Sociale 14 Dhjetor 2025, 09:09 Nga VNA

Durrësi në kërkim të gjurmëve të një shekulli

Ndaje në Whatsapp

Durrësi në kërkim të gjurmëve të një shekulli

Durrësi po ritregon historinë e vet përmes fotove të hershme, të ekspozuara në hapësirat publike të qytetit. Nismës së Autoritetit Portual i janë bashkuar tashmë 102 foto të tjera nën emrin “Tradita durrsake”, të cilat janë vendosur në fasadën e ish-hotel Vollgës.

Griseld Hoxha, anëtar i klubit të fotografëve të Durrësit, i tha BIRN se fotot e fillim-shekullit të kaluar gjendeshin deri tani në lokalet e bregdetit.

“Megjithëse galeritë fotografike në qiell të hapur nuk kanë kushte për vizita normale nga qytetarët apo turistët, nisma duhet përgëzuar,” tha Hoxha, duke theksuar se fotot dëshmojnë interesin për kujtesën e humbur të qytetit.

Durrësi ka një histori 3.000-vjeçare, një pjesë e së cilës pret ende nën tokë për t’u zbuluar. Por përtej historisë antike, edhe kujtesa për zhvillimet e shekullit të fundit ka qenë minimale.

Gjatë kësaj periudhe, Durrësi ka njohur një zhvillim të vrullshëm, veçanërisht pas tërmetit të rëndë të vitit 1926. Pamja e Durrësit ndryshoi falë planit rregullator, mbi bazën e të cilit u ndërtuan bulevardi i njohur si “Rruga Tregtare”, Banka e Shtetit, godina e Bashkisë apo Vila mbi kodër.

“Kujtesa kolektive e një qyteti përfaqëson mënyrën se si komuniteti ruan, përjeton dhe transmeton historinë, traditat dhe identitetin e tij nëpër breza,” thotë psikologu Elton Kuqja. Sipas tij, kujtesa ndërtohet përmes një kombinimi të elementeve materialë dhe jomaterialë, të cilat së bashku krijojnë një narrativë të përbashkët shoqërore.

Nga shkolla e parë e Durrësit në qendër të qytetit nuk ka mbetur shenjë. Njëlloj kanë humbur vitet e fundit godina e S.T.A.M.L.E.S dhe fabrika e duhan-cigareve, e themeluar në vitin 1926 me 300 aksionerë nga qytete të ndryshme të vendit.

Edhe merkato e vjetër, e cila u rrafshua në mesin e viteve 1970 nuk ka gjetur vend në asnjë nga pamjet e historisë së qytetit. Largimi i shatërvanit që u ngrit para një shekulli në lulishten para bashkisë, u shoqërua me premtimin e pushtetit vendor se do të zhvendosej në  një nga sheshet më të përshtatshme. Për më shumë se 10 vjet, objekti u transferua në një nga sheshet e portit, ndërsa tani nuk dihet se ku ka përfunduar.

“Shatërvani në qendër të qytetit ishte një element me vlerë historike dhe identitare për Durrësin: jo vetëm si strukturë fizike, por si pikë referimi kolektive për brezat dhe element kulturor,” tha për BIRN Mirjam Reçi, drejtuese e Qendrës së Zhvillimit të Shoqërisë Civile.

Sipas saj, planet e reja urbanistike të qendrave të qyteteve imponojnë infrastruktura të reja dhe moderne, qoftë edhe në konceptimin e shatërvaneve.

Një burim nga Autoriteti Portual i Durrësit i tha BIRN se shatërvani nuk ishte në ruajtje apo në inventar, ndërsa besonte se ndodhej aktualisht në zonën ku po zbatohet projekti “Durrës Marina”.

Në fillim të viteve 2010, falë një projekti dypalësh, pranë objekteve arkeologjike dhe historike në Durrës u instaluan tabela treguese, por ato janë dëmtuar nga koha dhe keqbërësit.

Dorina Xheraj Subashi, drejtore e Qendrës MuzehLab, thotë se puna duhet të rifillojë me mirëmbajtjen e tabelave ekzistuese dhe më pas me pasurimin e qytetit me forma të ndryshme të rikthimit të kujtesës.

Qendra e drejtuar nga Dorina ka instaluar pranë dyerve dhe godinave të hershme edhe punime artizanale, të cilat mund të mbeten si dëshmi pas ndryshimeve të tjera në qytet.

Të njejtën gjë sugjeron edhe Bedin Bedini, nënkryetar i shoqatës “Adrijon”. Bedini tha se anëtarët e shoqatës kanë kërkuar prej vitesh një sallë në mjediset e portit të Durrësit.

“Ne vendosëm së fundmi disa stenda të tjera me foto nga flota tregtare, në kangjellat e portit, por kaq nuk mjafton. Tre drejtorë të Autoritetit portual kanë zëvendësuar njëri- tjetrin, por shoqata ende nuk ka një mjedis pune,” tha Bedini për BIRN.

Sipas fotografit Griseld Hoxha, shumë prej institucioneve të rëndësishme për historinë moderne të qytetit, siç është porti aktual, janë lënë në hije.

“Porti aktual filloi të ndërtohej në vitin 1926 dhe në historinë e tij bëjnë pjesë ngjarje mjaft të rëndësishme, mes të cilave edhe eksodi i vitit 1991. Eksodi i marsit dhe ai i gushtit 1991, gjatë të cilave u larguan nga vendi afro 35 mijë shqiptarë, nuk bëjnë pjesë ende në tabelat informative të qytetit,” përfundoi ai./BIRN/

Durrësi në kërkim të gjurmëve të një shekulli

Durrësi në kërkim të gjurmëve të një shekulli

 

 

Video

Muzeu i Luvrit mbeti i mbyllur të hënën, duke lënë mijëra vizitorë të zhgënjyer, pasi stafi nisi një grevë në shenjë proteste ndaj kushteve të punës dhe mungesës së personelit. Punonjësit kërkojnë staf shtesë dhe masa për të përballuar mbipopullimin, në një periudhë me fluks të lartë turistësh për shkak të festave të Krishtlindjeve. Stafi i pritjes dhe sigurisë thekson se mbingarkesa e vizitorëve dhe mungesa e personelit po rrezikojnë sigurinë dhe funksionimin normal të muzeut më të vizituar në botë. Auditimet e mëparshme kanë paralajmëruar për dobësi strukturore në siguri, përfshirë zona që u shfrytëzuan edhe gjatë grabitjes së fundit.

Një shpërthim i fuqishëm ndodhi të hënën rreth orës 17:30 në një ndërtesë banimi katërkatëshe në Trévoux, në periferi të Lionit, duke shkaktuar të paktën gjashtë viktima, përfshirë dy fëmijë të moshës 3 dhe 5 vjeç. Sipas autoriteteve lokale, një grua dhe tre fëmijët e saj ndodheshin në banesë në momentin e shpërthimit. Gruaja dhe djali i saj më i madh mbijetuan, ndërsa dy fëmijët më të vegjël, të nxjerrë nga rrënojat në gjendje arresti kardiak, u shpallën të vdekur pak më vonë nga ekipet e shpëtimit. Shkaku i shpërthimit mbetet ende i paqartë dhe hetimet vijojnë.

Kur pret që të vdesë babai që të shesësh shtëpinë.

Në foltoren e sotme të PD përpara Kryeministrisë, e veçanta e kësaj jave ishte pjesëmarrja e Argita Berishës. Pas shumë kohësh ajo u rishfaq në protestat e opozitës, pikërisht në kohën kur në PD ka rinisur debati i brendshëm për lidershipin e saj.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme