Sociale 22 January 2026, 09:35 Nga VNA

Mungojnë anëtarët e rinj, dështon mbledhja e parë e Këshillit Mbikëqyrës të BSH

Ndaje në Whatsapp
Mungojnë anëtarët e rinj, dështon mbledhja e parë e

Banka e Shqipërisë miratoi në fund të vitit të kaluar edhe kalendarin e mbledhjeve të Këshillit Mbikëqyrës për vitin 2026.

Sipas kalendarit, mbledhja e parë duhej të zhvillohej ditën e sotme. Objekt i mbledhjes ishte informacioni lidhur me aktivitetin e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2025.

Megjithatë, për shkak të mungesës së kuorumit, mbledhja nuk u zhvillua, por pati vetëm një takim informues mes anëtarëve ekzistues të Këshillit Mbikëqyrës.

Në praktikën e viteve të mëparshme, kalendari vjetor i mbledhjeve miratohej në mbledhjen e parë të vitit.

Por, në këtë rast, Këshilli Mbikëqyrës e miratoi kalendarin në mbledhjen e fundit të vitit në mbyllje, për shkak të mungesës së pritshme të kuorumit për vendimmarrje në fillim të këtij viti.

Mbledhja e ardhshme është parashikuar të zhvillohet më datë 4 shkurt, me objekt shqyrtimin e raportit tremujor të Politikës Monetare dhe vendimmarrjen për normën bazë të interesit.

Megjithatë, pothuajse me siguri, edhe mbledhja e ardhshme do të dështojë.

Kuvendi i Shqipërisë nuk e ka vendosur në programin dyjavor të punës zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikëqyrës.

Sipas burimeve nga Kuvendi, pritet që procesi në Kuvend të nisë me dëgjesat e kandidatëve që kanë aplikuar në javën e parë të muajit shkurt.

Rrjedhimisht, zgjedhja e anëtarëve të rinj mund të bëhet vetëm gjatë javëve vijuese dhe Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mund të ketë kuorum vendimmarrës, në rastin më të mirë, për mbledhjen e datës 4 mars.

Mandati i gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, Luljeta Minxhozi, Artan Hoxha, Violeta Staka, Edlira Luçi, Ridvan Bode dhe Suela Popa, përfundoi në muajin dhjetor 2025.

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre pas përfundimit të mandatit. Ligji “Për Bankën e Shqipërisë” kërkon që mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës zhvillohet me praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve të emëruar, duke përfshirë praninë e kryetarit ose zëvendëskryetarit të Këshillit Mbikëqyrës.

Për këtë arsye, që prej dhjetorit, Këshilli Mbikëqyrës nuk ka më kuorum dhe vendimmarrja në të është faktikisht e paralizuar.

Siç ndodh shpesh, procedurat për përtëritjen e Këshillit Mbikëqyrës dhe zgjedhjes së anëtarëve të rinj kanë nisur me vonesë.

Tre prej vendeve vakante duhet të plotësohen me propozim të vetë Kuvendit, ndërsa tre të tjerë janë kuotat që propozohen nga Këshilli i Ministrave.

Kuvendi e ka mbyllur procedurën e aplikimit në 9 dhjetor dhe në të kanë shprehur interes 20 kandidatë.

Ndërsa, Këshilli i Ministrave e ka mbyllur pranimin e aplikimeve më datë 26 dhjetor dhe deri tani nuk ka njoftuar listë kandidatësh dhe as i ka dërguar zyrtarisht Kuvendit propozimet e veta.

Kjo nuk është hera e parë që procesi i plotësimit të vakancave në institucionet rregullatore të tregut ka vonesa.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u përball me një situatë të tillë pikërisht në vitin 2018, para zgjedhjes së anëtarëve që së afërmi u përfundon mandati.

Edhe në atë rast, numri i mandateve të përfunduara ishte gjashtë. Mosplotësimi në kohë i vendeve vakante e bllokoi për një kohë të shkurtër vendimmarrjen në Këshillin Mbikëqyrës./ Monitor

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme