Sociale 11 May 2026, 16:54 Nga VNA

EuroNatur: Resorti në Pish Poro – Nartë shkel marrëveshjen me BE-në

Ndaje në Whatsapp

EuroNatur: Resorti në Pish Poro – Nartë shkel marrëveshjen

Disa ditë pasi kamerat e aktivistëve mjedisorë shqiptarë filmuan makineri të rënda që kishin nisur punime brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro-Nartë, organizata mjedisore gjermane EuroNatur doli me një reagim zyrtar ku shprehu shqetësimin lidhur me dëmin rigoroz që sjellin këto punime.

Sipas EuroNatur, aktualisht në zonën e mbrojtur të Nartë-Vjosë në Shqipëri po kryhet një dëm serioz mjedisor.

“Që prej fundit të muajit Prill, buldozerë dhe ekskavatorë kanë operuar në zemër të peizazhit të mbrojtur, duke zhdukur pyjet në zonën bregdetare, dunat e rërës, dhe duke hapur rrugë të reja aksesi në habitate që deri më sot ishin të paprekura”, shkruan EuroNatur.

“Këto punime po zhvillohen pa procedura transparente miratimi, pa vlerësime të ndikimit në mjedis apo konsultime me publikun”, shtojnë më tej aktivistët ndërkombëtarë mjedisorë.

Më 16 Shtator 2025, Bashkimi Europian hapi zyrtarisht negociatat me Shqipërinë për Kapitullin 27 për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike. Sipas kësaj marrëveshje, Bashkimi Europian dhe Shqipëria ranë dakord që ndryshimet kontroverse që bëri qeveria në Ligjin për Zonat e Mbrojtura do të tërhiqeshin deri në fund të vitit 2027.

Gjithashtu u arrit në dakordësinë që të gjitha projektet do të planifikoheshin dhe do të implementoheshin sipas kërkesave të Vlerësimeve të Ndikimit në Mjedis të Bashkimit Europian.

Sipas EuroNatur, veprimet konkrete sugjerojnë që qeveria shqiptare nuk po i përmbahet këtyre kushteve.

“Kjo është një shkelje serioze e rregulloreve kombëtare të mbrojtjes së natyrës dhe angazhimeve që Shqipëria ka ndërmarrë si pjesë e procesit të integrimit në BE”, citon reagimi i EuroNatur, lidhur me punimet aktuale që po kryhen në Pish Poro-Nartë.

EuroNatur, së bashku me disa organizata të tjera partnere mjedisore shqiptare dhe ndërkombëtare bën thirrje për ndalim të menjëhershëm të punimeve në zonën e Pishë-Poro, si edhe për bërjen e transparencës lidhur me lejet e punimeve.

“Vijimi i punimeve në një rezervat natyror jo vetëm që vë në rrezik këtë trashëgimi natyrore unike, por gjithashtu vë në pikëpyetje kredibilitetin e Shqipërisë në procesin e zgjerimit dhe anëtarësimit në BE”, u shpreh Gabriel Schwaderer, drejtor ekzekutiv i organizatës EuroNatur.

“Marrëveshjet me BE-në po shkelen nga ana e qeverisë shqiptare. Bashkimi Europian duhet të rrisë presionin kundrejt Tiranës, në mënyrë që të sigurojë ndalimin e menjëhershëm të dëmtimit të natyrës në një prej peizazheve natyrore më të rëndësishme të Europës”, përfundoi i indinjuar drejtuesi i organizatës mjedisore gjermane EuroNatur./BIRN./

Video

Punojmë 8 orë në shtet…pastaj të gjithë te Spitali Amerikan

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme