Sociale 4 Nëntor 2025, 19:42 Nga VNA

Komisionet miratojnë mes debatesh draftin për “Barazinë Gjinore”

Ndaje në Whatsapp
Komisionet miratojnë mes debatesh draftin për “Barazinë

Pas debateve publike dhe politike që u përqendruan tek terminologjia e përdorur për gjininë, projektligji i qeverisë për “Barazinë Gjinore” u miratua në disa komisione parlamentare të martën me ndryshime minimale, ndërkohë që Partia Socialiste u tërhoq nga dhjetra amendamente të mëparshme për këtë nismë.

Kundërshtimet e opozitës dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare u fokusuan tek terminologjia për identitetin gjinor, me pretendimet se përkufizimet e nismës binin ndesh me familjen dhe traditën shqiptare si dhe i hapnin rrugë sipas tyre, njohjes ligjore të komunitetit LGBTI+.

Socialistët e mbrojtën nismën si harmonizim me legjislacionin europian dhe tentuan të kënaqin kundërshtimet me ndryshime të terminologjisë, të cilat u prezantuan fillimisht në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme

Relatorja socialiste, Iris Luarasi bëri të ditur se ndryshimet prekin vetëm përkufizime në nenin 4, përkatësisht termin ‘gjini’ dhe “përkatësi të shumëfishtë”.

Amendamentet e reja të PS-së parashikojnë se përkufizimi “’gjini’, nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat” dhe ‘përkatësi e shumëfishtë’, ndërlidhja/kombinimi i gjinisë me karakteristika të ndryshme të parashikuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi”.

Sipas propozimeve të PS-së u shtuan dhe dy përkufizime të reja për ’diskriminim ndërsektorial’, që nënkupton çdo “formë diskriminimi në të cilën disa shkaqe veprojnë dhe bashkëveprojnë me njëra-tjetrën në të njëjtën kohë, në mënyrë të tillë që ato të jenë të pandashme dhe të prodhojnë forma të veçanta të diskriminimit” dhe ’stereotipet gjinore’, që lidhet me rolet arbitrare që u caktohen në shoqëri grave dhe burrave dhe “kufizojnë mundësitë e zhvillimit të tyre në jetën publike dhe private”.

Në këtë komision, nisma dhe ndryshimet e reja u mbrojtën dhe nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili më herët kishte depozituar në Kuvend dhjetra amendamente që parashikonin fshirjen nga projektligji të referencave si “identitet gjinor”, “shprehje gjinore”, “orientim seksual” dhe “karakteristika të seksit”.

Balla tha para deputetëve se PS nuk ishte tërhequr nga amendamentet, por kishte pranuar si teknikë legjislative riformulimin e tyre.

“Ne kemi riformuluar dy definicione bazë të këtij ligji. Ky është një ligj që flet për barazinë mes burrit dhe gruas kudo,” tha ndër të tjera ai.

Sipas Ballës, ndryshimet kënaqnin dhe qëndrimet e komuniteteve fetare dhe ishin në harmoni me konventat ndërkombëtare në fuqi dhe me ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi.

Nisma kaloi me debate të ashpra në Komisionin e Ligjeve, ku opozita akuzoi mazhorancën se ‘në mënyrë tinzare’ po kalonte ndryshime ligjore që cënonin Kodin e Familjes dhe traditën shqiptare. Diskutimi i nismës u bllokua në Komisionin parlamentar përgjegjës për Shëndetësinë dhe Mirëqënien Sociale, i cili drejtohet nga deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia.

Spahia i rezistoi kërkesës së socialistëve për të ndryshuar rendin e ditës për të përfshirë projektligjin për “Barazinë Gjinore”. Në një konferencë për mediat, ai akuzoi mazhorancën se po tentonte të kalonte me nxitim nismën në komisione për ta miratuar në seancën plenare të enjten.

Por Komisioni u rimblodh nga socialistët dhe mbledhja u drejtua nga nënkryetari Eduard Shalsi dhe u miratua me ndryshimet e kërkuara nga PS.

Gjatë dëgjesave të mëparshme në komisione, projektligji “Për Barazinë Gjinore” u mbështet nga një koalicion i gjerë organizatash të shoqërisë civile, nga Avokatja e Popullit dhe Komisioneri kundër Diskriminimit, si një nismë që siguronte të drejtën e çdo individi për barazi si dhe për mbrojtje efektive nga diskriminimi.

Përafrimi i legjislacionit shqiptar për barazinë gjinore është një nga rekomandimet e progresraportit të KE-së të publikuar të martën./ Reporter.al

 

Video

Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Republikës. Seancat e njëpasnjëshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Në sallë kanë qenë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe kanë bojkotuar procesin.

Një breshkë e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdet, me dëmtime të rënda në pjesën e kokës. Dyshohet se ajo është goditur nga helikat e një anijeje, duke pësuar plagë serioze që i kanë shkaktuar ngordhjen. Breshka është konstatuar nga qytetarë që ndodheshin pranë bregut të detit.

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme