Një luan dhe një ari, të shpëtuar nga robëria në veri të Shqipërisë, mbërritën në strehimore për kafshë në Gjermani në fillim të dhjetorit, pasi autoritetet në Tiranë zbuluan se ata po mbaheshin ilegalisht si kafshë shtëpiake në një pronë private.
Erioni, një luan 3-vjeçar, dhe Flora, një arushë 2-vjeçare, tani po nisin të dy një jetë të re.
“Jemi shumë të lumtur që autoritetet i konfiskuan kafshët dhe që tani kemi mundësinë t’i çojmë në Gjermani, ku mund të fillojnë nga e para dhe të jetojnë në kushte të përshtatshme për specien e tyre,” tha Magdalena Scherk-Trettin, menaxhere e lartë projekti përgjegjëse për shpëtimet në organizatën ndërkombëtare për mirëqenien e kafshëve Four Paws.
Një ekip nga Four Paws kreu shpëtimin pasi Agjencia Kombëtare e Pyjeve e Shqipërisë lokalizoi luanin bazuar në videot e publikuara nga pronari i tij në TikTok.
As autoritetet dhe as organizata nuk e kanë bërë publik emrin e personit që i mbante kafshët si shtëpiake.
Veterinerët administruan anestezi përpara se kafshët të ngarkoheshin në arka për udhëtimin e tyre të gjatë drejt shtëpive të reja. Më 13 dhjetor, ata përfunduan një udhëtim 70-orësh nëpër disa vende evropiane: Erioni u vendos në një strehimore për kafshë të egra në juglindje të Gjermanisë, ndërsa Flora në një strehimore për arinj në veri të vendit, njoftoi Four Paws.
“Një kontroll fillestar vizual përcaktoi se Flora është e kequshqyer dhe ka probleme dentare, ndaj plani i saj i rikuperimit tashmë ka nisur,” tha organizata.
Ndërsa kur Erioni u shpëtua, krifja e tij kishte rënë, për arsye që veterinerët ende nuk kanë mundur t’i përcaktojnë.
Pavarësisht udhëtimit sfidues, shpëtimi ia vlejti, tha Scherk-Trettin. “Jemi të gëzuar të shohim këto kafshë teksa nisin jetën e tyre të re.”
Tregtia e paligjshme e kafshëve të egra mbetet një problem sistemik në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin, ku veçanërisht arinjtë, por edhe kafshë ekzotike, mbahen në kafaze në restorante ose në prona private, me pak ose aspak kujdes profesional.
Origjina e Erionit dhe Florës mbetet e paqartë. Four Paws tha se beson se luani është viktimë e trafikimit të paligjshëm të kafshëve të egra, ndërsa arusha ka të ngjarë të jetë kapur nga natyra.
Në këtë foto, të publikuar të martën, më 16 dhjetor 2025, nga Four Paws, veterinerët përgatisin Erionin, një luan trevjeçar, për transportin e tij nga Tirana në Gjermani pas mbajtjes së paligjshme në Shqipëri.
“Ky shpëtim nxjerr në pah nevojën urgjente të Shqipërisë për të luftuar tregtinë e paligjshme të kafshëve të egra dhe mbajtjen private të tyre,” tha organizata në një deklaratë.
Sipas Four Paws, legjislacioni i dobët, boshllëqet ligjore dhe zbatimi i dobët i ligjit kanë kontribuar në përhapjen e gjerë të robërisë private dhe tregtisë së kafshëve të egra në Shqipëri. Organizata vlerëson se më shumë se 60 mace të mëdha ende mbahen në kushte të këqija në vend.
Ligji shqiptar lejon individët ose organizatat të mbajnë ekzemplarë të kafshëve të egra nëse ato kanë lindur në robëri — për shembull në një kopsht zoologjik ose në një strukturë të specializuar. Speciet jo-vendase të lindura jashtë Shqipërisë mund të mbahen gjithashtu nëse paraqiten dokumente që vërtetojnë se janë siguruar nga qendra të specializuara mbarështimi dhe tregtie.
Sajmir Shehu, menaxher projekti në Four Paws, tha se ligjit i mungon një kornizë e rreptë mbi bazën e së cilës organizata si e tija mund të parandalojnë mbajtjen e kafshëve të egra në robëri.
Ligji gjithashtu lejon konfiskimin e kafshëve nëse nuk plotësohen standardet e mirëqenies ose veterinare, por nuk parashikon asnjë sanksion ndaj pronarëve të kafshëve ekzotike.






















