Sociale 11 October 2025, 10:02 Nga VNA

Në Tiranë, uji i pijshëm rrjedh vetëm në premtime

Ndaje në Whatsapp

Në Tiranë, uji i pijshëm rrjedh vetëm në premtime

Natasha Muçi, 69 vjeçe, u gjend ligsht natën e 3 shtatorit. Me të shoqin që lëngon nga sëmundja në shtrat dhe temperaturat ende të larta në Tiranë, Natashës i duhej ujë në shtëpi, por ujë nuk kishte. Në shtëpinë e familjes Muçi, ngjitur me Ministrinë e Jashtme në Tiranë, rubineti nuk pikonte gjatë gjithë ditës.

Gruaja ankohet se uji mungonte tërësisht prej ditësh, por edhe kur kishte, furnizimi është me orar.

“Furnizohemi me ujë nga ora 6:00 deri në 8:00 të mëngjesit; në orën 13:00 vjen vetëm për një orë, dhe ka raste pasdite nuk kemi fare,” tha ajo.

Në prani të kësaj reportereje, Muçi telefonoi Ujësjellësin e Tiranës, por tre telefonata shkuan pa përgjigje. E moshuara thotë se edhe kur telefoni hapet, përgjigjet janë “arrogante dhe josqaruese”.

“Kemi marrë edhe numrin e gjelbër të UKT-së, por nuk përgjigjen. Kur përgjigjen thonë që zona 1 ka ujë, ndërkohë që ujë nuk ka,” shtoi gruaja e dëshpëruar.

Ndërsa 69-vjeçarja i mbante sytë nga rubineti, kryeministri Edi Rama premtonte nga televizori reformë të thellë në ujësjellësa dhe heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve, që shpesh janë shpresa e vetme e furnizimit me ujë në kryeqytet.

“Kjo është dhe koha për të filluar dhe punën hap pas hapi me planin e heqjes të depozitave që janë kthyer në pesha të jashtëzakonshme mbi pallate”, tha Rama në një fjalim të gjatë, ku për mungesën e ujit fajësoi lavazhet dhe abuzuesit.

Por ndërsa Rama fliste për një situatë të përmirësuar të furnizimit me ujë dhe premtonte reforma, lagje të tëra në kryeqytet ishin pa ujë në javët e para të shtatorit. BIRN foli me banorë në Njësitë Administrative 1, 2 dhe 10 që i përkasin qendrës së qytetit, ndërsa gjeti një situatë edhe më të rëndë në zonën e Astirit në periferi.

Përfaqësues të opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës fajësojnë qeverinë për premtimet e pambajtura të furnizimit me ujë të banorëve të Tiranës.

“Mungesa e ujit është e dukshme te bidonët që blihen në markete. Qytetarët paguajnë dy herë: një herë faturën e UKT-së dhe një herë bidonët me ujë të blerë në market, duke u kthyer viktimë e mashtrimit institucional,” tha Ilir Alimehmeti.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Tiranë, UKT mohoi mungesën e ujit në lagje të tëra të kryeqytetit gjatë shtatorit. Në një përgjigje me shkrim më 23 shtator, Ujësjellësi tha se kryeqytetasit merrnin 17.3 orë ujë në ditë dhe se mungesat ishin prej defekteve dhe të shkurtra.

“Aktualisht nuk kemi lagje pa furnizim me ujë të pijshëm. Por kemi shtëpi dhe banesa të cilat janë në kuota më të larta dhe jashtë limiteve të kufijve teknikë,” tha Ujësjellësi.

Uji rrjedh vetëm në premtime

Në Tiranë, uji i pijshëm rrjedh vetëm në premtime

Uji i pijshëm është një nga pikat kyçe të fushatave elektorale lokale dhe qendrore në Tiranë. Në tre dekadat e fundit, kryebashkiakët dhe kryeministrat i kanë përsëritur shpesh premtimet për furnizim pa ndërprerje të qytetarëve të Tiranës.

UKT nga ana e tij mohon tërësisht problemet me furnizimin e ujit.

“Nuk ka mungesë uji të pijshëm në qytetin e Tiranës. Mund të ketë shkëputje ose reduktime të përkohshme në raste defektesh”, i tha UKT BIRN. Kompania këmbënguli se ajo që e quajti disbalancë në furnizim vinte për shkak të shpërdorimit të ujit në rrjet nga përdoruesit dhe ndërhyrjet në rrjet.

“Sasia e ujit të pijshëm llogaritet për frymë dhe jo për shpërdorim të tij, shpërdorimi i ujit të pijshëm nga individët për arsye të ndryshme si dhe ndërhyrjet në rrjet janë shkaktarët kryesorë të disbalancës së shpërndarjes së ujit”, thuhet në përgjigjen zyrtare.

Këto deklarata nuk i bëjnë përshtypje Erinda Lukës, e cila jeton me babanë e saj në Astir. Ajo thotë se ka dekada që dëgjojnë premtime për ujë të rrjedhshëm dhe asgjë nuk ndryshon.

“Na kanë thënë prej dekadash se do të ketë ujë 24 orë, por kjo nuk ndodh kurrë,” tha Luka.

Duke iu referuar “luftës” së kryeministrit me depozitat, Luka thotë se kjo do i linte ata pa asnjë shpresë për ujë. “Depozitat janë shpëtimi ynë, nuk mund t’i heqin. Prej premtimeve vetëm fjalë kemi marrë”, thotë ajo.

Një familje në njësinë administrative 10 në qendër të Tiranës e ka vendosur depozitën me pompë në ballkonin e shtëpisë si e vetmja zgjidhje për të pasur ujë.

“Kam katër fëmijë, më i vogli është 3 vjeç, për të mbijetuar dhe jo jetuar kam sajuar depozitën brenda në shtëpi edhe pse bën zhurmë, s’kam çfarë bëj”, thotë kryefamiljari dhe kërkon të jetë anonim pasi bashkëshortja punon në administratë.

Ai thotë se uji mungon vazhdimisht dhe nuk mund të përdoret për të pirë. Premtime edhe ai ka dëgjuar, madje edhe në shkallët e pallatit ku ka hasur kandidatë për fushatë.

“Po ngjitesha në shkallë, kur hasa me një deputet të PS. Më pyeti për problemet e zonës, përveç rrugës më jetësore është uji i thashë. Qeshi e më tha do e sjellim sepse do hyjmë Evropë. Ç’ Evropë e zezë thua, në nevojtore të shkojmë s’kemi ujë”, thotë ai i revoltuar.

Edhe kur vjen, vjen i ndotur

Në Tiranë, uji i pijshëm rrjedh vetëm në premtime

Gjykata e Tiranës shpalli në vitin 2021 se uji i kryeqytetit nuk është i pijshëm, pas një procesi katërvjeçar që evidentoi mungesën e përputhjes së cilësisë me standardet ligjore. Por edhe pas vendimit të gjykatës, ajo që qytetarët marrin në rubinet është e njëjtë. Uji mban erë dhe shpesh është i turbullt.

Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Bashkiak për Partinë Demokratike thotë se cilësia e ujit rrezikon banorët e qytetit.

Sipas tij, rreziqet e ujit ndahen në dy kategori: mikrobiologjike dhe kimike.

“Analizat tregojnë praninë e baktereve Escherichia Coli dhe Streptococcus fecalis, që dëshmojnë kontaminim me ujërat e zeza — sidomos në zonat e mbipopulluara si Astiri dhe Kombinati”, thotë Alimehmeti me profesion mjek.

Ai shton gjithashtu se në Tiranë përdoret sasi e madhe e klorit, që po ashtu është mjaft e dëmshme.

“Në të njëjtën kohë, klorimi i ujit përdoret në nivele mbi normat, duke e bërë atë potencialisht kancerogjen në afat të gjatë dhe të dëmshëm për organet e trupit. Pasojat shëndetësore përfshijnë gastroenteritet e shpeshta, hepatitet dhe rreziqe tumorale që shpesh nuk evidentohen zyrtarisht,” shtoi Alimehmeti.

UKT mohoi që uji të kishte probleme. Sipas tyre, burimet ujore janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e qytetit. Cilësia e ujit monitorohet çdo ditë nga dy laboratorë brenda UKT-së, dhe parametra si aroma, shija, ngjyra dhe turbullira mbahen sipas standardeve kombëtare dhe rekomandimeve të OBSH-së. “Niveli i klorit mbahet brenda vlerave 0.3–0.5 mg/l, duke e bërë ujin të sigurt për konsum,” deklaroi UKT.

Por Erges Eskiu, banor i njësisë 2 në Tiranë thotë se uji përveç se i vjen me orare të kufizuara, shpesh nuk është i përdorshëm. “Për fëmijët duhet të blej ujë të ambalazhuar, pasi uji i rubinetit është i turbullt dhe ka erë të fortë klori”, thotë ai.

Kryefamiljari tregon se për shkak se uji i rubinetit nuk mund të pihet, shpenzimet mujore rriten me 5 mijë lekë të reja.

“Dmth fatura e UKT shkon 2300-2700, plus uji që blejmë për të pirë, 2400 lekë në muaj kam llogaritur. Rreth 5000 lekë”, llogarit ai./BIRN/

 

 

Video

Check-up nën presion, ndërsa Operatori i Sterilizimit nxiton me tenderin 17,7 milionë euro për kitet dhe reagentët. Për katër nga pesë lotet janë shkurtuar afatet e ofertimit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën dhe kohën që u lihet kompanive për t’u përgatitur. A do të garantojë nxitimi një garë reale dhe të barabartë?

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

Check-up nën presion, ndërsa Operatori i Sterilizimit nxiton me tenderin 17,7 milionë euro për kitet dhe reagentët. Për katër nga pesë lotet janë shkurtuar afatet e ofertimit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën dhe kohën që u lihet kompanive për t’u përgatitur. A do të garantojë nxitimi një garë reale dhe të barabartë?

Dokumentari “NAZA”, i cili trajton përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë sulmeve në Gaza, u prit me 25 minuta duartrokitje në këmbë në Festivalin e Filmit në Venecia, më 10 shtator. Publiku brohoriti dhe valëviti flamuj palestinezë gjatë shfaqjes së filmit. I realizuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, dokumentari e merr titullin nga një term ushtarak izraelit që, sipas autorëve, lidhet me numrin e viktimave civile të parashikuara dhe të konsideruara të pranueshme përpara një sulmi. I xhiruar gjatë natës në tarracat e ndërtesave të Tel Avivit, filmi pretendon se zbulon sistemet teknologjike që qëndrojnë pas përzgjedhjes së objektivave palestineze në Gaza. Në të përfshihen intervista me oficerë të inteligjencës izraelite, të cilët tregojnë se si sistemet e asistuara nga inteligjenca artificiale përpunonin të dhëna të siguruara nga mijëra telefona celularë të hakuar për të identifikuar objektivat. “NAZA” është në garë për çmimin “Luani i Artë”, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 12 shtator.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme