Në Tiranë, tarifa maksimale për orë e sanitareve të punësuara nga familjet vijon të jetë 1,000 lekë, e njëjtë me Italinë dhe Spanjën dhe më shtrenjtë se sa në Greqi. Kompanitë e pastrimit pohojnë se arsyeja e kryesore e tarifave të larta të pastrimit mbetet pakësimi i fuqisë punëtore për shkak të emigracionit. Në vitin 2025, në portalin “Çelësi” është shënuar një numër rekord njoftimesh për punësim sanitaresh në familje, me rritje 20% krahasuar me 2024. Por si është luhatur kërkesa?
Nëse punëson një pastruese në Tiranë, tarifat për orë vijojnë të mbeten të larta, krahasuar me Greqinë, dhe arrijnë në nivele të ngjashme me Italinë.
Një pastruese në Tiranë, nëse punon me orë dhe jo me kontratë të qëndrueshme, paguhet nga 800 deri në 1,000 lekë për orë. Pagesat për orë të punonjëseve të pastrimit janë në nivele të ngjashme me vendet europiane.
Sipas të dhënave të “Economic Research Institute”, në disa shtete të Europës pagesa për pastruese në Itali dhe Spanjë është rreth 10 euro/orë, në Gjermani dhe Holandë 15 euro/orë, në Francë 11 euro/orë dhe në Greqi, 7 deri në 8 euro/orë.
Në Nju Jork, pagesa arrin 18 USD/orë, ndërsa në Boston deri në 19 USD/orë.
Pagesat mujore për punonjëse pastrimi për ambiente shtëpie në Tiranë, për 6 deri në 8 orë në ditë, variojnë nga 70 mijë deri në 120 mijë lekë në muaj, kjo është tarifa maksimale për ambiente banimi me sipërfaqe të madhe.
Pavarësisht pagesave të larta, tregu vuan nga mungesa e theksuar e fuqisë punëtore, ndërsa kërkesa sipas operatorëve të ndërmjetësimit për punësim dhe të pastrimit është luhatur.
Agjencitë e ndërmjetësimit pohojnë se kërkesa për punësim të grave në pozicione pune, si sanitare në shtëpi me orë apo amvisa (që kujdesen për mbarëvajtjen e punëve të shtëpisë dhe për gatimin) edhe pse rezulton më e lartë sesa kërkesa për dado fëmijësh apo kujdestarë të moshuarish, nuk arrin të konkretizohet, pasi shumë klientë stepen nga pagesat e larta dhe orientohen drejt agjencive të pastrimit.
“Tarifat që arrijnë deri në 1,000 lekë për orë janë faktor pengues për punësimet.
Aktualisht ka kërkesa të shumta nga familjet në Tiranë për punësimin e grave në pozicione sanitare apo amvise për 2 deri në 5 orë pune, me kohëzgjatje 2 deri në 3 ditë në javë. Por për shkak të tarifave të larta, këto kërkesa shpesh nuk realizohen.
Kryesisht parapëlqehet marrja e shërbimit nga kompanitë e pastrimit, pasi puna është me eficiente, pasi dërgohen 2 apo 3 pastruese në varësi të madhësisë së shtëpisë dhe pagesa është më e leverdishme sesa për punësime individuale”, nënvizon Albana Uku, drejtuese e një prej Agjencive të Ndërmjetësimit për punonjëse.
Vetë kompanitë e pastrimit pohojnë se kërkesa për shërbime pastrimi është me luhatje.
Fiqiri Allmuça, nga kompania e pastrimit “Silvio”, e specializuar për ofrime shërbimesh pastrimi të përditshme në biznese dhe të veçantë në familje, tha për “Monitor” se kërkesa për sanitare në shtëpi, qoftë me orë apo me kohë të plotë, është e lartë, por problemi mbetet oferta. Sipas tij, numri i grave që punojnë si sanitare në ambiente shtëpie është shumë i ulët. Shkaku kryesor mbetet emigracioni, jo për motive punësimi, por kryesisht për bashkime familjare.
Ndërsa, Merita Merkaj drejtuese e kompanisë “Mario Professional Cleaning” thotë se kërkesa për pastrime nga familjet është në rënie. E pranishme prej 20 vitesh në tregun e pastrimit, zonja Merkaj shpjegon se tkurrja e kërkesës po ndikohet nga shtimi i kompanive që operojnë në informalitet.
Kërkesa për sanitare sipas njoftimeve online
Në vitin 2025, në portalin “Çelësi” është shënuar një numër rekord njoftimesh për punësim sanitaresh në familje. Sipas të dhënave të marra nga databaza “Çelësi” dhe agjencia e rekrutimit “Profesionisti”, për vitin 2025 u publikuan 5,179 njoftime për punësim sanitarësh në familje. Krahasuar me vitin 2024, numri i njoftimeve është rritur me 22%.
Në vitin 2024 u publikuan 4,245 njoftime. Në raport me 2023, numri i tyre u rrit me 1%. Për vitin 2023, numri i njoftimeve për punësim sanitare arriti në 4,215. Krahasuar me vitin paraardhës, numri i tyre u ul me 3%.
Drejtues të agjencisë së rekrutimit “Profesionisti” shpjeguan për “Monitor” se rritja e numrit të njoftimeve për punësim sanitarësh në familje në 2025 nuk reflekton drejtpërdrejt shtimin e vendeve të reja të punës. Sipas tyre, kjo rritje lidhet kryesisht me krijimin e vendeve të lira të punës për shkak të daljes në pension të shumë zonjave, si dhe me lëvizjet e brendshme nga një vend pune në tjetrin.
Nga totali i njoftimeve për 3 kategoritë më të kërkuara për t’u punësuar në familje, përfshirë sanitare, dado dhe kujdestarë të moshuarish për vitin 2025, pesha e njoftimeve për punësim pastruese arriti 32%, ndërsa për dado, 8%, dhe për kujdestarë familjesh, 60%. Krahasuar me vitin 2024, pesha e njoftimeve për sanitare në familje u rrit me 3%.
Në vitin 2025, sipas të dhënave për punësim sanitaresh nga bizneset u publikuan 8,843 njoftime. Në raport me 2024, numri i tyre u rrit 15%.
Mungesa e fuqisë punëtore mban të larta pagesat për pastruese
Sipas të dhënave nga tregu vendas, pagesat për sanitare në ambiente shtëpie vijojnë të jenë të larta. Nëse nuk punësohet individualisht një pastruese, pagesat për orë variojnë nga 800 deri në 1,000 lekë. Pagesat fikse mujore për sanitare luhaten nga 70 mijë deri në 80 mijë lekë dhe në raste të veçanta arrijnë deri në 120 mijë lekë, kryesisht për shtëpi të mëdha si vila me disa kate dhe shumë dhoma.
Për pagesat fikse, orari i punës zgjat nga 6 deri 7-8 orë në ditë.
Për shërbim pastrim të detajuar të ambienteve të banimit, nga agjencitë e pastrimit, siç shpjegon edhe drejtuesi i kompanisë “Silvio”, zoti Fiqiri Allmuça dërgohen dy punonjëse për më shumë efikasitet. Pavarësisht orëve të qëndrimit, pagesat ditore për shërbimin variojnë nga 10 mijë deri në 15 mijë lekë. Produktet e pastrimit për ambientet e shtëpisë sigurohen nga kompania.
Zoti Allmuça shton se klientët që kërkojnë në mënyrë të qëndrueshme këtë shërbim e bëjnë zakonisht një herë në javë dhe janë kryesisht individë që zotërojnë shtëpi të mëdha banimi. Megjithatë, sipas tij, problemi kryesor mbetet mungesa e fuqisë punëtore dhe në shumë raste, për kryerjen e shërbimit profesional të pastrimit, është i detyruar të dërgojë edhe vetëm një pastruese.
“Pagesat për punëtoret e pastrimit janë në nivele të ngjashme me shtetet fqinje europiane si Italia dhe Greqia dhe pak më të ulëta sesa në Gjermani. Rritja e pagesave është ndikuar nga mungesa e fuqisë punëtore. Veçanërisht në dy-tre vitet e fundit, bizneset po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore”, – thotë ai.
Edhe Merita Merkaj, nga kompania “Mario Professional Cleaning”, pohon se gjetja e punonjësve është bërë gjithnjë e më e vështirë. Nëse disa vite më parë, numri i të punësuarve në kompani arrinte deri në 15 punonjëse, aktualisht ky numër është reduktuar ndjeshëm.
“Nëse kostoja për pastrimin e një ambienti banimi arrin deri në 20 mijë lekë (për pastrim të detajuar për dy ditë), pastruesja që dërgohet për punë paguhet nga 3,000 deri në 4,000 lekë në ditë. E njëjta pagesë vlen për pastruesen edhe nëse punohet më pak orë. Pra, pavarësisht orëve të punës, pastruesja paguhet deri në 4,000 lekë në ditë. Shtrenjtimi i tarifave është ndikuar nga mungesa e fuqisë punëtore.
Për të garantuar qëndrueshmërinë e numrit të stafit, përveç punonjëseve me pagesa ditore, kemi të punësuara edhe punonjëse me pagesë mujore. Pavarësisht ditëve të punës, për shembull një pastruese me rrogë fikse, edhe nëse punon deri në 10 ditë në muaj, paguhet me një pagë prej 50 mijë lekësh në muaj.
Pagesat për fuqinë punëtore përbëjnë pjesën më të madhe të kostos, përfshirë edhe koston e lartë të produkteve të pastrimit. Për shkak të këtyre kostove të larta, veçanërisht të fuqisë punëtore, marzhet e fitimit arrijnë deri në 10% të pagesave për çdo shërbim.
Pagesat për pastruese arritën rekord në vitin 2024. Sipas të dhënave nga tregu gjatë, periudhës, tarifat varionin nga 500-800 deri në 1,000 për orë që u konsiderua si pagesa maksimale. Krahasuar me 2023, pagesat për orë u rritën rreth 25%. Për të siguruar të ardhura deri në 1 mijë euro në muaj, ishin të shumta gratë që punësoheshin me orare fleksibël në dy apo tre familje.
Për drejtuesit e kompanive të pastrimit, shtrenjtimi i tarifave për pastruese vijon të ndikohet tërësisht nga mungesa e ofertës për fuqi punëtore.
Fiqiri Allmuça, nga kompania e pastrimit “Silvio” dhe Merita Merkaj nga kompania “Mario Professional Cleaning”, nënvizojnë se mungesa e fuqisë punëtore po ndikohet nga emigracioni, jo vetëm për pagesa më të larta për punë të ngjashme, por edhe nga largimi jashtë për arsyen e bashkimit familjar.
Blerina Gjyriqi, drejtuese e kompanisë së pastrimit “Debora S Clean sh.p.k.”, pohoi më herët për “Monitor” se emigracioni po ndikon në pakësimin e ofertës së fuqisë punëtore, për rrjedhojë, edhe te shtrenjtimi i pagesave për gratë e pastrimit.
“Vihet re që shumë gra sanitare po emigrojnë jashtë vendit për punë të ngjashme. Emigrimi ka ulur ofertën për punonjës në tregun e pastrimit, teksa vijon të mbizotërojë kërkesa e lartë. Nga ana tjetër, vihet re që disa prej tyre që kanë emigruar për të përfituar leje qëndrimi, dhe pas dy-tre vitesh pritjesh në qendrat e azilit nuk kanë arritur ta sigurojnë, po kthehen sërish në Shqipëri”, nënvizoi më herët zonja Gjyriqi.
Në faqet online të agjencive të ndërmjetësimit gjenden njoftime të shumta të publikuara për gra shqiptare, me qëllim punësimin në pozicione si pastruese apo amvisa në familje jashtë Shqipërisë.
Bazuar në njoftimet e publikuara online nga agjencitë e ndërmjetësimit, pagesat mujore për amvisa shtëpie në shtete si Zvicra, Gjermania apo Brukseli luhaten nga 1,000 deri në 1,200 euro, me akomodim të siguruar nga familja pritëse dhe dy udhëtime të përfshira.
Kërkesa e biznesit, më e larta për shërbim mirëmbajtje
Për kompanitë e pastrimit, kërkesa nga bizneset është më e lartë për shërbime mirëmbajtjeje.
“Bizneset janë më tepër të interesuara të punësojnë punonjëse për shërbim mirëmbajtjeje. Kjo do të thotë se kërkojnë një sanitare, e cila pastron ambientet e punës dhe mirëmban banjat, me orar pune nga 6 deri në 8 orë në ditë, kundrejt pagesave mujore nga 50 mijë deri në 60 mijë lekë në muaj.
Pra, nuk kërkojnë shërbim me ditë apo orare të caktuara. Për ta është më e leverdishme të kenë një punonjëse që kujdeset çdo ditë për mirëmbajtjen e ambienteve, sesa të paguajnë për ditë apo orë të veçanta”, pohon Merita Merkaj.
Nga pronarët e apartamenteve me qira ditore vazhdon të ketë kërkesë për punësimin e pastruesve, por kompanitë pohojnë se në këto struktura vijon të mos finalizohet kërkesa për shkak të tarifave të larta.
Blerina Gjyriqi nga kompania e pastrimit “Debora S Clean sh.p.k.”, tha më herët se kontrata me këto subjekte nuk arrihet të finalizohet, për shkak të tarifës.
“Nga pronarët e apartamenteve me qira ditore ka kërkesë për punonjëse ditore pastrimi. Por shumica e tyre ngurojnë të paguajnë sanitaren 1,000 lekë ora. Shumë prej tyre e kryejnë vetë këtë shërbim, pasi klientët largohen nga shtëpia e marrë me qira ditore”.
Burime nga tregu pohuan se aktualisht pagesat më të larta mujore për punonjëset e pastrimit ofrohen nga bizneset e call center-ave. Paga mujore për të punësuarat në këto biznese varion nga 800 deri në 1,000 euro në muaj.
Shumë nga kompanitë e pastrimit i konsiderojnë këto pagesa joreale, të cilat po ndikojnë në shtrembërimin e tregut, pasi shumica e bizneseve të tjera nuk janë në gjendje të ofrojnë nivele të tilla pagese.
Punonjës të huaj nga India? Jo faleminderit
Fiqiri Allmuça, drejtues i kompanisë së pastrimit “Silvio”, thotë se pati të punësuar 11 indianë, të cilët rezultuan se nuk ishin produktivë në shërbimin e pastrimit.
Pagesa për ta varionte nga 65-70 mijë lekë në muaj, përfshirë akomodim.
“Marrja e indianëve nuk më rezultoi efikase. Produktiviteti i tyre për këtë lloj shërbimi ishte shumë i ulët. Po ashtu nuk arrinin të përshtateshin me klimën e Shqipërisë. Nuk parashikoj të marr më të huaj për punësim, pasi nuk rezultojnë produktivë. Mendoj se kjo skemë nuk funksionon. Edhe pse pagesat për punonjësit e huaj janë të larta nuk janë produktivë”.
Biznese të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë kanë ngritur disa herë shqetësimin për funksionimin e skemës së punonjësve të huaj, pasi shumica e tyre pas një qëndrimi afatshkurtër, e përdorin Shqipërinë si rrugë tranzite për kalimin drejt Greqisë apo vendeve të tjera të BE-së.
Numri i shtetasve indianë të pajisur me leje qëndrimi në 2025 arriti në 2,339 shtetas. Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, krahasuar me 2024, numri i tyre u rrit 47%.
Në totalin e shtetasve të pajisur me leje qëndrime, të ardhurit nga India përbënë 8% të totalit në 2025, kundrejt 7% që përbënë në 2024.
Në aplikimet e reja për leje qëndrimi në 2025, shtetasit nga India përbënë numrin më të lartë apo 14% të totalit, e ndjekur nga aplikimet e reja nga shtetasit nga Filipinet me 13%, nga Italia me 12%, nga Egjipti 11%, nga Kosova 9%, dhe nga Turqia 7% etj.
Merita Merkaj thotë se për shkak të kërkesës së ulët për shërbime pastrimi dhe kostos të lartë të fuqisë punëtore, për të është e paleverdishme të punësojë të huaj, të cilët duhet të paguhen deri 60 mijë lekë në muaj, përfshirë edhe kostot për akomodimin e tyre.
Megjithatë, për vitin 2025, nga totali i aplikimeve, 65% e tyre ishin për leje unike punësimi, e ndjekur nga aplikimet për bashkim familjar që përbënë 13% apo rreth 5% e tyre ishin për qëllime studimi. Ndërsa numri i shtetasve të huaj që aplikuan për leje të përhershme qëndrimi ishte 40 apo 0.2% të totalit të numrit të aplikimeve për vitin 2025.
Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, nga totali i aplikimeve për 2025, 7,049 apo 36.4% e aplikimeve janë nga femra dhe 12,272 apo 63.6% nga meshkuj./Monitor






















