Sociale 17 February 2026, 20:08 Nga VNA

Me mbetjet e rrezikshme tek dera, banorët në Porto Romano kërkojnë zgjidhje

Ndaje në Whatsapp
Me mbetjet e rrezikshme tek dera, banorët në Porto Romano

Në zonën e Porto-Romanos në Durrës, frika është bërë pjesë e përditshmërisë që prej nëntorit të vitit 2024, kur mijëra tonelata me mbetje të rrezikshme u depozituan në një magazine në afërsi të objektit të njohur si Eco Parku.

Rreth 40 metra në distancë ajrore, Gani Braho, 67 vjeç, thotë se ndjehet më i rrezikuar se të tjerët.

“Kam frikë për shëndetin e familjes, por nuk kam se ku të shkoj,” tha Braho për BIRN. “Asnjëherë nuk jemi ndjerë pjesë e qytetit, edhe pse jemi afër tij, Tani kemi mbetjet pranë derës,” shtoi ai.

Ganiu kryeson një nga dhjetra familjet që jetojnë në këtë lagje, pjesë administrative e Katundit të Ri. Shumica e familjeve janë vendosur aty dekada më parë, pasi u zhvendosën nga veriu i vendit në kërkim të një jete më të mirë.

Kontejnerët e vendosur në Porto-Romano në një pronë të menaxhuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara përmbajnë mbi 2800 ton mbetje të rrezikshme me origjinë nga hiri i oxhaqeve të kompanisë së prodhimit të çelikut, Kurum.

Sipas analizave laboratorike të kryera në Itali, ato i përkasin pluhurit të furrës elektrike të çelikut, material që klasifikohet si mbetje e rrezikshme për shkak të përmbajtjes së metaleve të rënda si zinku, hekuri, plumbi dhe bakri.

Këto mbetje ngritën një alarm ndërkombëtar, pasi u eksportuan sipas Prokurorisë së Durrësit në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe konventat ndërkombëtare për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme. Kontejnerët u sekuestruan sapo u kthyen në Shqipëri dhe u vendosën në zonën e Porto Romanos.

Halit Braha, 70 vjeç, tregon se familja e tij u vendos në Porto-Romano rreth 30 vite më parë për t’i shpëtuar përmbytjeve në vendlindjen e tij në Kukës. Megjithatë, problemet e përndoqën familjen e tij edhe në periferinë e Durrësit.

“Më parë kishim çështjen e kanalizimeve. Sa herë bllokoheshin, përmbytej zona dhe na sillnin ndotje. Tani na kanë sjellë mbetjet tek dera, që një Zot e di se çfarë janë,” thotë ai me shqetësim.

Sipas Brahës, banorët nuk janë informuar nga askush për përmbajtjen e mbetjeve dhe rrezikun që ato kanë për shëndetin e tyre.

“Kemi protestuar disa herë, por askush nuk ka dhënë zgjidhje dhe nuk na shpjegon asgjë,” shtoi ai.

Pasi vërtetoi rrezikshmërinë e mbetjeve, Prokuroria e Durrësit lëshoi dhjetra urdhër-arreste për drejtuesit e kompanive Kurum International dhe Sokolaj sh.p.k të përfshirë në eksport si dhe zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, të doganave apo të kompanisë koncesionare që menaxhonte kalatën lindore të portit të Durrësit.

Akuzat lidhen me kontrabandë mbetjesh të rrezikshme, falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim parash, ndërkohë që zyrtarët akuzohen për shpërdorim detyre.

Vetëm disa metra larg vendit ku janë depozituar kontejnerët me mbetje të rrezikshme ndodhet Eko-Parku i Porto-Romanos, një investim publik i ndërtuar mbi një ish-fushë mbetjesh dhe i hapur për qytetarët si hapësirë rekreative.

Por banorët thonë se pavarësisht këtij investimi, mbetjet e rrezikshme pranë shtëpive kanë mbetur shqetësimi kryesor i përditshmërisë së tyre. Për ta, kontejnerët kanë zbehur çdo efekt pozitiv që mund të kishte hapja e parkut.

Edhe pse kanë protestuar disa herë, banorët ankohen se nuk kanë marrë asnjë përgjigje të qartë për rrezikun e mundshëm apo fatin e mbetjeve.

“Nuk kemi marrë asnjë informacion zyrtar”, tha Halit Braha. “Vetëm nga televizori kemi dëgjuar se janë të rrezikshme”.

Edhe Gani Braho thotë se mbetjet janë tashmë shkaku i shqetësimit të tij të përditshëm.

“Kur i shoh kontejnerët aty, mendoj për fëmijët dhe nipërit,” tha Braho, ndërsa shtoi: “por nuk kam ku të shkoj tjetër”./ BIRN

Video

Momente tensioni janë regjistruar sot në Vlorë, gjatë protestës kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik Shqiptar. Protestuesit kanë tentuar të hyjnë në kantierin ku po zhvillohen punimet, por janë ndaluar nga forcat e policisë. Situata ka sjellë përplasje dhe tension mes efektivëve dhe qytetarëve të mbledhur në protestë.

Vila e Ballukut në Palasë “përtej lejes së ndërtimit”, emaili që zbulon ndryshimet në projektin luksoz të sekuestruar nga SPAK.

Momente paniku janë regjistruar gjatë një fluturimi të Turkish Airlines, pasi avioni është përballur me turbulenca të forta. Lëkundjet e njëpasnjëshme dhe të dhunshme kanë shkaktuar frikë mes pasagjerëve, ndërsa disa prej tyre nuk kanë mundur ta fshehin panikun gjatë momenteve të tensionit. Pamjet nga brenda kabinës tregojnë situatën e krijuar teksa avioni kalonte në zonën e turbulencave. Turbulencat janë një fenomen i zakonshëm gjatë fluturimeve, por kur janë të forta mund të shkaktojnë lëkundje të menjëhershme dhe situata frike mes udhëtarëve.

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme