Sociale 2 Janar 2026, 13:23 Nga VNA

KLSH: KESH shkeli procedurat, rriti kostot dhe nuk pagoi kredinë ndaj BERZH për sigurinë e digave

Ndaje në Whatsapp

KLSH: KESH shkeli procedurat, rriti kostot dhe nuk pagoi kredinë ndaj BERZH

Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton mangësi serioze në menaxhimin financiar, procedurat e prokurimit, si dhe disbursimin e fondeve për projektin për përmirësimin e sigurisë së digës në hidrocentralin e Komanit.

Financimi i projektit u sigurua përmes një huaje prej 12.7 milionë euro, të ratifikuar me ligj ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Megjithatë, gjatë fazës së implementimit, administratori i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH SHA) në atë periudhë, Agron Hetoja dhe drejtuesi i Njësisë së Zbatimit të Projektit zhvilluan procedura prokurimi dhe bashkëpunimi me huadhënësin pa pasur miratimin paraprak të fondeve nga Ministria e Financave, si përfaqësuese e shtetit shqiptar në marrëveshjet e huave.

Procedurat e prokurimit u zhvilluan nga mars 2016 deri në tetor 2017, në vlerën 12,340,903 euro për dy lote, duke çuar në lidhjen e kontratës me operatorin fitues, ndërkohë që financimi nuk ishte ende i miratuar dhe i ratifikuar sipas kërkesave ligjore. Edhe pse projekti është realizuar brenda vlerës së huasë, zgjatja e afateve të zbatimit dhe mosdisbursimi në kohë i fondeve sollën një kosto shtesë prej 316,624.52 euro, e paguar nga Ministria e Financave ndaj BERZH si tarifë angazhimi.

Në bazë të marrëveshjes së huasë, u lidh edhe një marrëveshje nënhuaje mes Ministrisë së Financave dhe KESH SHA, sipas së cilës detyrimet financiare për shlyerjen e huasë i kalonin korporatës. Megjithatë, auditimi tregon se KESH SHA ka kryer vetëm pagesa minimale në vitin 2014: 3,382 euro për interesa dhe 99,739 euro për komisione. Si rezultat, është krijuar një detyrim i mbartur prej 9,820,643 euro ndaj Ministrisë së Financave, duke transferuar barrën financiare mbi buxhetin e shtetit dhe duke përbërë përdorim jo efektiv të fondeve publike.

Parregullsi në disbursime, fatura dhe rrezik fiskal

Auditimi konstatoi shkelje serioze në procesin e disbursimit dhe pagesave. Më konkretisht, parapagimi prej 631,654.37 euro (10% e kontratës) u aprovua në një kohë kur kontrata nuk ishte ende e lidhur.

Ndërkohë, fatura tatimore për parapagimin u lëshua 6 muaj më vonë, në kundërshtim me ligjin e TVSH-së. Për më tepër, faturat nuk përmbushnin kërkesat e ligjit për procedurat tatimore dhe u trajtuan si “fatura tregtare”, jashtë formatit ligjor. Pagesa nga BERZH u kryen në llogari jashtë Shqipërisë, ndërkohë që faturat tatimore lëshoheshin nga dega në Shqipëri.

Këto parregullsi rrisin rrezikun e shmangies së detyrimeve tatimore nga kontraktorët e huaj, thekson raporti.

Barra financiare mbi buxhetin e shtetit

Nga huaja për sigurinë e digave deri më 31.12.2024, Ministria e Financave ka paguar 949,029 euro interes, 8,531,111 euro principal, si dhe 443,624 euro komisione.

Ndërkohë, KESH SHA ka kryer vetëm dy pagesa minimale në vitin 2014, duke krijuar një detyrim të mbartur prej 9,820,643 euro, i cili është transferuar padrejtësisht mbi buxhetin e shtetit.

Për shkak të zvarritjes së projektit dhe mosdisbursimit në kohë, Ministria e Financave ka paguar 316,624.52 euro tarifë angazhimi ndaj BERZH, duke rritur koston totale të projektit.

Sa i përket procesit të dorëzimit të punëve civile dhe pajisjeve, u konstatua se marrja në dorëzim nga Njësia e Menaxhimit të Projekteve është kryer sipas kontratës, por KESH SHA nuk ka formalizuar marrjen në dorëzim të aktiveve në përputhje me kërkesat e Udhëzimit nr. 30/2011 për menaxhimin e aktiveve në sektorin publik.

Në tërësi, projekti ka përmbushur objektivin teknik të rritjes së sigurisë së digës, por mënyra e administrimit financiar dhe institucional ka prodhuar pasoja negative për financat publike dhe ka evidentuar nevojën për forcimin e kontrollit, planifikimit dhe përgjegjshmërisë në projektet me financim të huaj.

KLSH rekomandon nisjen e procedurave disiplinore ndaj drejtuesit të Njësisë së Menaxhimit të Projekteve për shkeljet e konstatuara. Për ish-administratorin e KESH nuk rekomandohet masë disiplinore, pasi nuk është më në marrëdhënie pune me institucionin./ekofin.al

Video

Video tregon përhapjen e zjarrit në tavanin e një bari në Zvicër Momenti kur zjarri u përhap me shpejtësi në tavanin e një bari në Zvicër duket se është kapur në video. Të paktën 47 persona dyshohet se kanë humbur jetën pasi lokali “Le Constellation” u përfshi nga flakët në orët e para të Ditës së Vitit të Ri, ndërsa mbi 100 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Reshjet e dëborës kanë nisur në zonën e Qafë Thanës, në Pogradec. Aktualisht, reshjet janë të pranishme vetëm në majën e qafës, me intensitet të ulët deri në mesatar, ndërsa temperaturat shënojnë vlera negative. Sipas informacioneve, kontraktorët pritet të kryejnë kriposjen e rrugës për të shmangur ngricat dhe rrëshqitjet e automjeteve. Deri në këto momente nuk raportohen bllokime apo vështirësi në qarkullim, ndërsa Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.

Prej mëngjesit të sotëm është pezulluar lundrimi detar në Vlorë, për shkak të kushteve të pafavorshme meteorologjike. Sipas njoftimit zyrtar të Kapitenerisë së Portit, pezullimi do të vijojë deri më 7 janar. Megjithatë, trageti do të vazhdojë të operojë sipas itinerarit të parashikuar, ndërsa ndalimi i lundrimit ka të bëjë kryesisht me mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit, për të shmangur rreziqet që vijnë nga era e fortë dhe dallgëzimi i detit.

Një aksident masiv ka ndodhur në Rrugën e Kombit, si pasojë e ngricës në rrugë. Disa automjete kanë rrëshqitur dhe janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e aksidentit raportohet për disa persona të plagosur. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës për të dhënë ndihmën e nevojshme. https://www.vna.al/sociale/dy-aksidente-ne-rrugen-e-kombit-perplasje-ne-seri-dhe-permbyset-autoambu-i18463

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme