Sociale 16 November 2025, 14:52 Nga VNA

“Dielli i Ditës Tjetër” – Mozaiku i përkohshëm i Muzeut Historik Kombëtar kthehet në një thirrje arti, shprese dhe ndërgjegjësimi

Ndaje në Whatsapp

“Dielli i Ditës Tjetër” – Mozaiku i

Fasada e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë është transformuar përkohësisht në një akt të fuqishëm artistik dhe human. Instalacioni “Dielli i Ditës Tjetër”, i artistes Blerta Kambo, ka sjellë mbi mozaikun monumental “Shqipëria” një ndërhyrje simbolike dhe plot ndjeshmëri, e cila për 3 javë do të qëndrojë mbi veprën ikonike të artit publik shqiptar.

Me këtë instalacion, Kambo bashkon historinë me aktualitetin shëndetësor, duke e kthyer fasadën më të njohur të vendit në një platformë solidariteti për gratë që përballen me kancerin e gjirit. Elementi i ri artistik është vendosur mbi figurën femërore qendrore të mozaikut, si një gjest i qartë mbështetjeje, kurajoje dhe reflektimi.

Ndërhyrja është realizuar me teknika të mjeshtëruara mozaiku dhe është vendosur plotësisht pa prekur strukturën origjinale të mozaikut “Shqipëria”. Ajo funksionon si një shtresë e jashtme, e përkohshme, duke respektuar vlerën muzeale dhe historike të veprës, ndërsa i shton një dimension të ri simbolik.

“Dielli i Ditës Tjetër” shpalos një mesazh të drejtpërdrejtë: ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit nuk është vetëm çështje shëndetësie, por edhe çështje njerëzore, shoqërore dhe kulturore. Instalacioni i dedikohet “1 në 12 grave” që diagnostikohen me këtë sëmundje — një kujtesë e prekshme se betejat personale kërkojnë mbështetje kolektive.

Gjatë tre javëve në të cilat do të qëndrojë mbi fasadë, kjo vepër e përkohshme synon të krijojë një bisedë të re mes qytetarëve dhe hapësirës publike, duke i ftuar të gjithë të reflektojnë mbi forcën, qëndresën dhe shpresën e grave që përballen me kancerin e gjirit.

Instalacioni i Blerta Kambos shndërron një monument të trashëgimisë sonë në një hapësirë të artit bashkëkohor me kauzë — një kujtesë se arti ka fuqinë të ndryshojë ritmin e përditshmërisë, të hapë diskutime dhe të afrojë zemrat.

Video

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme