Sociale 27 Janar 2026, 15:52 Nga VNA

Importet e ushqimeve rriten me 23% në pesë vite: Importohet më lirë, shitet më shtrenjtë

Ndaje në Whatsapp

Importet e ushqimeve rriten me 23% në pesë vite: Importohet më

Vit pas viti vendi ynë është duke rritur varësinë nga ushqimet e importit si rrjedhojë e uljes së prodhimit vendas dhe nevojave më të larta për konsum nga turistët.

Në vitin 2025 u importuan 1,347,550 tonë ushqime, me rritje vjetore 4.3% sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Vlera e importeve shënoi gjithashtu rritje me 3,9%.

Të dhënat tregojnë se nga njëra anë sasia e ushqimeve të importuara po rritet me ritme të qëndrueshme, ndërsa çmimi mesatar për kilogram i importeve po bie, duke e bërë ushqimin e importuar gjithnjë e më të lirë. Kjo nuk duket se është reflektuar në tregun e pakicës, ku çmimet si të ushqimeve, ashtu dhe të rafteve në supermarkete vetëm sa po shtrenjtohen.

Në vitin 2020, Shqipëria importonte rreth 1.09 milionë tonë ushqime dhe pije. Në vitin 2025, kjo sasi arriti në 1.35 milionë tonë, një zgjerim prej mbi 250 mijë tonësh ose rreth 23% më shumë brenda pesë vitesh. Vitet e fundit, konsumi i brendshëm po mbështetet gjithnjë e më shumë te tregjet e jashtme për të mbuluar nevojat bazë ushqimore, në një kohë kur kërkesa është rritur edhe nga turizmi.

Në të njëjtën kohë, vlera totale e importeve në lekë është rritur, por jo në të njëjtin ritëm me sasinë. Nga rreth 110.9 miliardë lekë në vitin 2020, importet arrijnë në mbi 162 miliardë lekë në vitin 2025. Ndonëse Shqipëria po shpenzon më shumë në terma absolutë për ushqime të importuara, çdo kilogram ushqim importi po kushton më pak vit pas viti.

Çmimi mesatar për kilogram, i cili arriti kulmin në vitin 2022, në rreth 146 lekë për kg gjatë krizës globale të çmimeve pas luftës në Ukrainë, ka rënë gradualisht deri në rreth 120 lekë për kg në vitin 2025, një ulje prej afro 18% në vetëm tre vjet. Kursi i këmbimit ka favorizuar dukshëm importuesit, teksa euro u këmbye mesatarisht me 97 lekë në 2025-n, nga rreth 140 lekë që ishte në 2015-n.

Shqipëria sot po blen ushqime më lirë në tregjet ndërkombëtare sesa gjatë periudhës së pikut të krizës, por po blen shumë më tepër. Rënia e çmimit për njësi ka ndihmuar që faturat e importeve të mos rriten aq sa sugjeron rritja e fortë e sasive, duke amortizuar presionin mbi çmimet e brendshme. Kjo prirje tregon edhe një varësi gjithnjë e në rritje nga furnizimi i jashtëm për ushqimet bazë, duke e bërë ekonominë më të ndjeshme ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare në të ardhmen.

Një pjesë e rritjes së volumit te importeve po vjen nga vende si Turqia, Ballkani, Amerika Latine dhe tregje të tjera ku prodhimi bujqësor është më i lirë sesa në BE.

Rritja e turizmit dhe e konsumit urban ka shtuar kërkesën për produkte të standardizuara, të paketimit industrial dhe të prodhuara në seri të mëdha, të cilat janë zakonisht më të lira për njësi sesa prodhimet artizanale apo lokale.

Sakaq prodhimi vendas nuk po rritet me të njëjtin ritëm me kërkesën. Kostot e larta të prodhimit vendas bëjnë që shumë produkte shqiptare të jenë më të shtrenjta se ato të importuara. Si rezultat, tregtarët dhe përpunuesit zgjedhin mallin e huaj, që vjen më lirë dhe në sasi të mëdha./Monitor.al/

Video

Deputeti Klevis Balliu dhe disa anëtarë të Partisë Demokratike janë paraqitur sot në Gjykatën e Tiranës për të kërkuar lirimin e protestuesve të arrestuar pas tubimit të opozitës më 24 janar. Në ambientet e gjykatës janë të pranishme edhe forca policie për të garantuar sigurinë, ndërsa nuk kanë munguar përplasjet sporadike me deputetin Balliu, i cili kërkoi të hynte brenda godinës së gjykatës.

Deputeti Arjan Ndoja i “tërheq” vëmendjen Gazment Bardhit dhe Taulant Ballës pasi të dy u përfshinë në një debat të zhurmshëm jashtë rendit të ditës.

Rrëshqitje masive toke janë regjistruar në Siçili, pas një stuhie të forte që goditi rajonin, duke lënë disa banesa në buzë të greminës dhe duke rrezikuar sigurinë e banorëve. Sipas autoriteteve, situata e krijuar ka detyruar evakuimin e më shumë se 1 000 personave nga zonat e rrezikuara. Pamjet me dron tregojnë nivelin e dëmeve dhe afërsinë e banesave me zonën e shembur. Autoritetet lokale po vijojnë monitorimin e terrenit dhe vlerësimin e rrezikut për rrëshqitje të tjera.

Tregtarët e tregut industrial në Vlorë po protestojnë prej dy ditësh kundër projektit të Bashkisë për ndërtimin e tregut të ri. Ata kundërshtojnë urdhrin për t’u zhvendosur brenda tre ditësh, pasi bashkia nuk u ka ofruar ende një ambient të përkohshëm ku të ushtrojnë aktivitetin deri në përfundimin e punimeve. Si shenjë proteste, tregtarët kanë hyrë edhe në ambientet e brendshme të Bashkisë së Vlorës.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme