Sociale 12 Prill 2026, 09:18 Nga VNA

Ndërtuesit synojnë bregdetin e Kallmit në Durrës

Ndaje në Whatsapp

Kur automjeti kalon nga Currilat drejt Kallmit, vetëm 3 kilometra larg qendrës së qytetit të Durrësit, gjithçka ndryshon në mënyrë të dukshme.

Ndërtimet shumëkatëshe që vazhdojnë të ngrihen që nga periudha e pandemisë, mbi plazhin e dikurshëm të durrsakëve, ia lënë vendin qetësisë së Kallmit, vija bregdetare me konglomerate zhavorri e të cilit e bën atë një nga zonat më interesante të Adriatikut.

Kodra argjilore, që shkon paralel me bregun deri në Porto Romano për afro katër kilometra, në krahun tjetër gjen rrugën “Aleksandër Goga”, më e gjata në qytetin bregdetar.

Pronat e familjeve të vjetra durrsake në Kallm u njohën që në fillim të viteve ’90, por shfrytëzimi i tyre ka qenë thuajse i papërfillshëm.

“Pas shumë kohe kisha nisur të shfrytëzoj një plazh të vogël në pronën e familjes, por mesa duket duhet të mendoj më shumë për atë që do të përfitoj nga ndërtimi i firmave”, thotë Flor Mara, pasardhës i familjes me të njëjtin mbiemër, ndërsa shtoi se shteti nuk dha asnjëherë leje ndërtimi në këtë zonë, edhe për dhe ata që guxuan të ngrenë diçka me karakter turistik.

Vija bregdetare e gjirit të Durrësit ka regjistruar një zhvillim të vrullshëm, shpesh kaotik, gjatë dy dekadave të fundit, ndërsa kërkesa për apartamente pushimi dhe hapësirë për ngritjen e hoteleve dhe strukturave turistike mbetet e lartë. Zona e Kallmit i ka shpëtuar ndërtimeve me intensitet të lartë për shkak të mungesës së infrastrukturës.

Rruga e ngushtë që çon në Kallm këtë dimër është dëmtuar shumë; ujërat nëntokësore kanë shkaktuar rrëshqitje mbi plazhe në disa vende; ullinjtë e mbjellë në vitet ’60 janë përgjysmuar, ndërsa pasojat e stinës së lagësht duken kudo.

Lajmi i vetëm për këtë territor mbetet interesimi i disa kompanive të mëdha ndërtimore, të cilat kanë filluar të kontaktojnë familjarët për të zhvillimin e pronave.

Rezart Kthupi është një tjetër trashëgimtar, në një nga pronat që ndodhen në Kallm, e cila herë pas here bllokohet nga ujërat e reshjeve dhe ujërat nëntokësore.

Kthupi tha për BIRN se ai ka nënshkruar një marrëveshje me një nga firmat ndërtuese. Sipas tij, e ardhmja e Kallmit varet nga numri i familjeve që do ta pranojnë ofertën e ndërtimit.

Vetëm në këtë rast, sipas tij në Këshillin Kombëtar të Territorit duhet të paraqitet një masterplan i detajuar për kushtet e ndërtimit.

“Unë besoj se ndërtimet e shumta në zonën ngjitur të Currilave, si dhe shërbimet e instaluara për banorët e këtij sektori, i kanë joshur ndërtuesit në Kallm,” tha Kthupi, ndërsa shtoi se ky plazh pritet të lidhet me një rrugë të re – përmes kodrave, me qytetin.

“Sigurisht që ky proces do të kërkojë edhe 5–6 vjet të tjerë, por për ne banorët duket të jetë zgjidhja e vetme”, theksoi Kthupi.

Por çfarë pritet të ndodhë me bregdetin prej shkëmbinjsh me zhavorr në breg?

Mundësia e ngritjes së ndonjë porti turistik përjashtohet nga specialistët.

“Është krejt i pamundur ndërtimi i një porti për jahte e varka”, tha për BIRN inxhinieri Tomorr Spahiu. “I gjithë bregdeti me gurë konglomerat i kësaj zone e bën të pamundur ankorimin e çdo lloj mjeti lundrues”, shtoi ai.

Spahiu gjithashtu e konsideron të rrezikshme ndërhyrjen në morfologjinë e ujërave bregdetare, pasi sipas tij habitati, flora dhe fauna duhen ruajtur me kujdes, ndërsa përmendi edhe rastin e iriqëve të detit, që rriten vetëm në këtë zonë.

Ndryshe, Kthupi e sheh si një mundësi projektimi të mirë territorin ngjitur me kodrën që bie thuajse pingul mbi sipërfaqen e banesave të ardhshme.

Familjet Kadiu, Rexha, Kthupi, Mara, Pepa dhe të paktën dhjetë të tjera si këto duhet të marrin një vendim për të ardhmen e truallit që kanë trashëguar nga të parët.

“Unë kam firmosur për familjen time të vogël,” tha Flor Mara. “Po kështu do të vendosin edhe të tjerë pasardhës”, përfundoi ai.

Video

Zsolt Hegedus, kandidat për ministër Shëndetësie nga partia “Tisza”, është bërë viral në rrjetet sociale me kërcimin e tij gjatë festimeve, pasi partia ku bën pjesë i fitoi bindshëm zgjedhjet në Hungari. Kërcimi i tij ka shkaktuar një valë reagimesh dhe komentesh në TikTok.

Çfarë ndodh kur grupi i Përmetit niset për një festival ne Francë…

Arabia Saudite ka urdhëruar mbylljen e shkollave pas përmbytjeve të rënda që përfshinë disa pjesë të vendit. Reshjet e dendura të shiut kanë përmbytur rrugët në kryeqytetin Riad, si dhe në rajonin e Al Ahsa, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe rrezik për banorët.

Hoteli 23-katësh Mandarin Oriental Hotel Miami, dikur një simbol i njohur i horizontit të Majemit, u shemb përmes një shpërthimi të kontrolluar nga kontraktorët në më pak se 20 sekonda.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme