
Në Shqipëri, vitet e fundit, janë konsumuar vezë të pakontrolluara sipas rregullave në fuqi, duke ngritur shqetësim për sigurinë ushqimore dhe zbatimin e standardeve ligjore në pikat kufitare.
Sipas raportit të auditimit të KLSH, në total gjatë vitit 2022, janë importuar 4,145,600 kokrra vezë me dokumentacion të cunguar, nga të cilat 1,926,000 nga Serbia dhe 2,219,000 nga Turqia.
Sipas gjetjeve të auditimit, vetëm nga Serbia gjatë periudhës 6 maj – 25 qershor 2022 janë importuar 1,926,000 kokrra vezë, të cilat janë tregtuar për konsum njerëzor me certifikim shëndetësor nga autoritetet serbe dhe shqiptare, por me dokumentacion që konsiderohet me risk të lartë për cenimin e kërkesave të sigurisë ushqimore. Audituesit konstatuan se nuk ishte e mundur të bëhej lidhja midis kodit të prodhuesit ose paketuesit të stampuar në vezë, kodit të produktit në certifikatën shëndetësore dhe barkodit tregtar të deklaruar në faturë, duke e bërë të pamundur verifikimin e plotë të gjurmueshmërisë së produktit.
Në një rast konkret të dokumentuar në Pikën e Inspektimit Kufitar Qafë Thanë, për një sasi prej 306,000 kokrra vezë, auditimi konstatoi se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk kishte kryer kontrollet e nevojshme përpara daljes së produktit në treg, në kundërshtim me udhëzimin për standardet e tregtimit të vezëve dhe kërkesat e ligjit “Për ushqimin”.
Probleme janë konstatuar edhe për importet nga Turqia. Për periudhën 3 – 28 qershor 2022 janë importuar 1,589,344 kokrra vezë, ndërsa auditimi konstaton se para daljes në qarkullim të lirë ose përpunim nuk janë kryer kontrollet përkatëse në momentin e zhdoganimit, duke mos u zbatuar kërkesat e sigurisë ushqimore.
Në disa praktika konkrete të analizuar nga audituesit janë konstatuar edhe mangësi të tjera në dokumentacion dhe etiketim. Në një rast është konstatuar importi i 288,000 kokrrave vezë me vlerë 21,800 dollarë, ku në dokumentacion mungonte përcaktimi i qartë se bëhej fjalë për vezë industriale të papërshtatshme për konsum njerëzor, siç kërkohet nga rregullat për tregtimin e tyre.
Në një tjetër rast janë importuar 437,760 kokrra vezë me vlerë 41,344 dollarë, ku auditimi konstatoi mungesë të kundëretiketave, dokumentacion të paplotë dhe mospërputhje të datave mes faturës, certifikatës shëndetësore dhe dokumentit veterinar të importit. Sipas raportit, vezët kishin hyrë në territorin e Shqipërisë 34 ditë pas lëshimit të dokumenteve, ndërkohë që kishin kaluar edhe 21 ditë nga data e prodhimit.
Auditimi thekson se këto mangësi lidhen kryesisht me moskryerjen e kontrolleve të plota nga AKU në pikat e inspektimit kufitar, dokumentacion të paplotë ose të paqartë dhe etiketim që nuk përputhet me kërkesat ligjore, duke krijuar rrezik për sigurinë ushqimore dhe për mungesë të gjurmueshmërisë së produkteve në treg.
Sipas raportit, përgjegjësia për shkeljet e konstatuara lidhet me gjithsej 8 punonjës të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ndërsa problematikat janë evidentuar kryesisht në Pikat e Inspektimit Kufitar Qafë Thanë dhe Durrës, si edhe në drejtoritë rajonale të AKU në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Drejtuesit dhe personat/punonjësit e përfshirë dhe që duhet të ishin përfshirë në këtë proces nuk kanë pasur vëmendjen e duhur institucionale për trajtimin e këtij rasti në zbatim të përgjegjësive respektive në ushtrimin e detyrës, thuhet në dokument.
Si rrjedhojë, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të shqyrtojë përgjegjësitë institucionale për këto raste, të forcojë kontrollin në pikat kufitare dhe të garantojë verifikimin e plotë të dokumentacionit dhe analizave përpara se produktet të dalin në treg për konsum. /ekofin.al






















