Sociale 13 Prill 2026, 13:11 Nga VNA

Sulmet e Trump ndaj Papa Leone XIV/ Dom Gjergj Meta: Papa është një zë i brishtë si vetë Fjala e Zotit, me paqen fitojmë të gjithë

Ndaje në Whatsapp

Sulmet e Trump ndaj Papa Leone XIV/ Dom Gjergj Meta: Papa është

Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Gjergj Meta ka reaguar lidhur me sulmet e presidentit amerikan, Donald Trump ndaj Papa Leone XIV. Imzot Meta në reagimin e tij shkruan se Papa është një zë i brishtë si vetë Fjala e Zotit.

Ai shtoi se fjalët e Papës nuk mund të jenë të pranueshme për gjithkënd, sidomos sipas tij për ata që mendojnë se paqja vjen vetëm nëpërmjet luftës. Meta shton se Papa Leoni flet në emër të Ungjillit e në emër të viktimave dhe popujve që vuajnë pasojat e një obeziteti të egos së të fuqishmëve të kësaj bote.

“Papa Leoni XIV, një zë i brishtë si vetë Fjala e Zotit … Papa Leoni XIV ka qenë dhe është i qartë njësoj si Papa Gjoni XXIII me “Pacem in terris” apo si Pali VI me “Populorum progressio” e ashtu si Gjon Pali II që ngriti zërin kundër luftës në Irak, si Papa Benedikti e Papa Françesku që foli kundër ngritjes së mureve dhe luftës ku humbin të gjithë.

Nuk mundej Leoni të ishte ndryshe nga paraardhësit e tij e me siguri nuk mund të shkonte kundër Ungjillit të Ngjalljes ku fjala e parë e Krishtit të ngjallur është “Shalom, Selam, Paqe”.

Sigurisht fjalët e Papës Prevost nuk mund të jenë të pranueshme për gjithkënd, sidomos për ata që mendojnë se paqja vjen vetëm nëpërmjet luftës. Si vis pacem para bellum (nëse do paqen përgatit luftën) është një logjikë gjithmonë humbëse për njerëzimin. Si vis pacem para pacem (nëse do paqen përgatit paqen): kjo është logjika fituese edhe pse ajo më e vështira, por më e sigurta.

Fjalët e Papa Leonit, qysh në minutat e parë të pontifikatit të tij me 8 maj të vitit të kaluar, kanë qenë për një “paqe të çarmatosur dhe çarmatosëse”. Nuk mund të ishte ndryshe në kontekstin aktual të një lufte absurde, ashtu sikurse është absurde edhe ajo në Ukrainë, Palestinë, Liban, Sudan e në shumë vende të tjera. Ashtu sikurse është absurde çdo luftë.

Papa Leoni flet në emër të Ungjillit e në emër të viktimave dhe popujve që vuajnë pasojat e një obeziteti të egos së të fuqishmëve të kësaj bote. E thotë pa frikë e pa drojë, sepse e beson dhe ka këtë mision.

Kushdo shikon te Papa Leoni një “të dobët”, një zë kundër logjikës së luftës, ka të drejtë. Ai nuk flet me forcën e armëve, por me brishtësinë e fjalës, sepse fjala është e çarmatosur, por më e mprehtë se një shpatë dytehëshe.

E bota sot ka nevojë për këtë zë moral e shpirtëror universal edhe kur është kundër të fuqishmëve të botës. Ai, dhe të gjithë ne bashkë me të, nuk duhet të reshtim të kërkojmë ndalimin e luftës dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare. Ashtu sikurse edhe Papa Leoni XIV tha, u kërkojmë të gjithë udhëheqësve të popujve edhe atyre në Shqipëri, që të jenë faktorë të paqes në botë e në rajon. Me luftën humbim të gjithë, me paqen fitojmë të gjithë”, përfundon reagimi.

Video

Zsolt Hegedus, kandidat për ministër Shëndetësie nga partia “Tisza”, është bërë viral në rrjetet sociale me kërcimin e tij gjatë festimeve, pasi partia ku bën pjesë i fitoi bindshëm zgjedhjet në Hungari. Kërcimi i tij ka shkaktuar një valë reagimesh dhe komentesh në TikTok.

Çfarë ndodh kur grupi i Përmetit niset për një festival ne Francë…

Arabia Saudite ka urdhëruar mbylljen e shkollave pas përmbytjeve të rënda që përfshinë disa pjesë të vendit. Reshjet e dendura të shiut kanë përmbytur rrugët në kryeqytetin Riad, si dhe në rajonin e Al Ahsa, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe rrezik për banorët.

Hoteli 23-katësh Mandarin Oriental Hotel Miami, dikur një simbol i njohur i horizontit të Majemit, u shemb përmes një shpërthimi të kontrolluar nga kontraktorët në më pak se 20 sekonda.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme