Sociale 1 September 2025, 16:11 Nga VNA

Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit/ Homazhet në nder të regjisorit mbahen nesër në Teatrin e Operës dhe Baletit

Ndaje në Whatsapp
Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit/ Homazhet në nder të

Regjisori i shquar shqiptar Dhimitër Anagnosti është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë. Lajmin e hidhur e ka bërë publik vajza e tij, Juna Anagnosti, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!”, shkroi ajo.

Homazhet në nder të artistit do të zhvillohen të martën, më 2 shtator, në Hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit, nga ora 10:00 deri në 13:00. Homazhe do të mbahen dhe në Vuno, pasnesër më 3 shtator.

Dhimitër Anagnosti lindi në Vuno më 23 janar 1936. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa studimet e mesme në Vlorë. Nga viti 1954 deri më 1960 ndoqi studimet në Institutin Kinematografik “VGIK” në Moskë, ku u diplomua për kinooperator. Së bashku me Viktor Gjikën, si punim diplome, xhiruan filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, që u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, zhvilluar në Holandë më 1961.

Në vitin 1961 filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e Re”, me filmin “Debatik”, dhe më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Ai xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra në Shqipëri, “Gurët dekorativë”. Si regjisor debutoi në vitin 1966 me filmin “Komisari i dritës”, në bashkëpunim me Viktor Gjikën, ndërsa një vit më vonë realizoi i vetëm filmin “Dueli i heshtur”.

Në një karrierë 40-vjeçare, Anagnosti realizoi 14 filma artistikë dhe 10 filma dokumentarë, duke fituar mjaft çmime në konkurse kombëtare e ndërkombëtare. Ai është autor i 15 skenarëve, duke shkruar vetë pothuajse të gjitha veprat e tij kinematografike.

Me kontributet e tij artistike, Anagnosti u nderua me titullin “Artist i Popullit” në vitin 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar.

Viti 1991 e gjeti të angazhuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, ku u zgjodh deputet i Partisë Demokratike (1991–1996). Nga 12 prilli 1992 deri më 4 dhjetor 1994 ai mbajti postin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, prej të cilit dha dorëheqjen.

Anagnosti ishte gjithashtu ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, një platformë që mbështeti intelektualët shqiptarë dhe forcoi kulturën kombëtare brenda dhe jashtë vendit.

Në vitin 2001, ai shkroi dhe vuri në skenë dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham” në Teatrin Kombëtar, ndërsa në vitin 2005 realizoi filmin e tij të fundit, “Gjoleka, djali i Abazit”, i cili u vlerësua me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Përveç karrierës artistike, Dhimitër Anagnosti njihej si një njeri i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e ideve të tij, shpeshherë duke u përballur me mediokritetin dhe sfidat e kohës. Ai ishte i martuar me aktoren e njohur shqiptare, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti, një prej figurave më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar.

Me ndarjen nga jeta të Dhimitër Anagnostit, arti dhe kinematografia shqiptare humbën një nga personalitetet më të mëdha dhe më dinjitoze të tyre.

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme