të braktisur nga shteti, sepse mesa duket, na ka shitë megjithë pasurinë minerare,” shtoi ai.

Ndryshe nga minatorët në Spaç, naftëtarët e Marinzës e kanë sindikatën dhe kontratat kolektive të punës, por u detyruan që të futen në grevë urie pasi kompania nuk i respekton sipas tyre marrëveshjet.

Aktualisht, kompania Bankers Petroleum po hetohet nga Prokuroria për një skemë mashtrimi 20 vjeçare, që dyshohet se i ka shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit. Të informuar për diferencat e mëdha në paga mes drejtuesve të kompanisë, naftëtarët thonë se nuk do të tërhiqen nga greva pa u plotësuar kërkesat e tyre.

“Kompania ka deklaruar se nuk kemi mundësi për rritjen e fondit të pagave për punonjësit. Por në të vërtetë nuk është kështu, sepse ajo që kemi kërkuar për 400 punonjësit shqiptarë është sa paga e një kinezi,” tha Dritan Shahu, kreu i sindikatës së naftëtarëve duke iu referuar drejtuesve të huaj të kompanisë.

“Ka dalë në përgjimet e Prokurorisë se merr 850 mijë euro në vit. Kaq kërkojmë edhe ne për 400 veta,” shtoi ai.

Kompania Bankers Petroleum pretendon se ofron paga të mira, bonuse dhe mbulim shëndetësor për të gjithë punonjësit e saj dhe i konsideron kërkesat e grevistëve si të pabazuara në fakte dhe vërtetësi.

Por punonjësit e naftës e konsiderojnë këtë reagim një fyerje.

“Kjo është absurde, është fyerje,” thotë inxhinieri i naftës, Eduard Mita.

“Unë jam lindur e rritur këtu në Marinzë dhe dua që fëmijët e mi të rriten në vendin tim…. Jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund me çfarëdolloj kushti,” shtoi ai.

Në betejën e tyre për siguri dhe dinjitet, punonjësit e industrisë nxjerrëse kërkojnë ndërhyrjet e institucioneve shtetërore për zgjidhur mosmarrëveshjet – të zhgënjyer se kërkesat e tyre kanë rënë deri më tani në vesh të shurdhër.

“Ne e themi me zë e figurë që kemi këto probleme dhe nuk ka reagim. Kur do të kujtohen, kur të mos mbetet asnjë këmbë njeriu këtu,’ pyet Shahu.

Për kryetarin e Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, punonjësit e industrisë nxjerrëse vuajnë pasojat e kontratave korruptive dhe mungesës së sindikatave që luftojnë për sigurinë, shëndetin dhe të drejtat e tyre në punë.

“Çfarë e bën të veçantë rastin e naftëtarëve dhe minatorëve është fakti se këtu bëhet fjalë për investime të cilat kanë zaptuar pasurinë publike. Pra, nafta dhe mineralet janë pronë e popullit shqiptar dhe punëtorët janë të fundit që përfitojnë nga kjo pasuri,” tha Qori, duke shtuar se të vetmit përfitues janë koncesionarët dhe zyrtarët politikë që ua kanë dhënë këto koncesione ndër vite./BIRN/

Video

Në 2030 do ikni se keni qejf, jo se po ju përzë unë.

Një moment i veçantë humori shënoi takimin e djeshëm mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban në Shtëpinë e Bardhë. I irrituar nga pyetjet, Trump reagoi duke theksuar se “asnjëherë nuk ka refuzuar të flasë për inflacionin”, dhe se “situata tani është shumë më e mirë se në kohën e Bidenit”. Në atë moment, në sallë hyri zëdhënësja e tij, Karolyn Leavitt. Trump i tregoi për debatet me gazetarët, dhe ajo reagoi menjëherë me tone të ashpra: “Është për të ardhur keq që gazetarët këtu harrojnë të përmendin faktin se ju trashëguat krizën më të rëndë të inflacionit në historinë moderne amerikane dhe po e korrigjoni atë për më pak se dhjetë muaj,” deklaroi Leavitt. Ajo shtoi se lufta kundër rritjes së çmimeve është prioriteti i përditshëm i presidentit Trump, edhe pse “mediat heshtin për këtë”. Deklaratat e saj duket se impresionuan kryeministrin hungarez, i cili me humor i tha Trumpit: “A mund ta marr për vete?” Trump qeshi dhe iu përgjigj: “Karolyn, kryeministri do të të ketë në Hungari.” Më pas, duke vazhduar në të njëjtin ton miqësor, Trump e përgëzoi Orbanin për “shijen e mirë” dhe i kërkoi me shaka zëdhënëses së tij të mos largohej prej tyre.

Protestuesit ndërprenë një shfaqje nga një orkestër izraelite në Paris, duke denoncuar gjenocidin e Tel Avivit në Gaza dhe duke akuzuar institucionet kulturore izraelite për larjen e krimeve të luftës. Aktivistët pro-palestinezë demonstruan gjithashtu jashtë performancës së të enjtes mbrëma në sallën e koncerteve të Filharmonisë së Parisit. Tensionet për luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza janë derdhur shpesh në protesta në Francë.

Kur jeta të gjunjëzon dhe duket sikur ke humbur gjithçka e vetmja rrugë është të mos dorëzohesh por të ecësh përpara 26-vjeçari Mauro Glorioso, i cili mbeti i plagosur rëndë pas aksidentit të janarit 2023 te Murazzi në Torino, sot është diplomuar në Mjekësi dhe Kirurgji në spitalin “Le Molinette”. Ngjarja ndodhi mbrëmjen midis 20 dhe 21 janarit 2023, kur Mauro ndodhej me disa miq buzë lumit Po, në pritje për të hyrë në një lokal. Ai u godit nga një biçikletë elektrike që ishte hedhur nga lartësia e argjinaturës së Murazzit dhe mbeti i plagosur shumë rëndë. Për këtë aksident, një vajzë 20-vjeçare u dënua në shkallën e parë të gjyqit. “Është një emocion i madh, një rrugëtim i gjatë — është e bukur ndjesia kur arrin objektivin tënd, pavarësisht gjithçkaje,” tha Mauro. “Kam mësuar të përballem me një problem në një kohë: i pari ishte të diplomohem, tani mund të mendoj për të ardhmen dhe projektet e mia.”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme