Sociale 2 Janar 2026, 18:54 Nga VNA

KLSH: Institucionet kanë dështuar të ndalin ndotjen e Lanës, ujërat e zeza derdhen pa trajtim

Ndaje në Whatsapp

KLSH: Institucionet kanë dështuar të ndalin ndotjen e Lanës,

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar dështime të vazhdueshme të institucioneve përgjegjëse për eliminimin e derdhjes së ujërave të ndotura urbane në lumin Lana, duke konstatuar se situata mjedisore mbetet kritike dhe e pandryshuar prej vitesh.

Auditimi ka vlerësuar masat e marra nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, Bashkia Tiranë, Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a. dhe Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, lidhur me shkarkimet e ujërave të ndotura urbane në këtë trup ujor.

Sipas KLSH-së, rrjeti i kanalizimeve në qytetin e Tiranës është i projektuar në mënyrë të tillë që shkarkon drejtpërdrejt dhe pa asnjë trajtim ujërat e zeza në lumin Lana, ndërsa në zonat periferike shkarkimet kryhen kryesisht në mënyrë individuale.

Investimet e kryera nga UKT sh.a. kanë qenë të fokusuara kryesisht në furnizimin me ujë, duke lënë pas dore ndërtimin dhe përmirësimin e rrjetit të kanalizimeve. Bashkia Tiranë dhe UKT nuk kanë planifikuar investime konkrete për reduktimin e ndotjes së lumit.

KLSH thotë se Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka kryer vetëm monitorim të pjesshëm të cilësisë së ujit, duke mbuluar 2 nga 4 stacionet e parashikuara në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit për lumin Lana.

Të dhënat e publikuara nga AKM tregojnë se lumi Lana klasifikohet vazhdimisht në Klasën V – Gjendje e keqe, me tejkalim të normave të lejuara për tregues si nevoja biokimike për oksigjen, fosfori, amoniaku dhe nitrati, çka dëshmon një nivel të lartë ndotjeje nga ujërat e ndotura urbane.

Pavarësisht se raportet mjedisore janë publike dhe u janë përcjellë institucioneve qendrore dhe vendore, situata nuk ka pësuar përmirësim. Edhe në monitorimin e vitit 2024, të dy stacionet e vëzhguara janë klasifikuar sërish në gjendje të keqe.

30% e popullsisë pa kanalizime, 70% me sisteme të kombinuara

Auditimi evidenton se rreth 30% e popullsisë përdor ende sisteme pa kanalizime (gropa septike), pa trajtim të llumit fekal për rastet që kërkojnë zbrazje. Ndërkohë, 70% e popullsisë përdor sisteme të kombinuara të kanalizimeve, ku ujërat e shiut përzihen me ujërat e ndotura urbane, duke rritur ndjeshëm rrezikun e ndotjes dhe përmbytjeve.

Relacioni i datës 01.12.2020 i hartuar nga AMBU mbi verifikimin e pikave të shkarkimit të ujërave të ndotura konfirmon se Tirana nuk ka impiant trajtimi dhe se, në mungesë të ndarjes së ujërave të bardha nga ato të zeza, shkarkimet kryesore përfundojnë në Lumin e Lanës dhe Lumin e Tiranës. Në zonat periferike, ujërat e zeza shkarkohen në gropa septike ose në përrenj dhe kanale pranë banesave.

E njëjta situatë përshkruhet edhe në Planin e Menaxhimit të Basenit Ujor Ishëm 2024–2029, ku theksohet se sistemi ekzistues i kanalizimeve është i kombinuar dhe i planifikuar të përdoret në maksimum, ndërsa për zonat e reja pa sistem publik parashikohet kanalizim i ndarë. Ndërkohë, ITUN-i i Tiranës është ende në ndërtim, por punimet janë pezulluar.

Nga auditimi rezulton gjithashtu se raporti final i projektit për hartimin, modelimin dhe vlerësimin e sistemeve të menaxhimit të ujërave të ndotura dhe të shiut në Tiranën e Madhe pritet të dorëzohet vetëm në dhjetor 2025, duke vonuar ndërhyrjet prioritare.

Ndërkohë, në dokumentin “Plani i Veprimit për zhvendosje – Shtrati i Lumit Lana, rizhvillim urban” (amendamenti 1), publikuar më 17 janar 2024, Bashkia e Tiranës pranon se zona e Lanës ka vuajtur nga degradimi mjedisor, përmbytjet periodike dhe mangësitë e infrastrukturës publike, si pasojë e zhvillimit të paplanifikuar.

85 shkarkime dhe mungesë totale monitorimi

Sipas auditimit, në Lumin e Lanës shkarkojnë rreth 85 tubacione apo kolektorë, por UKT sh.a. nuk kryen monitorim të shkarkimeve të ujërave të ndotura. Laboratori në administrim të shoqërisë analizon vetëm ujin e pijshëm dhe jo ujërat e shkarkimeve.  Po ashtu, UKT sh.a. nuk disponon informacion mbi numrin, vendndodhjen dhe frekuencën e pastrimit të dekantuesve apo gropave septike që lidhen direkt me lumin, ndërkohë që nuk kryhet asnjë trajtim paraprak i ujërave të ndotura para shkarkimit në Lanë.

Një problem i përsëritur lidhet me përmbytjet gjatë reshjeve të dendura, kur rritja e nivelit të Lanës pengon shkarkimin e kolektorëve. Kjo ndodh për shkak se në të njëjtin rrjet shkarkojnë edhe ujërat e shiut, duke përkeqësuar ndikimin mjedisor. Në zonat informale, nga burimi i Lanës deri në rrethrrotullimin e Shkozës dhe nga “Pallati me Shigjeta” deri në pikën fundore, mungesa e investimeve dhe ndërtimi informal i rrjeteve nga vetë banorët e ka bërë të pamundur identifikimin, inventarizimin dhe monitorimin e shkarkimeve.

Aktualisht, MIE dhe AKUK, në bashkëpunim me UKT sh.a., po punojnë për përditësimin e hartës së kanalizimeve përmes sistemit GIS, në kuadër të hartimit të master-planit për kanalizimet e Tiranës së Madhe. Deri atëherë, sipas KLSH, Lumi Lana vazhdon të mbetet një nga pikat më problematike të ndotjes urbane në vend.

KLSH: Institucionet kanë dështuar të ndalin ndotjen e Lanës,

 

Video

Një tërmet i fuqishëm goditi sot Meksikën, duke shkaktuar panik në disa zona të vendit. Sipas autoriteteve, lëkundjet u regjistruan me magnitudë 6.3–6.5 ballë dhe u ndjenë fort në Mexico City, duke detyruar presidenten Claudia Sheinbaum të ndërpresë konferencën për shtyp. Epiqendra ndodhej në shtetin Guerrero, në një thellësi rreth 10 kilometrash, ndërsa deri më tani nuk raportohet për dëme serioze apo viktima.

Në ditën e dytë të vitit 2026, reshjet e dëborës janë rikthyer në zonat malore të veriut dhe juglindjes së vendit. Në veri, dëborë është regjistruar në akset Dedaj–Razëm, Bogë–Theth dhe Vermosh, si dhe në qytetin e Shkodrës, ku më pas reshjet janë shndërruar në shi. Në juglindje, dëborë ka rënë në pikën kufitare Qafë Thanë, zonën e Mokrës dhe rrugën Qukës–Qafë Pllocë. Temperaturat kanë shënuar deri në -7°C., ndërsa apelohet për kujdes të shtuar, ulje të shpejtësisë dhe pajisjen me goma dimërore. https://www.vna.al/sociale/rikthehen-reshjet-e-debores-ne-veri-dhe-juglindje-te-shqiperise-i18471

Video tregon përhapjen e zjarrit në tavanin e një bari në Zvicër Momenti kur zjarri u përhap me shpejtësi në tavanin e një bari në Zvicër duket se është kapur në video. Të paktën 47 persona dyshohet se kanë humbur jetën pasi lokali “Le Constellation” u përfshi nga flakët në orët e para të Ditës së Vitit të Ri, ndërsa mbi 100 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Reshjet e dëborës kanë nisur në zonën e Qafë Thanës, në Pogradec. Aktualisht, reshjet janë të pranishme vetëm në majën e qafës, me intensitet të ulët deri në mesatar, ndërsa temperaturat shënojnë vlera negative. Sipas informacioneve, kontraktorët pritet të kryejnë kriposjen e rrugës për të shmangur ngricat dhe rrëshqitjet e automjeteve. Deri në këto momente nuk raportohen bllokime apo vështirësi në qarkullim, ndërsa Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme