Sociale 17 Janar 2026, 10:24 Nga VNA

Ëndrra amerikane në pritje, mijëra shqiptarë të prekur nga pezullimi i vizave të emigrimit

Ndaje në Whatsapp

Ëndrra amerikane në pritje, mijëra shqiptarë të prekur

E hënë, 4 prill 2022. Me valixhe në duar, çantë në krahë dhe shumë ëndrra në mendje e zemër, Artina – emër i vendosur nga redaksia e Radios Evropa e Lirë për ta ruajtur anonimitetin e së intervistuarës – u nis drejt SHBA-së.

Në maj të vitit paraprak, ajo ishte përzgjedhur fituese e asaj që njihej si ‘llotaria e Kartës së Gjelbër’, por që në të vërtetë quhet Programi i Vizave të Diversitetit.

Artina ishte nxitur të aplikonte nga partneri i saj. Ky i fundit kishte 12 vjet rresht që aplikonte, pasi të ardhmen e tij s’e shihte askund tjetër përveç në SHBA.

Por, fati deshi që Artina të ishte ajo që ta fitonte mundësinë për të emigruar në SHBA. Që atëherë, zemra e saj ishte e dyzuar mes dy shtëpive: të sajën në SHBA dhe asaj pranë partnerit në Shqipëri.

Qysh në gusht të vitit 2022 ata nisën procesin për bashkim familjar. Të bashkuar i mbanin vetëm vizitat e herëpashershme të Artinës në vendlindje. Kjo distancë iu bë edhe më e vështirë kur ajo mori vesh se ishte shtatzënë.

“Çdo gjë e kam përballuar vetë. Gjatë kësaj periudhe bëja udhëtime pafund drejt Shqipërisë, sepse duhet të ruaja edhe martesën, por edhe vajza të kalonte kohë me babanë… Me shpresën se do të bashkohemi shpejt…”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

E vetme në SHBA, pa familjarë e shoqëri përreth, Artina tregon se ka punuar deri në muajin e fundit të shtatzënisë, ndërsa edhe muajt e parë të mëmësisë u detyrua t’i kalonte e vetme. Tani, ajo më shumë ankohet për “lodhjen mendore” sesa atë fizike.

“Qenka e shëmtuar ndjesia kur e fut jetën tënde në një valixhe, largohesh me ëndrra, punon, sakrifikon që ta bashkosh familjen atje ku po e ndërton jetën nga e para dhe dëgjon se, fiks kur ti arrin afër fundit të sfidës…”, lë në gjysmë fjalinë Artina.

E, pikërisht kur procesi i bashkimit të tyre familjar po i afrohej fundit, SHBA-ja vendosi ta pezullonte përkohësisht lëshimin e vizave të emigrimit nga 75 vende të botës, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.

Ky vendim erdhi pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se të huajt që emigrojnë në SHBA, duhet ta mbajnë veten me punë dhe jo të bëhen barrë e shtetit.

Sipas një fotografie të publikuar nga ai, rreth 41 për qind e emigrantëve nga Shqipëria marrin ndihma sociale në SHBA, ndërsa nga Kosova përqindja ishte edhe më e lartë: 46.

“Nga i thati digjet edhe i njomi”, thotë Artina, duke shtuar se ajo ka qenë një qytetare e përkushtuar e punëtore, që s’ka tentuar thjesht të përfitojë nga shteti amerikan.

Por, tani kur të gjitha proceset e vizave të emigrimit janë pezulluar, ajo do të duhet sërish ta bëjë pa partnerin e jetës rrugën drejt SHBA-së. Këtë herë, edhe me një vajzë 2 vjeçe në krahë.

Në gjendje të ngjashme janë mijëra banorë në Kosovë e Shqipëri. Disa nga ta, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, kanë hezituar t’i ndajnë historitë e tyre, nga frika se kjo mund t’i dëmtojë gjasat e tyre për emigrim në SHBA.

Vitin e kaluar, rreth 3.800 shtetas të Shqipërisë fituan viza të emigrimit drejt SHBA-së, si dhe rreth 650 të tjerë nga Kosova.

Artid Hila nga Shqipëria, i cili punon si konsulent për ndjekje të procedurave të emigracionit dhe vizave të tjera, ka vite që udhëheq edhe një grup në Facebook, ku ndihmon të interesuarit për emigracion në SHBA. Ai thotë se është shqetësuar, por jo befasuar nga vendimi i 14 janarit i SHBA-së.

“Shqetësimi kryesor që dëgjoj çdo ditë, lidhet me pasigurinë totale që ka krijuar pezullimi i përpunimit të vizave të emigracionit. Aplikantët kanë frikë se po ecin përpara me të gjithë hapat e kërkuar nga Departamenti i Shtetit, ndërkohë që ekziston rreziku real që viti fiskal të përfundojë pa u lëshuar vizat”, thotë Hila për REL-in.

Ai tregon se procesi nuk është i thjeshtë: duhet plotësim i disa formularëve, ekzaminime mjekësore, përgatitje e dokumenteve dhe pagesë e tarifave.

“Shumë aplikantë kanë investuar vite pritjeje [në rastet e bashkimeve familjare], qindra apo mijëra dollarë në dokumente, përkthime, kontrolle mjekësore, udhëtime për intervista dhe plane konkrete jetese”, thotë Hila.

Tani, shton ai, ata po përballen me informacione gjysmake dhe shumë lajme të pasakta e të ekzagjeruara, pasi që nuk dihet se deri kur do të zgjasë pezullimi.

Situata të ngjashme, sipas Hilës, ka pasur edhe në të kaluarën, si gjatë pandemisë COVID-19. Por, të ngjashme s’do të thotë identike.

“Dallimi kryesor me situatën aktuale është se sot aplikantët lejohen t’i ndjekin të gjithë hapat proceduralë dhe t’i paguajnë tarifat, por në fund rrezikojnë të mbeten pa vizë, vetëm për shkak të mbylljes së vitit fiskal – një situatë që juridikisht është shumë problematike”, shpjegon Hila.

Ai shton se në shqetësimin e aplikantëve ndikon edhe një vendim tjetër. Në dhjetor të vitit të kaluar, SHBA-ja pauzoi për kohë të pacaktuar Programin e Vizave të Diversitetit, deri kur “ta dimë se kë saktësisht po e lëmë të hyjë në vendin tonë”, siç kishte thënë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Edhe nga ky program kanë fituar shumë shtetas të Kosovës e Shqipërisë ndër vite. Sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Shtetit, në mesin e listës së fundit të përfituesve të këtij programi ishin edhe 1.598 shtetas të Shqipërisë dhe 260 shtetas të Kosovës.

Si fituese e para disa viteve, Artina kishte ndërtuar shumë ëndrra. Por, tani ka shumë pasiguri.

“Po më duket sikur këta katër vjet po fshihen nga jeta sikur të mos ishin asgjë”, thotë ajo, e shqetësuar se ndoshta opsioni i saj i vetëm do të mbetet heqja dorë nga ëndrra amerikane./ REL

Video

Kryeministri kanadez Mark Carney po përpiqet të rikalibrojë marrëdhëniet me Kinën, me këtë qëllim ai po zhvillon një vizitë katërditore në Pekin – vizita e parë e një kryeministri kanadez që nga viti 2017. Ai vlerësoi udhëheqjen e Presidentit Xi Jinping dhe përparimin e marrëdhënieve, duke nxitur bashkëpunim në energji, bujqësi, lidhje njerëzore dhe siguri. Këto përpjekje janë nxitur gjithashtu nga shtysa për të diversifikuar tregjet e eksportit, pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi tarifa mbi disa mallra nga Kanadaja vitin e kaluar dhe sugjeroi se aleati i hershëm i SHBA-së mund të bëhej shteti i 51-të i vendit të tij. Më herët Trump është shprehur se Marrëveshja Tregtare SHBA-Meksikë-Kanada, e cila është për rishikim këtë vit, nuk është relevante për SHBA-në. Në një kohë që historikisht, Kanadaja ka dërguar rreth tre të katërtat e eksporteve të saj në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Kina është partneri i saj i dytë tregtar.

Presidenti Donald J. Trump deklaroi para gazetarëve, jashtë Shtëpisë së Bardhë, se kishte vendosur të mos ndërmerrte sulme ushtarake kundër Iranit. Gazetarët e pyetën nëse ishte ndikuar nga zyrtarë arabë apo izraelitë për të mos e sulmuar Iranin. Trump u përgjigj se vendimi kishte qenë plotësisht i tij. Ai tha se një ditë më parë ishin planifikuar mbi 800 ekzekutime me varje, por ato ishin anuluar dhe askush nuk ishte ekzekutuar, gjë që sipas tij pati një ndikim vendimtar në qëndrimin e tij. Videocredits: FoxNews

SPAK dhe BKH po kryejnë kontroll në një objekt në afërsi të rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë. Mësohet se veprimet po realizohen në kuadër të një hetimi që po zhvillohet në bashkëpunim me partnerë të huaj. https://www.vna.al/kronika/spak-dhe-bkh-kontrolle-ne-nje-pallat-ne-tirane-prane-myslym-shyrit-i18966

Momenti kur policia e Durrësit shoqëron ish-drejtorin burgut të këtij qyteti Indrit Cërrloj

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme