Sociale 12 Mars 2026, 20:06 Nga VNA

Monitorimi i CoPlan: Ajër i ndotur dhe zhurmë e lartë në Tiranë e qytete të tjera

Ndaje në Whatsapp

Monitorimi i CoPlan: Ajër i ndotur dhe zhurmë e lartë në

Ndotja e ajrit dhe zhurmat në Tiranë e qytete të tjera të vendit vijojnë të jenë mbi normat e lejuara. Kështu tregoi një raport monitorimi alternativ për vitin 2025, prezantuar nga CoPlan në kuadër të projektit GreenAL. Si arsyet kryesore për ndotjen përmenden ndërtimet, trafiku dhe mungesa e vegjetacionit.

Anila Bejko, drejtuese e CoPlan, u shpreh se në dallim nga vitet e tjera, kur monitorimi është kryer vetëm në Tiranë, këtë vit janë përfshirë edhe qytete të tjera si Durrësi, Korça, Shkodra, Elbasani dhe Fieri.

“Falë më shumë se 800 pikave të lëvizshme të monitorimit në gjashtë qytete dhe 15 stacioneve fikse, këtë vit sjellim një pasqyrë shumë më të plotë të shëndetit të qyteteve tona”, tha Bejko.

I pranishëm në prezantimin e gjetjeve të raportit ishte dhe zëvendësministri i Mjedisit, Genti Gazheli, i cili u shpreh se mbrojtja e mjedisit është prioritet kombëtar dhe pjesë thelbësore e angazhimeve për integrimin evropian.

Sipas tij, kjo ishte një nga arsyet që çoi në krijimin e një ministrie të dedikuar për mjedisin. Megjithatë, sfidat mbeten të shumta.

“Sistemi i monitorimit kërkon përmirësime të mëtejshme teknike, si dhe zgjerimin e mbulimit për ndotës të rëndësishëm si metalet e rënda dhe hidrokarburet aromatike. Po ashtu, forcimi i kapaciteteve laboratorike dhe përmirësimi i transmetimit të të dhënave në kohë reale mbeten drejtime të rëndësishme për të ardhmen”, deklaroi Gazheli.

Ndotja e ajrit mbi normë

Në Tiranë, sipas raportit, 66.7% e pikave të monitorimit tejkalojnë vlerën referencë të dioksidit të azotit (NO₂). Ndikimi kryesor lidhet me trafikun rrugor dhe burimet e djegies në zona të caktuara urbane.

“Sasia e NO2 tejkalon 3-4 herë normën prej 40 mcg/m3. Pikat më problematike janë kryqëzimi i zgjatimit të bulevardit me Unazën, Materniteti i Ri, Ali Demi, Rruga e Elbasanit dhe zona e Kristal Center”, u shpreh Kejt Dhrami, eksperte e qeverisjes territoriale pranë CoPlan.

Po ashtu, në 98.3% të pikave të monitorimit nivelet e dioksidit të karbonit (CO2) rezultojnë mbi nivelin referencë.

“Rreth 95% më lart se standardi. Kjo lidhet me sisteme urbane shumë të ngarkuara, shkëmbimin e ajrit të ndotur të brendshëm me atë të jashtëm dhe mungesën e vegjetacionit”, tha Dhrami.

Sa i përket grimcave të imëta të pluhurit nga emetimet e automjeteve (PM2.5) dhe grimcave më të mëdha (PM10), raporti tregon se ato rrallë tejkaluan standardet në Tiranë për periudhën kur është kryer monitorimi, korrik-gusht 2025.

“Arsyeja është se kjo periudhë shoqërohet me lëvizje më të pakta të automjeteve dhe përdorim më të kufizuar të sistemeve të ngrohjes. Megjithatë ka zona ku vlerat i afrohen ose i tejkalojnë kufijtë maksimalë, si në Rrugën e Dibrës, Qytetin Studenti dhe zonën e Medresesë”, shtoi Dhrami.

Në Durrës, pluhurat rezultojnë mbi standardet.

“Zonat më të ndotura janë Vollga, Rruga e Spitalit, stadiumi dhe bulevardi. Kjo lidhet me intensitetin urban dhe aktivitetin pranë zonës portuale”, argumentoi Dhrami.

Në Elbasan rreth 91% e pikave tejkalojnë standardin për NO₂, ndërsa 95% janë mbi pragun referencë për CO₂.

Në Fier, 73% e pikave të monitoruara tejkalojnë standardin për PM2.5 dhe PM1, ndërsa 67% e pikave të monitorimit për NO₂ janë mbi standard.

Në më shumë se gjysmën e pikave të monitoruara në Korçë dhe Shkodër rezulton se grimcat e imëta në ajër tejkalojnë standardet.

Ndotja akustike, një realitet i përditshëm

Rruga e Dibrës, zona e Medresesë, Qyteti Studenti dhe Liqeni Artificial janë disa nga zonat ku niveli i zhurmës e kalon kufirin normal, sipas raportit.

“Gjatë ditës, 88% e pikave të monitoruara tejkalojnë kufirin prej 55 decibelësh, kryesisht për shkak të trafikut”, u shpreh Greta Shehu, eksperte mjedisi pranë CoPlan.

Sipas saj, gjatë natës tejkalimi është disi më i ulët dhe ndodh kryesisht në zona urbane si Astiri dhe zona e Doganës.

Në Durrës, 87% e pikave të monitorimit tejkalojnë nivelin prej 55 decibelësh, kryesisht në shëtitoren Vollga, zonën e portit dhe lagjet përreth.

“Gjatë natës, 92% e pikave të monitorimit e kalojnë standardin, duke krijuar probleme për shëndetin dhe cilësinë e gjumit”, tha Shehu.

Në Elbasan, zonat më të prekura janë autostrada, lagjja Skënderbeu dhe qendra e qytetit. Gjatë natës, 86% e pikave monitoruese tejkalojnë kufirin prej 45 decibelësh.

Në Fier, 61 nga 99 pika monitorimi janë mbi standard gjatë ditës, ndërsa gjatë natës 46 prej tyre e tejkalojnë kufirin.

Në Korçë situata paraqitet më e qëndrueshme, ku 37% e stacioneve tejkalojnë standardin gjatë ditës. Megjithatë gjatë natës 65% e tyre e kalojnë kufirin.

Në Shkodër, 89% e pikave të monitorimit tejkalojnë kufirin prej 55 decibelësh gjatë ditës, kryesisht në rrugët kryesore dhe rreth-rrotullime.

Cilësia e ujërave, e paqëndrueshme

Risi e monitorimit të vitit 2025 është edhe analiza e ujërave, që përfshiu 9 liqene, 5 rezervuarë, 4 përrenj dhe një sistem vaditjeje.

Sipas Imeldi Sokolit, ekspert i territorit dhe mjedisit pranë CoPlan, për analizën e ujërave janë përdorur 18 komponentë matës.

“Kanali Roskovec-Hoxharë, nga 18 komponentë të analizuar, 12 rezultojnë mbi normë”, tha Sokoli.

Ai përmendi gjithashtu disa kanale kulluese në Fier-Divjakë, ku është vërejtur rritje e përçueshmërisë elektrike për shkak të shkarkimeve urbane dhe aktiviteteve bujqësore.

Liqenet kryesore përreth Tiranës rezultojnë gjithashtu të ndotura.

“Liqeni i Bovillës, Liqeni i Farkës dhe Liqeni Artificial i Tiranës kanë ndotje të lartë organike”, tha Sokoli.

Sipas tij, edhe lumi i Tiranës ka shfaqur prani të metaleve të rënda. Edhe liqenet e Treganit, Bleshit dhe Tafanit rezultuan me nivele të larta ndotjeje.

Sokoli theksoi se duhen masa konkrete për përmirësimin e cilësisë së ujërave, përmes kontrollit të aktiviteteve minerare dhe reduktimit të shkarkimeve urbane./Citizens.al/

Video

Shtëpia e Bardhë ka publikuar së fundmi një video në rrjetin social X, ku përpiqet t’i japë një ton humoristik luftës në Lindjen e Mesme duke krahasuar operacionet ushtarake ndaj Iranit me video-lojëra. Videoja mban titullin “Operacioni Zemërimi Epik” dhe shoqërohet me frazën “Undefeated” (“Të pamposhtur”). Në video ndërthuren pamje të goditjeve amerikane ndaj objektivave iraniane me skena dhe elemente të video-lojërave, duke reflektuar stilin që Shtëpia e Bardhë ka adoptuar pas rikthimit në pushtet të Donald Trump. Kjo mënyrë prezantimi ka shkaktuar reagime për përpjekjen për të lehtësuar vizualisht një temë të ndjeshme dhe globale.

Sa të kemi Evis Salën që mbron barazinë gjinore në OKB jemi në rrugën e duhur… Thjesht të vendosë PET scan në QSUT i ka mbet tani

Dy cisterna të huaja që transportonin produkte të naftës irakiane janë goditur në ujërat territoriale të Irak, pranë qytetit të Basra, dhe kanë marrë flakë. Në pamjet video shihen anijet e dëmtuara pas zjarrit, ndërsa drejtori i kompanisë së porteve irakiane, Farhan al-Fartousi, ka konfirmuar se janë ndërhyrë menjëherë për të shpëtuar ekuipazhet. Sulmi vjen në një moment përshkallëzimi të tensioneve në rrugët energjetike të Gjirit Persik dhe rrit frikën për ndërprerje të reja të trafikut detar dhe të furnizimeve globale me naftë.

Gardisti merr në mbrojtje të veçantë Taulant Ballën. Noka ka reaguar duke iu drejtuar kryetarit të Kuvendit për arsyen se përse gardisti po qëndron i vendosur tek tavolina e Ballës, gjatë kohës kur seanca vijonte punën.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme